Ilir Meta pret Kongresmenin Engel: Mirënjohje për mbështetjen e jazhtëzakonshme

Shqipëria

Ilir Meta pret Kongresmenin Engel: Mirënjohje për mbështetjen e jazhtëzakonshme

Më: 2 shtator 2016 Në ora: 15:10
Ilir Meta, Eliot Engel, Donald Lu

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot në Kryesinë e Kuvendit Kongresmenin Amerikan Eliot Engel, i cili shoqërohej prej Ambasadorit të SHBA në Shqipëri Donald Lu dhe aktivistit të njohur të diasporës shqiptare në SHBA, Harry Bajraktari.

Kryetari i Kuvendit Meta e falënderoi Kongresmenin Engel për mbështetjen e tij të jashtëzakonshme në vite, si dhe të Kongresit Amerikan ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar, duke vënë në dukje edhe rolin e tij të veçantë në mbështetje të njohjeve ndërkombëtare të shtetit të Kosovës. 

Duke biseduar mbi zhvillimet e fundit politike në vend, Kongresmeni Engel vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria dhe në veçanti miratimin e paketës kushtetuese për reformën në drejtësi. Në këtë kontekst, Kongresmeni Engel vlerësoi rolin e rëndësishëm të Kryetarit të Kuvendit z. Meta për miratimin me konsensus të paketës kushtetuese gjatë muajit korrik. 
Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fortë të SHBA në forcimin e institucioneve demokratike të Shqipërisë dhe në veçanti për reformën në drejtësi, e cila është kyçe jo vetëm për avancimin e vendit drejt Bashkimit Evropian, por edhe për luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, dhe për rritjen e besueshmërisë së investitorëve të huaj si dhe për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri. 

Kryetari i Kuvendit Meta dhe Kongresmeni Engel biseduan edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon duke evidentuar rolin konstruktiv të Shqipërisë, dhe në përfundim të takimit ndanë bindjen e përbashkët se miqësia e fortë dhe e natyrshme shqiptaro-amerikane është një bazë solide për zhvillimin dhe konkretizimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve në të ardhmen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat