Edi Rama, përgjigje “flakë për flakë” komenteve në “Facebook”

Shqipëria

Edi Rama, përgjigje “flakë për flakë” komenteve në “Facebook”

Më: 4 tetor 2016 Në ora: 12:35
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama është bërë gjithnjë e më shumë aktiv në rrjetet sociale dhe prej ditësh i përgjigjet “flakë për flakë” pothuajse çdo komenti në profilin e tij zyrtar. Debati madhor mes Ramës dhe komentuesve mbetet ai për lejimin e importit të mbetjeve, ndërsa nuk mungojnë edhe një seri shqetësimesh që qytetarët shprehin.

Ka mjaftuar një video e postuar nga kryeministri mbi ndryshimet në Muzeun e Mesjetës në Korçë, që qytetarët të rinisin kritikat dhe pyetjet për shumë e shumë probleme.

Pjesë nga replikat e Ramës me qytetarët

Elton Piero: Ti rilindjen e kupton me ndryshimin e modelit të flokëve nga ballaboks në skorpions, me sa duket! Të rilindësh, më së pari, duhet të lahesh e të pastrohesh. Të mbushesh barkun. Të vishësh me ca rroba të pastra. Të mësosh të flasësh europiançe, e pastaj të mendosh për look-un sipas modës. Unë kështu e mendoj rilindjen.

Edi Rama: Elton, jam shumë dakord dhe ja si e “përkthej” unë parukerinë tënde linguistike: Të lahesh nga borxhet; të pastrosh pisllëkun që nuk i lë sektorët të marrin frymë; të mos ngopësh duke marrë borxh të ardhmen e fëmijëve, po të ushqehesh me aq sa arrin të shtrosh në tryezë; të reformosh mënyrën e organizimit të jetesës pa u munduar të dukesh ai që nuk je, po për t’u bërë ai që dëshiron të jesh; të mos biesh viktimë e mllefit po të ruash pastërtine e gjuhës; dhe natyrisht të ecësh me ritmin e kohës. Nëse do ta shohësh këtë “përkthim” sektor për sektor, ti do kuptosh se rilindjen e kuptojmë njësoj dhe ajo që unë bëj, është ajo që ti mendon.

Elion Tahiri: Thesar i thua mbeturinave më duket, eh të mjeret ne çfarë politikanësh që kemi.

Edi Rama: S’ke faj Elion, 25 vjet shkolla u bë hajgare dhe kështu sot, thesareve u thuhet mbeturina! Prandaj duhen reformat me themel, që gjenerata tjetër të mos ngatërrojë thesaret me mbeturinat!

Flori Isufi: Ça kryemistri je me që lavdëron vetëm ata që të votuan, ndërsa ata që s’të votuan i flet me ironi dhe mllef.

Edi Rama: Gabim e ke lexuar çka kam shkruar, por s’të vë faj jo, veç të them që s’kam asgjë me ata që s’më votuan, po mllefit i them mllef e aq!

Hektor Ferrunaj: Dëgjova që rruga e Lumit të Vlorës fillonte në tetor, po mund të na e thoni pak vitin Z.Kryeministër?

Edi Rama: Pse mbaroi tetori Hektor?!

Elvis Hoxha: Mos u bëj kaq i ngushtë, km i vendit nuk punon për inat të mllefxhinjve, por për besimin që i ka dhënë populli. Dhe jo vetëm fasada e bojëra,vendi ka nevojë për strategji zhvillimi.

Edi Rama: Nëse ky muze të duket fasada dhe bojëra Elvis, nuk është faji im, ashtu siç nuk është faji im nëse ti nuk i sheh investimet në kulturë të lidhura me zhvillimin ekonomik e social! Sa për mllefxhinjtë, kur lexon një tekst, mos mbaj mend vetëm nje fjali, po edhe të tjerat, nëqoftëse nuk do që të humbasësh kontekstin.

Alketa Hasanaj: Ju lumtë zoti Rama, po mos harroni se ka edhe shumë gjëra më të rëndësishme për popullin sesa muzeu. Shihni rrogat minimale dhe pensionet në krahasim me çmimet stratosferë. Më shtrenjtë në Shqipëri me lekë, sesa jashtë me euro.

Edi Rama: Të mendosh që muzeumet dhe ekonomia nuk kanë lidhje mes tyre është njësoj si të mendosh se s’ka asnjë lidhje mes shpirtit dhe barkut! Kultura është edhe ekonomi Alketa, prandaj mos përjashto të parën kur flet për të dytën! Dhe mos u ngut, do t’i rrisim edhe pensionet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat