Deputetët, akuza bankave: Po bëheni milionerë me kreditë

Shqipëria

Deputetët, akuza bankave: Po bëheni milionerë me kreditë

Më: 9 shtator 2016 Në ora: 09:32
Komisioni Parlamentar i Ligjeve

Rritja e kredive të këqija në Shqipëri ka ardhur për shkak të abuzimeve që bëhen nga bankat, duke qenë ato të vetmet gjeneruese të kredive me probleme.

Kanë qenë deputetët e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, gjatë diskutimit të ligjit të falimentit, që akuzuan punonjësit e bankave si përgjegjësit kryesorë të shtimit të kredive të këqija. Kreu i Komisionit, Fatmir Xhafaj, u shpreh se ndryshimet e ligjit nuk e zgjidhin problemin e kredive të këqija, pasi përgjegjës për to janë oficerët e kredive, të cilët kanë përfituar financiarisht nga procesi.

“Argumentet që dhatë ju nuk janë bindëse, se është e vërtetë se mund të bëni 1, 2 apo 3 ankande, mund të ulni 20 apo 30% vlerën, por problemi i kredive të këqija me këto masa nuk arrin të zgjidhet plotësisht. Kjo sepse në vlerësimin e parë të pronës, banka me aksionerët e saj mund t’i kenë politikat e shëndetshme, por njerëzit që janë aty në banka, disa prej tyre mund të jenë bërë milionerë me këtë, më shumë sesa debitori i vetë për shkak të këtyre proceseve”, u shpreh Xhafaj.

Bankat kanë dhënë kredi me kolaterale jo të sakta, duke shmangur detyrimet ligjore. Sipas deputetëve, ndërkohë që rriten kreditë e këqija dhe ka procese ligjore, nuk ka asnjë akuzë për drejtuesit e bankave, se përse janë dhënë kredi kur nuk duhet të jepeshin.

“Edhe për bankat është çështje e vlerësimit të riskut që e kanë çuar gjendjen në këtë nivel se oficerët e kredive të bankave janë ata që i kanë bërë këto, nuk i kemi bërë ne kreditë e këqija”, shpjegoi Xhafaj.

Deputetët ngritën edhe shqetësimin për shitjen e kolateralit, ku sipas tyre duke shitur pronën e qytetarëve me 20 për qind apo 30 për qind të vlerës, bankat zgjidhin vetëm hallin e tyre, pasi ndryshimet e ligjit nuk lejojnë që qytetarët të ankohen mbi vlerësimin.

Edhe deputeti i opozitës, Eduard Halimi, tha se ndryshimet e propozuara nuk e zgjidhin problemin e kredive, pasi problemi është te vlerësimi i koletaralit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat