Prokurorët: Jo sulme personale ndaj funksionarëve të drejtësisë

Shqipëria

Prokurorët: Jo sulme personale ndaj funksionarëve të drejtësisë

Më: 8 qershor 2016 Në ora: 17:42
Prokuroria e Përgjithshme

Unioni i Prokurorëve reagoi ndaj akuzave në drejtim të anëtarëve të tij lidhur me hetimet që po zhvillohen për një pajisje përgjimi, për të cilën u pezullua nga detyra edhe drejtori i përgjithshëm i policisë, Haki Çako. Në një deklaratë, UPRSH shpreh shqetësimin për insinuatat që shkojnë deri në nivelin e sulmeve personale ndaj anëtarëve të tij dhe ndaj funksionarëve të drejtësisë në tërësi.

“UPRSH vlerëson se të tilla insinuata për të paraqitur prokurorët si palë me njërën ose tjetrën forcë politike, sa herë që fillojnë procedime penale apo kryhen hetime paraprake për funksionarë apo ish – funksionarë të lartë të shtetit shqiptar, nuk janë në të njëjtën valë me kërkesat për një reforme të drejtë në Drejtësi, reformë që si perceptohet nga anëtarët e këtij Unioni nga leximet e qëndrimeve të partnerëve evropianë dhe amerikanë, do të duhet të sjellë pavarësi të vërtetë të sistemit të Drejtësisë nga politika dhe përfundimin e asaj që artikulohet si ‘koha e pandëshkueshmërisë’ duhet të përfundojë”, thekson deklarata. Prokurorët u shprehën se besojnë që “deklarata akuzatore përgjithësuese nuk i shërbejnë aspak klimës bashkëpunuese ndërmjet institucioneve ligjzbatuese dhe forcimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Klima e shantazhit dhe presionit publik ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve është jashtë logjikës së funksionimit normal të institucioneve shtetërore dhe kjo mënyrë komunikimi ndikon negativisht në luftën e përbashkët kundër kriminalitetit”.

“UPRSH i bën thirrje të gjithë partnerëve ndërkombëtarë për të moslejuar ndikimin e politikës që për arsyet e saj të ushtrojë presion të çdo lloj forme apo natyre mbi punën e përditshme të prokurorëve anëtarë të Unionit dhe jo vetëm. Të vetëdijshëm se detyra e prokurorit në Republikën e Shqipërisë është një detyrë e vështirë, kërkojmë me forcë mbështetjen e shtetit shqiptar, pjesë të të cilit jemi, për të kryer detyrën të pandikuar, pa presione politike dhe pa u shantazhuar në emër të Reformës në Drejtësi. UPRSH ka qenë pjesë aktive e diskutimeve të natyrës teknike për sa kohë që diskutimet mbi reformën lidhur me formën e përmbajtjen e saj ishin në duart e ekspertëve të nivelit të lartë shqipëtarë dhe ndërkombëtarë, ekspertë që kanë gjithë vlerësimin e UPRSH”, theksohet në deklaratë. Sipas tyre, në kohën kur diskutimet mbi Reformën në Drejtësi kaluan në nivel politik, konstatojmë me keqardhje se as ekspertët dhe as funksionarët e Drejtësisë nuk konsiderohen më si pjesë e zgjidhjes dhe e bërjes së reformës. “Në përfundim të këtij reagimi kërkojmë edhe një herë me forcë që drejtësia të lihet e qetë, që prokurorët të jenë të lirë të hetojnë si bëjnë çdo ditë në bashkëpunim me oficerët e Policisë Gjyqësore të Policise së Shtetit, Doganave, Tatimeve dhe institucionet e tjera shtetërore”, shprehen prokurorët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat