Reforma në Drejtësi, Mesila Doda-deputetëve: A keni frikë të votoni sot?

Shqipëria

Reforma në Drejtësi, Mesila Doda-deputetëve: A keni frikë të votoni sot?

Më: 22 korrik 2016 Në ora: 00:15
Kuvendi i Shqipërisë

E njoftuar për të rinisur në orën 21:00, seanca plenare ku pritet edhe miratimi final i Reformës në Drejtësi ka nisur në orën 23:27.  Kjo vonesë ka ardhur për shkak të vonesës së deputetëve demokratë, të cilët kanë kërkuar kohë të njihen plotësisht me draftin final.

Për të ndjekur këtë seancë plenare në llozhat e Kuvendit ndodhen edhe ambasadorët e SHBA, BE dhe kreu i  Partisë Demokratike Lulzim Basha.

I pari që e ka marrë fjalën ka qenë kreu i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj i cili pasi ka dhënë një pasqyrim të nevojës për këtë reformë në vend ka falenderuar edhe personat e përfshirë në arritjen e këtij drafti.

“Sot ditë e veçantë në historinë e parlamentarizmit. Rezultatet e angazhimit, sot më të prekshme.  Gjithë-përfshirja, transparenca, profesionalizmi, parimet bazë. Sot do miratojmë bazën kushtetuese për reformën. Sistemi do të funksionojë në mënyrë profesionale. Sistemi i drejtësisë do të shkëputet nga ndikimi politik”, u shpreh Xhafaj nga foltorja e Kuvendit.

Pas tij e ka marrë fjalën kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu i cili vlerësoi arritjen e konsensusit për Reformën në Drejtësi.

“Konsensusi rruga e vetme”, theksoi gjatë fjalës së tij kreu i PR, duke shtuar se politika ka qenë fajtore ndër vite për mohimin e një pjesë të të drejtave të qytetarëve -“një pjesë të të drejtave të qytetarëve, ua kemi mohuar ne, politika” u shpreh ai.

Në emër të PDIU-së fjalën e ka marrë Mesila Doda e cila nga foltorja e kuvendit i ka pyetur deputetët e pranishëm nëse kanë apo jo frikë që ta votojnë këtë Reformë, duke theksuar se deputetët e PDIU nuk kanë.

A keni frikë të votoni sot? Ne të PDIU nuk kemi. Në këtë sallë ka edhe dallkaukë, këtu bën hajër ai që ka blerë mandatin.

“Jemi mësuar me marrëveshjet e natës ku mblidhen 3 koka dhe hanë 3 milionë”, u shpreh më tej deputetja Doda që e vuri theksin tek nevoja për referendum “Ne të PDIU ngulmojmë te referendumi, njerëzit janë zgjedhës e jo dele. Ndërsa ju jeni deputetë dhe jo çobenj.”

Në fund të fjalisë së saj ajo kërkoi votat e deputetëve pasi sipas saj, “Vota pro sot është patriotike, është kombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat