Prokuroria kërkon largimin e Roshit, si dhe deputetëve Tahiri e Selami

Shqipëria

Prokuroria kërkon largimin e Roshit, si dhe deputetëve Tahiri e Selami

Më: 20 dhjetor 2016 Në ora: 15:06
Elvis Rroshi

Prokuroria e Përgjithshme  ka dalë në përfundimin se dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit, në bazë të ligjit për “Verifikimin e Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” ose te njohur ndryshe si Ligji i “Për Dekriminalizimin”.

“Sektori i posaçëm i “Verifikimit të Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” në Prokurorinë e Përgjithshme, në bazë të kërkesave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka kryer verifikim të thelluar, në bazë të të cilit ka konkluduar se janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të detyrës, funksionarët:Dashamir Tahiri, me funksion ‘Deputet’, Shkëlqim Selami, me funksion ‘Deputet’, Elvis Rroshi, me funksion Kryetar i Bashkisë Kavajë”, thuhet në deklaratën për media.

Në mënyrë të përmbledhur, Sektori i “Dekriminalizimit” në Prokuroria e Përgjithshme ka siguruar të dhënat, si vijon:

Shtetasi Dashamir Tahiri, me funksion “Deputet” rezulton se nuk ka deklaruar në formularin e “Dekriminalizimit” të dhëna:

Në vitin 1995 është raportuar nga policia në Foggia për krime lidhur me falsifikimin e parave;
Në vitin 2009 është dënuar nga Gjykata në Ravena (për të vuajtur 9 muaj burgim) për përdorim të një leje drejtimi shqiptare të falsifikuar.
Subjekti është kontrolluar disa herë nga policia;

Subjekti Tahiri ka dhënë shpjegimet e tij në Sektorin e “Dekriminalizimit”, duke deklaruar se nuk ka qenë në dijeni të dënimit me burgim në Ravena. Ndërsa, lidhur me procedimin për “fallsifikim parash”, ka deklaruar se bëhet fjalë për një episod në autostradë, kur ai është mashtruar nga një kamarier lokali, i cili i ka dhënë para fallse.

Shtetasi Shkëlqim Selami, me funksion “Deputet”, rezulton se nuk ka deklaruar në formularin e “Dekriminalizimit” të dhëna për një masë sigurimi “arrest me burg”, nxjerrë ndaj tij nga ana e gjykatës së Brindizit, si i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale që merrej me “Trafikim të qënieve njerëzore”.  Masa ndaj tij është dhënë në vitin 1994 dhe është ekzekutuar në vitin 2006.  Në kuadër të kësaj mase, ai ka qëndruar një javë në paraburgim në Brindizi dhe më pas është lënë i lirë, në vijim të hetimit.

Shtetasi Elvis Rroshi, me funksion kryetar i Bashkisë Kavajë, rezulton se nuk ka deklaruar në formularin “Për Dekriminalizimin”, si vijon:

Një dënim për veprën penale të “Përdhunimit” në grup, në vitin 1995 në Itali

Nuk ka deklaruar përdorimin e disa emrave në Zvicër

Në prill 1993 ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtetin zviceran dhe ka kërkuar azil, 14 maj 1993, është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast droge dhe është dëbuar 4 muaj më vonë.

Në korrik 1997 ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil. Në gusht 1997 është dëbuar sërish.

Në vitin 2015 DEA/US , ka informuar autoritetet zvicerane se po hetonin një shtetas të quajtur Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat