BSH: Rezerva valutore në nivelin e 5.6 miliardë eurove

Shqipëria

BSH: Rezerva valutore në nivelin e 5.6 miliardë eurove

Më: 4 maj 2024 Në ora: 08:08
Banka e Shqipërisë

Rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë në fund të muajit mars shënoi vlerën 5.6 miliardë euro, ose 11.5% më shumë krahasuar me bazë vjetore. Sipas BSH-së, rezerva valutore e vendit në pjesën më të madhe mbahet në tituj borxhi dhe në depozita.

Në fund të vitit të kaluar, titujt e borxhit përbënin afërsisht 75% të mjeteve të rezervës, ndërsa depozitat në cash përbënin 17% të saj.

Pjesa e mbetur e rezervës është e investuar në ar dhe në të drejta tërheqjeje (SDR) pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar. Rezerva valutore është instrument i rëndësishëm për të amortizuar goditje të mundshme, të lidhura si me deficitin e llogarisë korrente, ashtu edhe me nivelin e lartë të Euroizimit të sektorit financiar në vend. Rezerva valutore mund të shërbejë si instrument për të mbështetur me likuiditet në valutë sektorin financiar apo për të stabilizuar goditje në kursin e këmbimit valutor.

Rritja e rezervës valutore realizohet kryesisht nëpërmjet blerjeve të valutës në tregun e brendshëm valutor. Sipas BSH-së, kalendari i ndërhyrjeve parashikon që shuma e synuar për tu blerë nëpërmjet 20 ankandeve për vitin 2024 do të jetë në intervalin mes 250 milionë eurove dhe 330 milionë eurove.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat