Çfarë dihet deri tani nga mega-operacioni i SPAK, bosët e krimit nën urdhër-arreste

Shqipëria

Çfarë dihet deri tani nga mega-operacioni i SPAK, bosët e krimit nën urdhër-arreste

Më: 17 maj 2024 Në ora: 17:23
Foto ilustrim

Zbardhja e bisedave të personave që përdornin aplikacionet “SKY ECC” apo “ENCRO CHAT” ka bërë që Gjykata e Posaçme anti-korrupsion të lëshojë 43 urdhër-arreste për ngjarje të ndryshme kriminale në vend, nga vrasjet, porosia e tyre, trafiku ndërkombëtar I drogës, apo edhe zhdukja e personave. Për këtë arsye, në orët e para të mëngjesit, SPAK ka nisur një operacion të gjerë në disa qytete të vendit, si Tirana, Durresi, Vlora, Lezha, Shkodra dhe Kruja.

Mes personave të kërkuar, urdhër-arreste janë lëshuar për një sërë emrash të botës së krimit në Shqipëri. Në mesin e tyre janë dy vëllezërit Bami, Valtër dhe Durim, të cilët janë akuzuar shpesh si ideator, financues apo edhe pjesëmarrës në ngjarje të rënda kriminale në vend. Po ashtu kontrolle janë ushtruar edhe për dy vëllezërit Duka, Erlis dhe Leonard, të përfshirë në biznesin e jashtëligjëm të lojrave të fatit, në vrasjen e policit Santiago Malko apo edhe në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Po ashtu Spak ka kryer kontrolle edhe në zonën e Shijakut, në bazën e vëllezërve Astrit dhe Altin Avdylaj, edhe këta të dyshuar si të përfshirë në rrjetin e trafikut të drogës, gjobëvënie, pengmarrje apo edhe vrasje.

Po ashtu, urdhër-arrest është lëshuar edhe për Fatmir Hysenin, i njohur me nofkën Doçja, i cili më herët ka qenë i shpallur në kërkim për dy atentate, njëri ndaj ish-krahut të djathtë të Ervis Martinaj, Santiago Malkos, ndërsa tjetri ndaj Inez Hajrrullës në Vlorë, besniku i të ekzekutuarit pak vite më parë, Edison Harizaj.

Po ashtu, urdhërarreste janë lëshuar edhe për Endrit Doklën dhe Plaurent Dervishaj, dy anëtarë të Bandës së Durrësit, që më pas u nda në fraksione dhe krijoji luftën e brendshme ndaj njëri-tjetrit.

Në Lezhë, janë ushtruar kontrolle për kapjen e personave të klanit Ndoka, ku mes tyre edhe ish-deputetit Arben Ndoka. Po ashtu policia ka shoqëruar Armando Ndrecën dhe Elvis Ndrecën, përkatësisht vëllai i deputetit Eduard Ndreca dhe kushëriri i tij.

Në Velipojë është prangosur biznesmeni Mir Bruli, njëri i afërt me Pëllumb Gjokën. Ky i fundit i arrestuar në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.

Mes urdhër arresteve ka dhe emra të tjerë të botës së krimit, të cëlit dyshohen të përfshirë në dosjen e hetuar nga SPAK.

Dyshimet janë se bisedat e zbardhura në vazhdimin e dosjes “Metamorfoza” nga aplikacionet “Sky Ecc” dhe Enchro Chat” kanë nxjerr në pah aktivitetin kriminal dhe bashkëpunimin e këtyre personave dhe të tjerë në veprimtari të ndryshme, që nga trafikimi i lëndëve narkotike, tek vrasjet, sigurimi i mjeteve për vrasje dhe pjesëmarrje në organizata kriminale. Pritet që SPAK të dalë me njdotim zyrtar në lidhje me operacionin e zhvilluar dhe bilancin e të arrestuarve dhe të të shpallurve në kërkim. Kujtojmë që disa emra të lartpërmendur dyshohet se fshihen në Emiratet e Bashkuara Arabe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat