Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj betohet para Presidentit Nishani

Shqipëria

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj betohet para Presidentit Nishani

Më: 9 shtator 2016 Në ora: 16:55
Pamje nga ceremonia e betimit

 Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj bëri sot betimin para Presidentit të Republikës, Bujar Nishani.

Kuvendi miratoi dje me 73 vota pro dekretin e Presidentit që emëron Sokol Dervishaj në postin e ministrit të ri të Transportit dhe Infrastrukturës. Para marrjes së kësaj detyre ai ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë.

Dervishaj zëvendëson në këtë post Edmond Haxhinaston, i cili dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Transporteve më datë 2 shtator, ku siç tha ai, largohet për t’u fokusuar më shumë në strukturat e LSI-së..

Kush është Sokol Dervishaj:

Sokol Dervishaj është anëtar themelues dhe anëtar i Kryesisë i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ka ushtruar detyrën e Zv.Ministrit të Punëve të Jashtme, Zv.Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, si dhe ka qenë i zgjedhur Kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Master në Studime Ndërkombëtare në “King’s College” (Londër), Studime Strategjike në Kolegjin Mbretëror të Studimeve të Mbrojtjes (Londër), ka ndjekur Kursin e Nivelit të Lartë në Kolegjin Mbretëror të Shkencave Ushtarake (Britani e Madhe), Politika Publike në Shkollën e Qeverisjes të Universitetit të Harvardit. Ka ndjekur Programin e Marrëdhënieve Trans-Atlantike të “German Marshall Fund” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe Programin e Lidershipit të Vizitorit Ndërkombëtar të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat