Ekonomi: Diaspora rol fondamental në zhvillimin e ekonomisë shqiptare

Shqipëria

Ekonomi: Diaspora rol fondamental në zhvillimin e ekonomisë shqiptare

Më: 19 nëntor 2016 Në ora: 13:10
Samiti i Diasporës Shqiptare

Kur një pjesë e madhe e diasporës shqiptare nisën shtegtimin drejt Shqipërisë për të krijuar urat ndërvepruese që çojnë në zhvillimin e mëtejshëm të saj, qeveria shqiptare kishte bërë gati një kuadër rregullator administrativ e fiskal për të lehtësuar çdo inisiativë të tyre.

Kjo u bë e ditur në diskutimin e ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Milva Ekonomi, para diasporës shqiptare në një takim të zhvilluar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

Diaspora shqiptare në takimin e Tiranës nuk po shikohet vetëm si një mundësi për të sjellë përvojën e kursimet e tyre në Shqipëri, por edhe si një urë informuese e promovuese tek investitorët potenciale në vendet ku ata jetojnë e punojnë. Sot falë këtyre reformave, raporte të institucioneve financiare ndërkombëtare e vlerësojnë Shqipërinë si vendin me konkurrues në rajon.

Të vish si investitorë në Shqipëri mjafton të kesh një ide, iu drejtua Ekonomi të pranishmëve. “Vjen, e diskuton dhe për të çuar përpara këtë ide ne kemi ngritur një agjenci, që është AIDA, e cila funksionon si dritare unike ku të ndihmon për të marrë një procedurë të asistuar apo përshpejtuar dhe në momentin që fiton një status të këtij lloji, i gjithë kabineti ministror vihet në dispozicion të këtij investitori të rëndësishëm”, shpjegoi Ekonomi.

Ajo vlerësoi se mundësitë për të investuar në Shqipëri janë të mëdha, duke qënë se Shqipëria ka një forcë punëtore të re në moshë, e arsimuar dhe me vitalitet. Raportet ndërkombëtare, tha më tej ajo, tregojnë që është konkurruese krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, sa i takon pagës mesatare e asaj minimale.

Në Shqipëri po ndodhin revolucione të vogla, informoi Ekonomi, duke iu referuar QKB-së, sportel në të cilin mjafton të kryesh një klikim online për të hapur e regjistruar një biznes. Ka një kuadër rregullator lehtësues për këdo që do të dëshirojë të investojë në Shqipëri duke përdorur incentiva fiskale. Rast konkret ministrja përmendi kontratat me qera një euro për objektet apo hapësirat që do të përdoren për investime, përjashtimin e makinerive dhe pajisjeve nga TVSH-ja, për ata që duan të sjellin industri e të zhvillojnë atë. Për ata që duan të transferojnë know how për një sektor të caktuar , ministrja tha se ka një skemë të ndihmës që lidhet me përjashtimin nga detyrimi i sigurimeve shoqërore për pagat e punëtorëve të rinj që merren për tu formuar për një periudhë 6 mujore.

Këto masa të marra nga qeveria shqiptare në kuadër të krijimit të një stabiliteti financiar e fiskal, sipas ministres Ekonomi, janë evidentuar edhe në rankimet e institucioneve ndërkombëtare e financiare.

“Organizata botërore si Banka Botërore dhe FMN tregojnë se rritja ekonomike e Sshqipërisë është e ngadaltë por e qëndrueshme dhe tregojnë se Shqipëria këtë vit shënon një rritje ekonomike 3.2 % dhe në 2017 parashikohet që rritja ekonomike e Shqipërisë të jetë më e larta në Ballkan 3.7 %, ose vendi me shifrën e dytë më të madhe në vendet e Europës Lindore dhe Qëndrore”, deklaroi Ekonomi.

Ajo iu referua edhe indeksit të konkurrueshmërisë që është një indeks që prodhohet nga OECD. Shqipëria sipas OECD-së, është një vend që po ja del mirë. OECD e rankon Shqipërinë në vendin e 80 nga 138 ekonomi të botës. Për vitin e kaluar Shqipëria ka fituar 13 pozicione. Edhe Fondacioni Haritage vlerëson se Shqipëria është një vend që ka shënuar përmirësim në lirinë ekonomike.

Po ashtu, indeksi i progresit social, tregues që vjen nga BB tregon se Shqipëria është rankuar në vendin e 52 nga 68 vende, ku gjithë ekonominë të botës që rankohen këtu janë 160.

Transparency international përmes matjes që bën barometri global për korrupsionin këtë vit, vëren se Shqipëria ka rritur luftën ndaj korrupsionit dhe percepsioni i popullit tregon që vendi ynë rankohet më mirë në Ballkan madje më mirë se sa masatarja e vendeve të BE-së.

Këto, sipas ministres Ekonomi, u vlerësuan edhe nga Bashkimi Europian në raportin e progresit dhe përmes rekomandimit që i dha Shqipërisë për hapjen e negociatatave. “Këto që ne shikojmë në komentet e ndërkombëtarëve tregojnë për një rritje ekonomike dhe zhvillim që ka marrë Shqipëria, tregojnë se vendi është duke shkuar në drejtimin e duhur, qoftë kjo referuar investimeve të huaja , rritjes ekonomike apo uljes së papunësisë”, tha ministrja Ekonomi.

Ministrja Ekonomi bëri një prezantim të shkurtër edhe të disa investimeve nga diaspora shqiptare, që tashmë sipas saj, janë kthyer në histori suksesi. Raste të tilla janë në industrinë e përpunimit të peshkut, fasonerisë, apo përpunimit të peletit në Bulqizë. Këto, tha ajo, janë histori suskesi, ku diaspora shqiptare ka marrë njohuri në vendet e BE-së apo SHBA dhe i ka sjellë këtu. Mundësitë për të nvestuar, u shpreh më tej, janë në industrinë e minerareve, bujqësi, turizëm, etj. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat