Propozimi i 3 deputeteve: Mësuesve t'u bëhet testi i mendjes çdo 5 vjet

Shqipëria

Propozimi i 3 deputeteve: Mësuesve t'u bëhet testi i mendjes çdo 5 vjet

Më: 23 nëntor 2016 Në ora: 09:29
Ilustrim

Një grup deputetesh ka kërkuar ndryshimin e ligjit për arsimin parauniversitar sa u përket procedurave të punësimit të mësuesve. Në projektligj përcaktohet që mësuesit që do punësohen duhet t’i nënshtrohen një kontrolli psiko-emocional te psikiatri dhe psikologu.

Po ashtu, ligji prek edhe mësuesit që janë të punësuar, pasi edhe ata duhet që brenda vitit nga hyrja në fuqi e këtij ligji t’i nënshtrohen këtij kontrolli psiko-emocional. Ndryshimi i ligjit është kërkuar me propozim të tre deputeteve femra, përkatësisht Majlinda Bregu, Albana Vokshi dhe Mesila Doda.

Në relacionin që deputetet kanë dorëzuar në Kuvend, sqarohen arsyet përse është kërkuar ndryshimi i ligjit, dhe kryesore sipas tyre është shtimi i rasteve të dhunës që ushtrojnë mësuesit ndaj nxënësve. Të gjithë ata mësues që nuk e kalojnë me sukses vlerësimin psiko-emocional, humbasin të drejtën e ushtrimit të profesionit.

 “Qëllimi i projektligjit është futja e vlerësimit psiko-emocional në sistemin tonë arsimor, në mënyrë që të gjithë mësuesit dhe edukatoret të jenë të ‘kontrolluar’ psikologjikisht dhe emocionalisht. Studimet kanë treguar se ushtruesit më të ashpër të dhunës fizike në shkollë janë mësuesit, ndërsa ushtrueset më të ashpra të dhunës emocionale janë mësueset.

Ky nuk është fenomen përgjithësues, por ne besojmë se qëllimi i legjislacionit është efekti parandalues dhe ndëshkues, duke krijuar mundësi për realizimin efektiv të të drejtave të fëmijëve”, theksohet në raportin e nënshkruar nga tri deputetet, Doda, Vokshi dhe Bregu. Më tej janë të gjitha ndryshimet e propozuara në ligjin nr. 69/ 2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”.

“‘Vlerësimi psiko-emocional’ është procesi i mbledhjes së informacionit në lidhje me një person brenda një shërbimi psikologjiko-psikiatrik, me qëllim për të përcaktuar një diagnozë. Vlerësimi përfshin informacion social dhe biografik, vëzhgime të drejtpërdrejta dhe të dhëna nga analiza psikologjike.

Ky vlerësim kryhet zakonisht nga një psikiatër, por mund të jetë një proces multidisiplinor që përfshin infermierë, psikologë, punonjës socialë etj.”, përcaktohet në një ndër pikat e projektligjit.

Në nenin 57 bëhen këto shtesa: Pas pikës 4 shtohen pikat 4/ 1 dhe 4/2 me këtë përmbajtje: “1. Mësuesi i arsimit parashkollor, i arsimit fillor dhe i arsimit të mesëm ka të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesit pasi të ketë përmbushur kriteret e parashikuara në pikat 1, 2, 3 dhe 4 të këtij neni si dhe pasi të ketë kaluar me sukses testin psiko-emocional. 2. Vlerësimi psiko-emocional për mësuesit që kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit zhvillohet çdo 5 vjet.

Kriteret dhe mënyra e zhvillimit të vlerësimit përcaktohen me udhëzim të ministrit”. Ndërkohë që, ata mësues që nuk kalojnë me sukses vlerësimin psiko-emocional, humbasin vendin e punës dhe të drejtën e ushtrimit të profesionit. Në ndryshimet e propozuara nga deputetet Bregu, Doda dhe Vokshi përcaktohet se:

“Institucionet apo ekspertët psikologë të licencuar që kryejnë vlerësimin psikoemocional, përzgjidhen në bazë të kritereve dhe procedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.” Ndërsa në nenin 5 të këtij drafti përcaktohet se: “Mësuesit, të cilët në rastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, ushtrojnë profesionin, kryejnë vlerësimin psiko-emocional, brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat