Meta pret Kate Gilmore, "Deklarata e Tiranës" për sfidat e refugjatëve

Shqipëria

Meta pret Kate Gilmore, "Deklarata e Tiranës" për sfidat e refugjatëve

Më: 7 shtator 2016 Në ora: 16:55
Ilir Meta, Kate Gilmore

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti Zëvendës Komisioneren e Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara, znj. Kate Gilmore e cila merr pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë të organizuar nga Avokati i Popullit të Shqipërisë me temë: “Sfidat e Institucioneve të Ombudsmanit përballë flukseve të përziera migratore”

Kryetari i Kuvendit e njohu Komisioneren Gilmore me përpjekjet që po bën Shqipëria dhe Kuvendi në veçanti lidhur me çështjet e të drejtave të Njeriut si një nga prioritet e vendit, jo vetëm për të garantuar të drejtat universale, por dhe si përmbushje të kritereve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Shqipëria i kushton një vëmendje të veçantë të drejtave të fëmijëve, barazisë gjinorë, zbatimit në praktikë të parimeve universale dhe mosdiskriminimit, duke theksuar se të drejtat e njeriut janë te barabarta dhe njëlloj të zbatueshme për të gjitha qeniet njerëzore, pavarësisht përkatësisë etnike, racës, orientimit seksual, luftës ndaj fenomeneve të lidhura më ekstremizmin e dhunshëm dhe me promovimin e tolerancës dhe bashkëjetesës paqësore midis komuniteteve, si dhe respektimi dhe promovimi i të drejtave të personave që u përkasin minoriteteve”, tha Meta.

Kryetari i Kuvendit shprehu besimin se Shqipëria do të vazhdojë të jetë një shembull i mirë i bashkëjetesës fetare dhe respektimit të drejtave të njeriut si dhe do të vazhdojë të kontribuojë në të gjitha nivelet e përfaqësimit për të përballuar këto sfida të veçanta.

Meta u shpreh se Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar disa ligje të veçanta për sigurimin dhe përshtatjen me praktikat më të përparuara të DNJ, duke zbatuar me kujdes dhe vazhdimësi rekomandimet e raporteve të Kombeve të Bashkuara për DNJ.

Komisionerja Gilmore, vlerësoi përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për garantimin e DNJ, rolin e Parlamentit dhe Kryetarit Meta për angazhimin e tij personal në përcaktimin e axhendave parlamentare në përmbushje të rekomandimeve dhe zbatimit të mekanizmave të koordinimit të Raporteve Kombeve të Bashkuara për DNJ.

“Jemi krenare për progresin e Shqipërisë si anëtare e rëndësishme e KDNJ në garantimin dhe zbatimin e politikave kombëtare në respektimin dhe sigurimin e të drejtave të barabarta për çdo qytetar.  Garantimi i të drejtave themelore, për arsimim, punësimi, lirinë e shprehjes, barazinë gjinore, respektimin e të drejtave për minoritet, janë padyshim një progres për të cilat Shqipëria vlerësohet në veçanti. Ju jeni një vend me emigracion dhe që keni pritur refugjatë gjatë krizës së luftës në Kosovë dhe Konferenca e zhvilluar në Tiranë nga Avokati i Popullit me pjesëmarrjen e gjerë nga e gjithë bota, tregon për rëndësinë që ka Shqipëria dhe shembulli i saj në përballimin e këtyre sfidave”, tha znj. Kate Gilmore.

Zëvendës Komisionerja e Lartë për të Drejtat e Njeriut theksoi se Deklarata lidhur me sfidat migratore dhe të refugjatëve, “Global Challange on Migration and Refugies”, e cila pritet të miratohet, do të quhet Deklarata e Tiranës dhe përveç rëndësisë së saj të madhe,  do t’i japë Shqipërisë një vizibilitet në mbarë botën si një shembull i shkëlqyer i angazhimeve të saj në arenën globale për një çështje madhore si të Drejtat e Njeriut.

Znj. Gilmore u shpreh se përfshirja e Kuvendit si zëri i qytetarëve në mbrojtjen, informimin dhe përfaqësimin e publikut duhet të jetë i vazhdueshëm për të arritur kështu në sensibilizim dhe edukimin e cilido me njohjen dhe respektimin e të Drejtave të Njeriut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat