Ngjela paralajmëron “tërmet” brenda SPAK: Do të zëvendësohen 4 njerëz të drejtësisë

Shqipëria

Ngjela paralajmëron “tërmet” brenda SPAK: Do të zëvendësohen 4 njerëz të drejtësisë

Më: 11 maj 2024 Në ora: 10:46
Spartak Ngjela

Pavarësisht qëndrimeve të prera të amerikanëve për të mos futur duart tek reforma në drejtësi, kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha duken të vendosur për të çuar përpara planin e tyre ogurzi. Fjalimi për më shumë se 1 orë e 30 minuta i kreut të qeverisë gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme disa ditë më parë me ministrat dhe deputetët socialistë, ia la vendin paraqitjes së rezolutës së re të qeverisë për reformat në sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin. Një rezolutë që i drejtohej Kuvendit të Shqipërisë për të kryer disa detyra, por që më shumë ishte një ftesë për grupin e Sali Berishës për të krijuar një Komision të Posaçëm Parlamentar, nëpërmjet të cilit do të mund të bëhen ndryshimet e synuara ligjore. Këto lëvizje, për avokatin e njohur Spartak Ngjela japin sinjale se Rama-Berisha po tentojnë të përmbysin SPAK nga frika e goditjeve penale.

“Këta janë trembur të gjithë nga SPAK. Rama e ka shprehur indirekt që do ta prekim SPAK-un. Kryeministri kërkon që nëpërmjet një reforme të bëjë anti-reformë. SPAK e ka bërë reformën dhe nuk e ka bërë SPAK, por e ka bërë Uashingtoni. SPAK është duke u kapur. Nuk po themi se Prokuroria e Posaçme nuk ka probleme, pasi përpara se të krijohej kjo strukturë, prokurorët të cilët janë bërë pjesë e saj mund të kenë qenë të prekur nga korrupsioni. SPAK nuk u formua me individë që nuk kishin punuar në drejtësinë shqiptare. Nuk kemi si flasim pa prova. Këta janë trembur dhe duan të prekin SPAK. Ka dy gjëra. O ka një reformë që do të çojë përpara atë që është bërë kur është formuar SPAK, ose bën një anti-reformë për të eliminuar SPAK. Këta do tentojnë, por problemi është se çfarë do të thotë politika amerikane”, u shpreh Ngjela për gazetën “SOT”.

Frika nga SPAK

Reagimet e SHBA-BE pas njoftimit të kryeministrit Rama në lidhje me ndërhyrjet në drejtësi, për Ngjelën tregojnë se ndërkombëtarët e thanë hapur se nuk heqin dorë nga SPAK. Ngjela po ashtu zbulon se burimet i kanë thënë se politika është nën terror nga drejtësia e re. “Ne nuk heqim dorë nga SPAK. Mund ta çojmë më përpara. Ndërkombëtarët po thonë me mesazhet e tyre që t’ua sjellin ligjet që bën Rama që ti bëjnë ata. SPAK e paguan Uashingtoni. Ata që paguajnë nuk drejtojnë në mënyrë diktatoriale, po shpjegojnë ligjin. Ju mendoni se rrogat e SPAK i paguajmë ne? Jo. Ishin amerikanët që e bënë të mundur reformën. Sipas burimeve që kam unë nga ndërkombëtarët, më kanë thënë që SPAK ka probleme dhe me korrupsionin, tani po e them. Para një viti e ca, më kanë thënë që këta janë të trembur dhe unë iu thashë që pse si merrni në mbrojtje. Krimi i organizuar godet. Burimet më kanë thënë që kanë mbrojtje. Siç duket ka probleme të brendshme vetë SPAK”, shprehet avokati.

Bashkëpunim Rama-Berisha

Nga ana tjetër, Ngjela zbulon se propozimet për bashkëpunim mes Ramës dhe Berishës tregojnë se ata kryeministri bashkë me Berishën po tentojnë të shpëtojnë veten. Ai thotë se edhe brenda SPAK do të ketë ndryshime të forta. Sipas Ngjelës, pritet të lëvizin 4 prokurorë. “Frikë nga goditja penale anti-korrupsion. Të shohim nëse do të bashkohen. Jemi ende në propozime. Rama po kërkon të shpëtojë veten me anë të kësaj që po bën duke nisur me një reformë gjenerale. Nëse kryeministri çdo gjë e mbyll vetë pa miratimin amerikan, është goditje ndaj drejtësisë, kundër SPAK. Sipas burimeve, ajo që i ka trembur më shumë është se brenda SPAK do të ketë ndryshime. Do zëvendësohen 4 njerëz të drejtësisë. Shqipëria e ka të nevojshme luftën anti-korrupsion pasi ka bllokuar zhvillimin kombëtar. Këtu nuk ka funksionuar pushteti gjyqësor. Trysnia e korrupsionit i kapi të dyja krahët dhe gjyqësorin dhe politikën. Mes tyre kishte një marrëveshje të heshtur”, thotë ndër të tjera Ngjela.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat