PD: Një shtetas turk u largua nga Rinasi, i ishte ndaluar hyrja në Shqipëri

Shqipëria

PD: Një shtetas turk u largua nga Rinasi, i ishte ndaluar hyrja në Shqipëri

Më: 8 gusht 2016 Në ora: 18:45
Aeroporti i Rinasit

Partia Demokratike denoncoi sot, atë që e cilësoi si një lajm tronditës, ku një shtetas turk është arratisur në aeroportin e Rinasit. “Një informacion tronditës tregon se pak minuta më parë në aeroportin e Rinasit është arratisur një nënshtetas turk, të cilit i ishte ndaluar hyrja në Shqipëri. Sipas të dhënave të mësuara nga Partia Demokratike, personi megjithëse mbahej nën vëzhgim në zonën e tranzitit ka hyrë në territorin shqiptar, madje ka dorëzuar edhe pasaportën, dhe është larguar më pas nga kabina e kontrollit kufitar, aty ku duhej të ndalohej”, theksoi Partia Demokratike.

Sipas PD-së, në aeroportin e vetëm ndërkombëtar në vend, drejtues i policisë vazhdon të jetë i afërmi i Tahirit të Ramës, edhe pas grabitjes me armë e me maska më 30 qershor në pistën e avionëve. “Këto zhvillime të përsëritura dëshmojnë edhe rënien e çdo standardi sigurie në vend. Kur del jashtë kontrollit pika kufitare e Rinasit, më e monitoruara në vend, merret me mend se si janë standardet e sigurisë në territorin e Shqipërisë”, theksoi PD-ja.

Partia Demokratike i kërkoi Policisë së Shtetit të bëjë transparencë dhe të informojë menjëherë opinionin publik në lidhje me këto të dhëna tronditëse. “Çdo vonesë në dhënien e informacionit dhe cdo fshehje e tij, e implikon dhe e bën drejtpërdrejt përgjegjës para ligjit, Edi Ramën”, theksoi PD.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat