Rama, letër Bashës për takim. Kreu i PD: Jam gati me 1 qershor

Shqipëria

Rama, letër Bashës për takim. Kreu i PD: Jam gati me 1 qershor

Më: 27 maj 2016 Në ora: 17:23
Edi Rama e Lulzim Basha

Kryeministri Rama zyrtarizon publikisht kërkesën e tij për të takuar kreun e opozitës Lulzim Basha për të diskutuar dhe zgjidhur ngërçin politik në lidhje me miratimin e çështjes së reformës në drejtësi. Në një letër publike, zyra e kryeministrisë i ka kërkuar Bashës gatishmërinë për një takim me Ramën.

Ndërkohë që nuk ka vonuar përgjigja e Bashës, i cili ka shtyrë takimin të paktën deri të martën e javës që vjen, pasi nuk do të jetë në Shqipëri për shkak të disa takimeve pune në Europë. Kjo do të thotë se ai e ka pritur ftesën pozitivisht dhe thekson se është gati me datën 1 qershor për t’u takuar me kreun e qeverisë.

“Duke marrë shkas nga shprehja publike e gatishmërisë së zotit Lulzim Basha për t’u takuar me Kryeministrin, zotin Edi Rama, jam e autorizuar t’ju komunikoj se ftesa që Kryeministri i ka dërguar zotit Basha mbetet gjithmonë e hapur, – lexohet në letrën e drejtores së kabinetit në kryeministri, Vali Bizhga. – Kryeministri është i gatshëm të takohet me Kryetarin e Partisë Demokratike që nesër në orën 11:00. Zoti Basha është sigurisht i mirëpritur të caktojë orën e takimit në çdo rast”.

Në letër përcaktohet vendi i takimit dhe personat që mund të shoqërojnë Ramën, ndërsa Basha mund të marrë cilin të dojë.

“Duke qenë se vendi i takimit është lënë në zgjedhjen e Kryeministrit, ai mund të zhvillohet në Sallën e Hartave, në godinën e Këshillit të Ministrave. Kryeministri do të jetë i shoqëruar nga Kryetari i Komisionit parlamentar për Reformën në Drejtësi, Z. Fatmir Xhafaj, si edhe nga Kryetari i Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, Z. Bashkim Fino. Zoti Basha është mëse i mirëpritur të vijë i shoqëruar sipas dëshirës së tij”, – thuhet në letër.

Letra mbyllet me përcaktimin e temës së takimit, që sipas kryeministrisë është çështja e reformës në drejtësi dhe ajo e reformës zgjedhore, por “edhe për çdo çështje tjetër me rëndësi dhe interes të përbashkët”, – përfundon letra.

Basha: Mund të takohemi që nga e mërkura

Pak orë pas letrës së Ramës, kryedemokrati i ka kthyer përgjigjes Ramës, duke saktësuar se deri të martën, axhenda e tij është e zënë. Për shkak të axhendës së tij ndërkombëtare, Basha nuk do të jetë në Shqipëri këto ditë. Basha fton kryeministrin që të takohen duke nisur që të mërkurën. “Deri të martën axhenda ime është e zënë. Jam i gatshëm të takohemi duke nisur që nga e mërkura. Për ditën, vendin dhe formatin e takimit jam i gatshëm të vendosim kontakt, – është përgjigja e Bashës, i cili ka pranuar kështu ftesën e kreut të qeverisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat