Veliaj: Vitin tjetër i japim fund shkollave me dy turne

Shqipëria

Veliaj: Vitin tjetër i japim fund shkollave me dy turne

Më: 20 tetor 2016 Në ora: 16:56
Erion Veliaj

Bashkia e Tiranës ka përfunduar investimin për ndërtimin e fushave moderne sportive në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli”, që mund të përdoren për basketboll, futboll dhe sporte të tjera, si nga nxënësit, ashtu edhe nga komuniteti i Njësisë nr. 2. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vlerësoi standardet e punimeve, ndërsa theksoi rëndësinë që po i kushton bashkia edukimit të fëmijëve.

“Jam shumë i lumtur që përfundojmë një investim fantastik, ndoshta më të mirin sportiv në shkollat e Tiranës, në një shkollë që e meriton si shkolla “Fan Noli”. Është një investim me fusha moderne për përdorim të shumëfishtë, jo vetëm për basketboll, por edhe për futboll e sporte të tjera, si karate, taekëondo, mundje, të gjitha aktivitetet sportive”, tha ai. Veliaj solli në vëmendje edhe një sërë investimesh të tjera që janë duke u kryer në njësinë nr. 2, siç është ndërtimi nga e para i shkollës “Hoxha Tahsin”.

“Kjo shkollë është pjesë e një game investimesh në njësinë 2. Javën tjetër hapim Liceun, ndërkohë që kemi hedhur themelet për rindërtimin e shkollës ‘Hoxha Tahsin’. Ndërkohë që, sapo kemi nisur shpronësimin e shkollës “Kosova” për ta bërë edhe atë të re dhe besoj që njësia 2, në fund të këtij mandati do të ketë, jo vetëm shkollat më të mira në qytetin e Tiranës, por me shumë gjasa edhe në Republikë”, u shpreh kryetari i bashkisë. Veliaj theksoi se investime të tilla janë një mundësi më shumë për të edukuar një jetë të shëndetshme për fëmijët, të cilët në këtë mënyrë nxiten të lenë kafenetë e pikat e basteve dhe të merren me sport.

“Dua shumë që bashkë me drejtoreshën, pedagogët dhe instruktorët të bashkëpunojmë që komuniteti të ketë akses në këto terrene. Jemi shumë të vëmendshëm që fëmijët, sidomos të rinjtë, të largohen nga kafet, nga pikat e basteve, nga kazinotë dhe këtë energji ta përdorin për të qëndruar të shëndetshëm, si dhe për të kaluar kohën në një mjedis më pozitiv. Më vjen mirë që po përgatisim një kalendar ku edhe komuniteti të ketë akses si banor, ish-banor i kësaj lagje, si dikush që voton në këtë shkollë, më vjen mirë se gjithmonë më është dashur të kuptoj se si politikanët shkojnë nëpër shkolla vetëm për ditën e votimit dhe nuk vënë re se në ç’gjendje janë ato”, tha ai. Veliaj solli sërish në vëmendje angazhimin e Bashkisë për ndërtimin e 20 shkollave të reja, që brenda këtij mandati mos ketë më mësim me dy turne në asnjë prej shkollave të kryeqytetit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat