Ministri Bushati: PD të ndalë fletë-rrufetë në kryeqytetet e Europës

Shqipëria

Ministri Bushati: PD të ndalë fletë-rrufetë në kryeqytetet e Europës

Më: 28 nëntor 2016 Në ora: 19:19
Ministri Bushati dhe Kryeministrit Rama në takim me Kancelaren Angela Merkel në Berlin

Ministri Bushati thotë se takimi mes Kryeministrit Rama dhe Kancelares Angela Merkel në Berlin konfirmoi progresin e qenësishëm që ka bërë vendi ynë në rrugën e vështirë të reformave demokratizuese dhe procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Siç konfirmon Raporti i Komisionit Europian shoqëruar me rekomandimin për çeljen e bisedimeve për anëtarësim, zbatimi i menjëhershëm i ligjit të vettingut mbetet thelbësor për uljen në tryezën e bisedimeve. Ndërkohë që puna e nisur me përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe dhe prirja pozitive e tre viteve të fundit konfirmuar në vlerësimet e Komisionit Europian duhet të vijojë me ritëm të pandërprerë”, shkruan Bushati në "Facebook".

Ai thotë se edhe Partia Demokratike tani duhet të dëshmojë mbështetjen e kontributin për këtë proces përmes veprimesh konkrete e jo fjalësh boshe.

“Tanimë shpresoj që për këdo të jetë e qartë ecuria, metodologjia, kriteret, pritshmëritë dhe kushtëzimet demokratike të këtij procesi, përfshirë edhe Partinë Demokratike. E cila mund ta dëshmojë mbështetjen e kontributin për këtë proces përmes veprimesh konkrete e jo fjalësh boshe. Duke ndaluar fletë-rrufetë që ushqejnë lloj-lloj të pavërtetash nëpër kryeqytetet kryesore të Europës. Duke zhbllokuar ligjin e vettingut. Duke u përfshirë në një proces të njëmendtë për zbatimin e arkitekturës së re në drejtësi. Duke mos u bërë njësh kësisoj me sindikatën e drejtësisë. Ky moment është gjithashtu test për pjekurinë tonë politike. Për të ndarë një herë e mirë interesin meskin nga objektivi kombëtar dhe aspirata e përbashkët europiane”, shkruan Bushati në Facebook.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat