Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e prokurorit Valentin Preçi

Shqipëria

Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e prokurorit Valentin Preçi

Më: 3 maj 2024 Në ora: 17:01
Foto nga vendi i ngjarjes

Komisioneri Publik Florian Ballhysa ankimoi të premten vendimin e Komsionit të Pavarur të Kualifikimit, për të konfirmuar në detyrë prokurorin Valentin Preçi. Komisioneri i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të ndryshojë vendimin e KPK-së dhe të vendosë për shkarkimin e Preçit, që sipas ankimit është gjetur me probleme në të tre kriteret e rivlerësimit.

“Ndryshimin e vendimit nr. 730, datë 10.1.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Valentin Preçi”, thuhet në kërkesën e Komisionerit Publik.

Preçi u konfirmua në detyrë në janar të këtij viti, nga një trupë e KPK përbërë nga nga Firdes Shuli kryesuese, Xhensila Pine relatore dhe Olsi Komici anëtar. Shuli dhe Komici vendosën në favor të konfirmimit, në mendim pakice Pine votoi për shkarkimin e prokurorit. Pak pas zbardhjes së vendimit të KPK, Vëzhguesit ndërkombëtar rekomanduan ankimin e çështjes, duke e cilësuar hetimin e KPK-së të pa plotë. “Nuk duket se mbështetet në provat e paraqitura. Devijon nga standardet tipike të KPK-së dhe nga principet dhe udhërrëfyesi e vendosur nga Kolegji i Apelimit”, thuhet në rekomandim sa i përket vendimit të Komisionit.

Nisur edhe nga ky rekomandim Komisioneri Publik vë në dukje në ankim se nuk ishte dakord me përfundimet e trupës së KPK-së për të tre kriteret.

Ballhysa thotë se sa i përket kriterit të vlerësimit të pasurisë, Preçi ndodhet në mungesë të burimeve financiare të ligjshme dhe se ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë. Komisioneri thotë se kjo vlen për dy pasuritë apartament banimi 84,5 m2 dhe garazh, por edhe për shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit në SHBA të bashkëshortes apo edhe mbi pretendimet për mbulimin e disa shpenzimeve nga babai i bashkëshortes.

Njëkohësisht Komisioneri thotë se të ardhurat e deklaruara nga lotaria nuk duhet të merren parasysh, pasi sipas tij nuk provoheshin. “Nga sa më sipër, nuk rezulton që në dosje të Komisionit të jetë administruar dokumentacion justifikues ligjor për të provuar krijimin e të ardhurave nga loto sporti, të cilat të provojnë se kjo shumë është përfituar nga subjekti i rivlerësimit”, thuhet në ankim.

Të njëjtin përfundim arrin Komisioneri edhe sa i përket kriterit të profesionalizmit. Duke marrë parasysh denoncimet dhe rekomandimin e ONM-së Komisioneri vë në dukje se “veprimet e subjektit të rivlerësimit afektojnë kriterin e aftësisë profesionale”.

Komisioneri Publik po ashtu në kundërshtim me pretendimet e ngritura nga Komisioni dhe vetë Preçi, i gjen problematike kontaktet e prokurorit me disa persona të dënuar apo hetuar për vepra penale të ndryshme. Komisioneri arsyeton se subjekti duhej të ishte cilësuar i papërshtatshëm.

“Në përfundim të sa më sipër, lidhur me kriterin e kontrollit të figurës, Komisioneri Publik, në konsideratë të Rekomandimit të ONM-së, konstaton se subjekti i rivlerësimit ndodhet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm edhe për kriterin e kontrollit të figurës”, thuhet në ankim

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat