Veliaj: Projektojmë Tiranën moderne me 1.6 milione banorë

Shqipëria

Veliaj: Projektojmë Tiranën moderne me 1.6 milione banorë

Më: 26 dhjetor 2016 Në ora: 12:25
Erion Veliaj

(E plotësuar) - Bashkia e Tiranës ka zhvilluar sot dëgjesë me anëtarët e Këshillit Bashkiak për draftin final të Planit të Përgjithshëm Vendor “TR030”.

Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se “Ky vit që po lëmë pas ishte viti i ringritjes së Tiranës. Jemi ende larg ambicies tonë, por shpresoj që ky plan, me gjithë amendimet që mund të bëjmë, kur të hyjë në fuqi, do të realizojë ambicien tonë për një qytet europian”.

“Plani i vjetër nuk mund të ishte i njëjti plan që mund të përdoret për Shëngjergjin, Vaqarrin, Kasharin, Ndroqin, Krrabën e kështu me radhë. Kështu që, vetëm ndryshimi demografik dhe gjeografik i Tiranës, qoftë si shtesë 30 % e popullsisë apo si rritje 25 herë e territorit, nënkupton që kishim nevojë absolute për një plan të ri. Jo vetëm kaq. Plani i kaluar parashikonte një Tiranë të ngjeshur nga ana urbane që në 15-20 vitet e ardhshme parashikonte 4.5 milionë banorë. Kjo ne na u duk pak e paarsyeshme. Nuk mund të kemi një Shqipëri e gjysmë vetëm në Tiranë. Nuk i paragjykoj fare motivet, por besoj që i kemi dhënë planit një masë pak më njerëzore duke parashikuar një Tiranë që në vitin 2030 ka 1.6 milionë banorë, pra rreth 1/3 e popullsisë së Shqipërisë, por jo diçka jorealiste”, shtoi kryetari i bashkisë së Tiranës, Veliaj

Ndërsa kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, u shpreh se ky plan urbanistik vjen pas konsultave të vazhdueshme me të gjithë ekspertët. Dalipi theksoi se ky plan urbanistik do të ndikojë në zhvillimin e  Tiranës për vitet e ardhshme. 

Bashkia e Tiranës prezanton planin urbanistik

Bashkia e Tiranës prezantoi paraditen e së hënës planin urbanistik të kryeqytetit, të cilin kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi si të domosdoshëm, duke qenë se sot, sipas tij, Tirana është 25 herë më e madhe.

“Ndryshimi demografik dhe gjeografik sillte nevojën absolute për një plan të ri. Duhet të ndërtojmë sheshe dhe hapësira publike edhe në lagjet periferike. Në Tiranë duan të vijnë të gjithë dhe ne nuk mund të vëmë doganë, por duhet që ta zhvillojmë qytetin tonë. Por, edhe bashkitë e tjera duhet të planifikojnë si të mbajnë qytetarët e tyre”, tha Veliaj.

“Të gjithë bashkë kemi bërë një Tiranë më të jetueshme, por ritmet e rritjes së qytetit nuk na lënë që të rrimë pushim. Kemi në plan për 20 shkolla të reja. Plani për herë të parë vendos në hartë shkollat e reja”, shtoi Veliaj.

Ndërkohë, kreu i këshilltarëve të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, Leonard Olli, theksoi se nuk ka pasur transparencë për këtë plan.

“Nuk ka pasur aspak transparencë. Nëse për këtë plan punohet prej një viti, neve na është dhënë vetëm para dy ditësh. Nuk e kemi përpunuar dot materialin për 48 orë. Doja që të ndiqej rregulli ligjor, që sot të ishim në fazën e pranimit të planit. Po na kërkohet ta votojmë këtë plan pas 3 ditësh dhe kjo është skandaloze”, deklaroi Olli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat