Basha-Engel: Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë jetike për demokracinë në Shqipërisë

Shqipëria

Basha-Engel: Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë jetike për demokracinë në Shqipërisë

Më: 1 shtator 2016 Në ora: 11:13
Lulzim Basha, Eliot Engel

(E plotësuar) - Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti sot në një takim nënkryetarin e Komitetit për Punët e Jashtme në Kongresin Amerikan, Eliot Engel, i cili shoqërohet nga personaliteti i njohur shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari dhe ambasadori amerikan, Donald Lu, thuhet në një njoftim për mediat nga zyra e shtypit e PD-së.

Kryetari i PD-së, Basha, e falënderoi kongresmenin Engel për kontributin e vyer që ka dhënë për Shqipërinë dhe Kosovën si dhe angazhimin e përhershëm për demokracinë në Shqipëri.

Kongresmeni Engel shprehu kënaqësi për ritakimin me kryetarin e Partisë Demokratike, ndërsa vlerësoi faktin që një lider i ri si Basha është duke sjellë një frymë të re në politikën shqiptare, si dhe vlerësoi kryetarin e  PD-së, Basha, për lidershipin e treguar në procesin e ndryshimeve kushtetuese si dhe sinjalin pozitiv që vullneti politik jep për integrimin europian të vendit.

“Partia Demokratike vazhdon të japë kontributin e saj dhe plotësimin e kuadrit ligjor, i cili nuk mund dhe nuk duhet të shkelë përcaktimet kushtetuese të miratuara me konsensus me 22 korrik. Ka qenë, është dhe do të mbetet angazhim parësor i Partisë Demokratike garantimi i një drejtësie të pakorruptuar që nuk mbron, por lufton krimin dhe korrupsionin. Parakusht për këtë është një drejtësi e pakapur politikisht”, tha Basha.

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, krimi dhe droga me mbështetje shtetërore si dhe korrupsioni i përhapur gjerësisht, ishin shqetësimet e ngritura nga zoti Basha në këtë takim. Gjithashtu, Basha ndau me nënkryetarin e Komitetit për Punët e Jashtme në Kongresin Amerikan, Eliot Engel, domosdoshmërinë e zbatimit të plotë të ligjit të dekriminalizimit dhe ndarjen e politikës nga krimi, si dhe e njohu me situatën e përkeqësuar të kriminalitetit në vend.

Donald Lu nuk “heq” dorë, së bashku me kongresmenin Engel takojnë Bashën dhe ish- kryeministrin Berisha

Kongresmeni i SHBA-ve Eliot Engel dhe ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri , Donald Lu po zhvillojnë një takim me kreun e PD-së, Lulzim Basha.

Ky takim vjen vetëm pak ditë pas miratimit të ligjit të Vettingut, që është hapi i parë i zbatimit të Reformës në Drejtësi.

 Partia Demokratike nuk e votoi, ndërsa ligji u miratua me 88 vota nga PS-LSI dhe PDIU.

 Pas takimit me Bashën, në orën 15:00 Eliot Engel do të zhvillojë edhe një me ish-kryeministrin Berisha.

 Eliot Engel ndodhet në Shqipëri, pasi sot do të marrë titullin 'Qytetar Nderi' i Lezhës.

 Kongresmeni i SHBA do të nderohet për rolin e luajtur në forcimin e miqësisë mes Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Bashkia Lezhë dhe Këshilli Bashkiak nderojnë dy personalitete të njohura për kontributin e mbrojtjes së çështjeve të shqiptarëve

1- Z. Eliot Engel , Qytetar Nderi i Lezhës

2- Z. Harry Bajraktari, Mirënjohje e Bashkisë Lezhë

Bashkia Lezhë, njofton se me datë 1 Shtator 2016, ora 12:00 në prani të Këshillit Bashkiak, Kryetarit të Bashkisë, deputetëve të qarkut ,të ftuarve dhe miqve, organizon brenda zonës Memorialit të heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, një veprimtari nderuese të Kongresmenit Amerikan, Kryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri – Amerikë në Kongres, të nderuarin Z. Eliot Engel.

Zoti Eliot Engel, një mik i rrallë i shqiptarëve në tërë Ballkanin dhe më gjerë ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e miqësisë së vendit tonë me aleatin tonë më të madh strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai, po ashtu, është i njohur për ndihmesën e dhënë në Kongresin dhe në Administratën Amerikane për çlirimin e Kosovës dhe më pas njohjen e Pavarësisë së saj nga SHBA. Kongresmeni Engël shoqërohet nga Z.Harry Bajraktari, një aktivist i njohur shqiptaro – amerikan i çështjes shqiptare për dekada të tëra. Veprimtarinë e nderon Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, SHTZ. Donald Lu.

 Këshilli Bashkiak i Lezhës me vendim Nr. 182 dhe 183 datë 29.08.2016 i ka nderuar këta dy personalitete me titujt:

 Z. Eliot Engel – Qytetar Nderi i Lezhës

Z. Harry Bajraktari – Mirënjohje e Bashkise së Lezhës.

Ky vlerësim do të memorizohet në kujtesën historike të qytetit të Besëlidhjes!”, njofton bashkia e Lezhës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat