Vetingu, 30 deputetë letër Metës për seancë të posaçme

Shqipëria

Vetingu, 30 deputetë letër Metës për seancë të posaçme

Më: 25 gusht 2016 Në ora: 10:13
Kuvendi i Shqiperise

Maxhoranca nuk humb kohë, duke kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për miratimin e projektligjit për verifikimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, i cilësuar ndryshe dhe si “Vetting”.  Sipas burimeve të gazetës “Shekulli” deputetët e maxhorancës, PS-së dhe LSI-së kanë ndërmarrë një nismë për të mbledhur seancën e jashtëzakonshme parlamentare, duke e futur votimin e draftit në një procedurës si shinave ligjore.  Mësohet se 30 deputetët e PS-së dhe LSI-së kanë firmosur një kërkesë që i është drejtuar kryesisë së Kuvendit për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme plenare. Shkresa e firmosur mesditën e e së mërkurës  i ka mbërritur në zyrë kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Në shkresën që do të depozitohet ditën e enjte në Kuvend kërkohet votimi më 30 gusht i projektligjit të “Vetting”-ut.

Duke qenë se nuk bëhet fjalë për një seancë normale që parashikohet nga kalendari i punimeve të Kuvendit, por për një seancë të jashtëzakonshme atëherë mbajtja e saj duhet të bazohet në nenin 42 të Rregullores së Parlamentit.  “ Kuvendi thirret në sesion të jashtëzakonshëm me kërkesë të motivuar me shkrim të Presidentit të Republikës, të Kryeministrit ose të paktën një të pestës së të gjithë deputetëve. Kryetari thërret mbledhjen e Kuvendit jo më vonë se 3 ditë nga paraqitja e kërkesës, mbi bazën e një rendi dite të mbledhjeve të komisioneve dhe të seancës plenare të përcaktuar prej tij”, thuhet në pikën 2 të këtij neni. PD-ja e ka kontestuar draftin e “Vettingu”-t , duke u shprehur nëpërmjet deputetit të saj, Oerd Bylykbashi se versioni i votuar të martën është antikushtetues ndërsa njoftoi se do ta apelojë atë në Gjykatën Kushtetuese, pasi sipas saj në të nuk janë reflektuar opinionet dhe sugjerimet e opozitës. Opozita kishte shprehur rezerva për 25 nenet e para të projektligjit të “Vetting”-ut duke i shoqëruar ato me 47 amendamente.

Sakaq, ndryshe nga çfarë u tha në përfundim të Konferencës së kryetarëve të grupeve parlamentare, Komisioni i Posaçëm i reformës në drejtësi nuk do të vijojë punën gjatë ditëve të mbetura të gushtit për projektligjin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe atë të institucioneve të reformës në drejtësi. Këto dy projektligje do të shqyrtohen dhe votohen në shtator. Më datën pesë shtator nis zyrtarisht dhe sesioni kuvendor i vjeshtës. Si më emergjente janë votimi i 7 projetligjeve që përbëjnë bazën e reformës në sistemin e drejtësisë. Për votimin e këtyre projekteve kërkohet një shumicë prej 84 votash. Mazhoranca e majtë, PS, LSI dhe PDIU e zotërojnë këtë shumicë të cilësuar votash.

“Vetting”-u, format e verifikimit

Me reformimin e sistemit të drejtësisë, shumë gjyqtarë dhe prokurorë rrezikojnë të humbasin vetëm punën nëse ata kanë abuzuar me detyrën. Në projektligjin e “Vetting”-ut, dorëheqja është e vetmja mënyrë që kanë prokurorët dhe gjyqtarët për t’i shpëtuar kontrollit të pasurisë, figurës dhe aftësisë së tyre profesionale. Ata që nuk duan t’i nënshtrohen “Vetting”-ut, kanë të drejtën të japin dorëheqjen dhe të largohen nga posti që mbajnë. Neni 52 i ligjit të “Vetting”-ut thekson në pikën 1 se “subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të japë dorëheqjen nga detyra jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Dorëheqja i paraqitet me shkrim Presidentit të Republikës dhe publikohet në faqen zyrtare të Internetit të këtij institucioni. Në rastin e dorëheqjes, Komisioni merr vendim për pushimin e procedurës së rivlerësimit”. Kjo duket si një lloj amnistie për gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar duke u dhënë atyre mundësinë të dalin nga skena, por me para në xhep. Pika 2 e të njëjtin nen shton se “pas dhënies së dorëheqjes, subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të përfitojë pagesë kalimtare sipas ligjit “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”.

EURALIUS, nuk tërhiqet:  Katër parimet, nuk preken

Misioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, EURALIUS, ka reaguar të mërkurën për miratimin e projektligjit të “Vetting”-ut, duke thënë se asistoi në Komisionin e Posaçëm për votimin e tij, edhe pse pa votat e opozitës së pranishme në mbledhje. EURALIUS-i forcon edhe njëherë qëndrimin e saj, se Shqipëria duhet t’i përmbahet katër parimeve thelbësore për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ai thekson se roli i misionit ndërkombëtar të monitorimit nuk duhet të reduktohet. “EURALIUS-i vuri në dukje katër parime thelbësore për anëtarësimin në Bashkimin Evropian duke theksuar: a) Nuk mund të ekzistojnë afate kohore ose kalendar për çdo çështje individuale; b) Procesi i rivlerësimit përdor informacionet, dosjet si dhe strukturat administrative ekzistuese veçanërisht të ILDKP-së; c) Roli i misionit ndërkombëtar të monitorimit nuk duhet të reduktohet; d) Bashkëpunëtorët e drejtësisë konsiderohen si një mjet i rëndësishëm për të hyrë në praktika korruptive për marrjen e provave”, thuhet në njoftimin e ditës së mërkurë të EURALIUS-it.

PD-ja po përgatit amendamente të reja për Vetingun

Megjithëse nuk e votoi të martën në Komisionin e Posaçëm të reformës, opozita po përgatit të tjera amendamente për projektligjin e “Vetting”-ut, pas 47 të parave për 25 nenet e para të draftit që paraqiti në komision. Siç duket, opozita shpreson në rivendosjen e konsensusit me maxhorancën për këtë draft, para miratimit të tij në Kuvend në seancën e jashtëzakonshme që është parashikuar më 30 gusht ku ekziston mundësia që maxhoranca ta votojë draftin vetëm me votat e saj. Mësohet se Partia Demokratike do të paraqesë një dokument të dytë me amendamente të reja për projektligjin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por ende nuk dihet se cilat janë nenet që ajo nuk bie dakord. Nuk është e qartë çfarë qëndrimi do të mbajë opozita në seancën plenare nëse maxhoranca nuk do të pranojë vërejtjet e saj mbi draftin.

Nga ana tjetër, shumica parlamentare i ka votat e mjaftueshme për të miratuar projektligjin edhe pa votat e së djathtës, pasi për “Vetting”-un nevojitet një shumicë e cilësuar prej 84 votash. Ekspertët ndërkombëtarë dhe maxhoranca thanë se demokratëve u janë pranuar të gjitha sugjerimet që gjenin dakordësinë e ekspertëve ndërkombëtarë të misionit europian EURALIUS-s dhe atij amerikan OPDAT. Por, në qëndrimin e saj opozita tha se vërejtjet e saj nuk janë marrë fare në konsideratë dhe nuk janë pasqyruar në variantin e fundit që u votua nga PS-ja dhe LSI-ja. Mes sugjerimeve të saj, tërheq vëmendjen rikthimi i besimit të PD-së te ILDKP-ja. Më parë nuk i besonin këtij institucioni kontrollin e pasurisë së prokurorëve dhe gjyqtarëve, ndërsa në amendamentet e fundit propozohet që ILDKP-ja të kontrollojë të ardhurat e vetë anëtarëve të Komisionit të “Vetting”-ut. Ndërkombëtarët, nga ana tjetër, në draftin e tyre që u miratua në Komision, ia besojnë këtë kontroll Drejtorisë së Parandalimit dhe Pastrimit të Parave.

Mçaul uron Metën për reformën në drejtësi

Miratimi i ndryshimeve kushtetuese që i hapin rrugën reformimit të sistemit të drejtësisë nuk ka kaluar pa vëmendjen e të politikanëve të huaj. Një prej tyre ka qenë edhe kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kongresin Amerikan, Michael Mçaul, i cili së fundi i ka dërguar një mesazh urimi kreut të Kuvendit Ilir Meta për punën e deritanishme. Në mesazhin e tij drejtuar Metës, kongresmeni Mçaul shpreh vlerësimin e tij për kreun e Kuvendit dhe Kuvendin e Shqipërisë për miratimin e suksesshëm të ndryshimeve kushtetuese.

Në urimin e tij, zyrtari i lartë amerikan vlerëson rolin e kryeparlamentarit në bashkimin e palëve duke e shndërruar këtë, sipas tij, në një moment historik për vendin tonë. “Si një ish-prokuror federal, unë besoj fuqimisht se sundimi i ligjit duhet të shërbejë si një gur themeli në çdo shoqëri demokratike dhe duhet të mbështetet mbi besimin, llogaridhënien dhe barazinë përpara ligjit, duke nisur nga nivelet më të larta të qeverisjes deri te profesionalizmi i zyrtarëve të zbatimit të ligjit”, thuhet në letrën e tij. Ndër të tjera, Mçaul thotë se krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit sipas modelit amerikan, është një tregues për vendosmërinë e vendit tonë në rrugën e reformave. “Gjithashtu, shpreh besimin se reforma e sapo miratuar në drejtësi do të shërbejë si një themel i qëndrueshëm mbi të cilin vendi juaj mund të vazhdojë të ecë përpara dhe mirëpres krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit në Shqipëri sipas modelit të Byrosë Federale të Hetimit në SHBA, si një tregues i rëndësishëm i vendosmërisë së Shqipërisë në rrugën e reformave”, shprehet kongresmeni. Më tej ai thekson se si dy vende anëtare të NATO-s, SHBA dhe Shqipëria duhet të punojnë së bashku për t’u përballur me çështje me interes reciprok, sikurse është lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm.

“Adresimi i këtyre çështjeve pa partneritet nuk është një opsion, prandaj mirëpres angazhimin dhe bashkëpunimin e mëtejshëm mes dy vendeve tona. Ju keni një mik dhe partner në Kongresin e Shteteve te Bashkuara, i vendosur për mirëqenien e dy vendeve tona. Përgëzime për një punë të kryer mirë”, thuhet në letrën drejtuar kreut të Kuvendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat