Loja me numrat, maxhorancës i shtohet 1 deputet pas largimit të Dash Tahirit

Shqipëria

Loja me numrat, maxhorancës i shtohet 1 deputet pas largimit të Dash Tahirit

Më: 21 dhjetor 2016 Në ora: 08:01
Deputetët

Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit për dy deputetët Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami pritet të rrisë numrin e votave të maxhorancës. Pritet që numri i deputetëve që votojnë për maxhorancën të shkojë në 90, ndërsa Partia Demokratike të bjerë në 44, raporton “Panorama”.

Edhe pse fitoi si deputet i PDIU-së në zgjedhjet e 2013, Tahiri, pas kalimit të kësaj partie me maxhorancën qeverisëse, vijoi të qëndronte në koalicionin opozitar, duke u bërë pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Por heqja e mandatit të tij nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme, do të sjellë futjen në Parlament të kandidatit të listët së Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet në qarkun e Vlorës.

I dyti në këtë listë pas Dashamir Tahirit është Edmond Zejno. Në këtë mënyrë, një deputet i ikën Partisë Demokratike dhe i shtohet PDIU-së, koalicionit qeverisës.

PDIU bëhet me 6 deputetë, PS 60, LSI 20 deputetë, ndërsa për maxhorancën qeverisëse votojnë edhe deputetët Tom Doshi, Armando Prenga, Mirela Ferracaku dhe Mhill Fufi, raporton “Panorama”.

Deputeti i LSI-së Shkëlqim Selami, nëse do t’i hiqet mandati, do të zëvendësohet nga Flamur Çelaj ose Katina Gogo të LSIsë, që vijojnë listën e kandidatëve për qarkun e Vlorës për këtë parti.

VENDIMI

Burime nga KQZ-ja thanë dje se, edhe pse Prokuroria mund të propozojë heqjen e mandatit për një deputet apo të zgjedhur vendor, vendimmarrja për këtë propozim është ekskluzivitet i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Nga momenti i depozitimit të këtij propozimi nga Prokuroria e Përgjithshme, KQZ ka 10 ditë afat për të vendosur nëse do t’ua heqë ose jo mandatin deputetëve Tahiri e Selami dhe kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi. Para se të hynte në fuqi ligji për dekriminalizimin, deputeti socialist i qarkut të Lezhës, Arben Ndoka, dha dorëheqjen. Përmes një letre drejtuar Grupit Parlamentar socialist, ai iu përgjigj akuzave të bëra nga opozita për dënime penale në Itali.

Image

Ai shprehej në letrën e tij se do të bëjë çdo përpjekje që Partisë Socialiste dhe publikut shqiptar t’i sjellë një vendim gjykate italiane, ose atë të Strasburgut, që do të vërtetonte pafajësinë e tij ndaj akuzave që rëndojnë mbi të. Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka kërkuar vazhdimisht vazhdimin e procesit të dekriminalizimit.

“Ajo që ne vlerësojmë nuk është retorika, por më tepër veprimet që janë marrë nga Prokurori i Përgjithshëm, Parlamenti, liderët partiakë dhe të tjerët. Është e rëndësishme që të vazhdojë procesi i dekriminalizimit që është nisur në dhjetor 2014 me marrëveshje midis palëve. Ne vazhdojmë të inkurajojmë të gjitha partitë politike në Shqipëri për të hequr individët e përfshirë në aktivitete kriminale ose të korruptuar. Duartrokasim veprimet e Prokurorit të Përgjithshëm për të sjellë akuzat kundër dy deputetëve”, është shprehur Lu gjatë një deklarate për mediat.

Madje, duket se kanë qenë deklaratat e përsëritura të ambasadorit amerikan që kanë nxitur Prokurorinë në punën e saj.

“Shukri Xhelili, ish-kryebashkiak i Dibrës, Mark Frroku, ish-deputet dhe kreu i PKD-së, Gentian Muhameti, ish-kandidat i PD-së për Bashkinë e Këlcyrës, Ilir Petraj, kandidat i PD-së për kryetar në Bashkinë e Laçit, Arben Ndoka, ish-deputet i PS-së në qarkun e Lezhës dhe Koço Kokëdhima ish-deputet i PS-së në qarkun e Vlorës”, ka denoncuar ambasadori Lu.

Ai ka shtuar se edhe dy të tjerë përballen me akuza penale, Armando Prenga, deputeti i përjashtuar nga PS-ja, dhe kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat