Zeqo: Kundër satanizimit të politikës

Shqipëria

Zeqo: Kundër satanizimit të politikës

Më: 26 dhjetor 2016 Në ora: 22:53
Moikom Zeqo

Në një kohë që po lufton dhëmb për dhëmb me të keqen, me sëmundjen e rëndë që iu shfaq ndonjë vit më parë, të cilën kemi besimin se do ta mposhtë, Moikom Zeqo vazhdon të jetë tejet aktiv në veprimtarinë e tij krijuese.

Pak ditë më parë ai u pranua me unanimitet anëtar i Akademisë së Shkencës dhe Arteve, një vlerësim që padyshim i ka dhënë atij më tepër energji dhe motivim për betejat që e presin.

Në këtë moment të ndërrimit të viteve ai vjen për dita me këtë intervistë ku analizon zhvillimet e këtij viti që po lemë pas dhe pritshmëritë për vitin 2017 që është dhe viti i zgjedhjeve të përgjithshme…

 – I nderuar Moikom! Po e fillojmë këtë intervistë me një ngjarje nga aktualiteti i muajve të fundit. Dekorimi i 67 ballistëve nga Presidenti Nishani ngriti një stuhi të vërtetë reagimesh kundër dhe pro. Ju kini thënë se kjo ishte “lajthitje “ nga ana e Presidentit. Pse e quajtët lajthitje?

-Presidenti i Republikës është i vetmi autoritet i përcaktuar nga një strukturë kushtetuese e pashkelshme, nga atributi i të qenit gjithmonë mbi palët, mbi partitë politike, përgjithësisht mbi kontradiktat e nxehta ose dhe apokaliptike të politikës parlamentare, mbi ndasitë, mbi qokat madje dhe njohjet, simpatitë dhe urrejtjet personale.  Presidenti përfaqëson unitetin e shtetit dhe kjo nuk përbën një formulë retorike, por substancën e mandatit të tij. Është e pafalshme nga ana e presidentit Nishani për të hyrë në lojën politike si mbështetës, stimulues i një pale politike kundër palës tjetër politike. Kjo do të thotë ta zhbësh dhe ta shpërdorosh mandatin e presidentit. Cila është arsyeja argumentuese për të ndërtuar një ekuacion të ballistofilisë dhe antifashistofagisë, për të dekoruar si martirë të demokracisë 67 ballistë, njerëz të thjeshtë dhe të gënjyer, të vrarë pa gjyq, viktima, për të deformuar dhe ngatërruar konceptet dhe nocionet?

Demokracia ka të bëjë me shtetet e lira, këtë Presidenti nuk duhet ta harrojë kurrë. Shqipëria qe një vend i pushtuar, nuk qe një shtet i lirë. Lufta Antifashiste bëhej pikërisht për ta bërë Shqipërinë një shtet të lirë. Argumentimi aprioristik, presidentor ,se gjoja këta ballistë luftonin për të shmangur ardhjen e regjimit komunist në Shqipëri është një absurditet i shumëfishtë. Sipas kësaj logjike duhej që Rusvelti dhe Çurçilli të bashkoheshin me Hitlerin për të luftuar Stalinin.

Nuk mbetet tjetër që edhe krimineli i pashembullt Xhafer Deva, kriminel i nazistëve që bëri masakrën e 4 shkurtit të shpallet hero i demokracisë me arsyetimin onirik se ka dashur ne këtë tipologji të reprezaljes të parandalojë ardhjen e regjimit komunist. Ky është një teatër absurd, alla Beket. Nuk mundet që një president kushtetues të vihet në shërbim të sindromit të tjetërsuar të historiografisë shkencore. Dhe dashje pa dashje reflektoi një neofashizëm të vonuar dhe të groteskëzuar. Nga ana tjetër dhe i ashtuquajturi koncepti i manipuluar dhe spekulativ “i luftës civile” nuk merr parasysh faktin se Shqipëria qe e pushtuar dyfish nga fashistët italianë dhe nazistët gjermanë dhe se të tëra qeveritë kolaboracioniste nga viti 1939 deri 1944 ishin instrumente të pushtimit, dhe lufta kundër bashkëpunëtorëve të fashizmit nuk mund të quhet luftë civile. Mund të ketë patur dhe ndonjë teprim, madje dhe gabime, që janë të pashmangshme. Por dhe lufta civile si nocion adekuat lidhet me shtetet e papushtuara. Historia e Ballit Kombëtar është ajo e një humbje të pariparueshme në histori. Konferencën e Pezës, një ngjarje madhore të unitetit kombëtar mbi pikëpamjet, krahinat, bazuar tek një unitet i luftës antifashiste as nuk e konceptuan dhe as nuk e bënë ballistët. Madje dhe e ashtuquajtura Mukje ngjan si një edicion i dytë, i shformuar i Konferencës së Pezës. U krijua Fronti Antifashist Nacional Çlirimtar! Vini re! Partia e Ballit u paraqit si nj kundërvënie, madje edhe në rrafshin gjuhësor. Fjala Front gjoja u shqipërua në fjalën Ballë, fjala Nacional, u mbiquajt si Kombëtar, por u harruan dy fjalë që përbëjnë substancën e substancës historike të kohës, fjala Antifashiste dhe Çlirimtare. Asnjëherë nuk u përdorën këto dy apelacione të mëdha të kohës nga ballistët. Një historian modern amerikan i sotëm Bernd Fisher në librin e tij mbi historinë e Shqipërisë të viteve 1939-1944 citon shumë dokumenta komprometuese mbi Ballin Kombëtar dhe thotë si konkluzion se “bixhozit ballisto-nazist i kishte ardhur fundi”.

Unë e shikoj këtë pjesë të historisë në mënyrë të qetë dhe jo si një “odium theologicum” – “urrejtje teologjike” midis partizanëve dhe ballistëve dhe tani në vitin 2016. Sepse e konsiderojnë dhe këtë gjë si një absurditet. Kjo do të thotë që politikat që përdorin në mënyrë të tepruar elementet e historiografisë mund gjithashtu të deformohen po nuk patën një optikë të qartë dhe përfundimtare. Historia gjithmonë ka rezultante të përfunduara të periudhave të veta të cilat as nuk mund të satanizohen as nuk duhet të ridikulizohen.

Vite më parë kam lexuar broshurën mbi “Dekalogun e Ballit Kombëtar” të antifashistit me stil volterian Nako Spirut. Ka një aktualitet të çuditshëm.

Unë nuk hyj në kritikët in extremis të Presidentit Bujar Nishani. Ai është rritur në Durrës dhe unë kam njohur nënën dhe babain e tij, njerëz të thjeshtë dhe shumë të mirë dhe në atë kohë mbanin mbiemrin Mehmeti. Mundet që Bujar Nishani u bë president nga Berisha. Po që në çastin që ai mëveftësohet si President, ai ka të bëjë me Kushtetutën. Nuk mund ta shmangësh Kushtetutën për hir të Berishës, kurse Berishën mund ta shmangësh për hir të Kushtetutës.

 – Le të kalojmë tek një çështje tjetër. Ngjarje e bujshme ishte dhe kthimi që Gjykata Kushtetuese i bëri ligjit të Vettingut, çka nënkupton dhe njëlloj ngecje të reformës në drejtësi. Si e konsideroni këtë vendim të Kushtetueses?

-Gjykata Kushtetuese në mënyrë eksplicite zotërohet nga struktura kushtetuese dhe e ka të ndaluar konceptualisht dhe juridikisht për të marrë “pjesë” në debatin politik të ditës. Kjo Gjykatë Kushtetuese ka ndërmarrë një vendim historik të paharruar që shfuqizoi të ashtuquajturin ligj për “dhënien” e detit, pra për të ashtuquajturën marrëveshje detare, të favorizimit të Greqisë dhe kjo gjë nuk ka për t’u harruar kurrë. Në rastin e asaj që u quajt bujshëm me tonet më të larta patetike shpesh edhe groteske në Parlamentin Shqiptar, Reforma e Drejtësisë, ku nuk mungoi dhe Apologjia e Konsensusit të Madh, u arrit që të kemi një votim gati tërësor për pranimin e reformës së drejtësisë, por jo për atë pjesë të kësaj reforme që quhet Vettingu, pa të cilën krijohet një ngadalësim dhe mungesë instrumentale e vënies në jetë të ligjeve vepruese. Në këtë rast Gjykata Kushtetuese, vendimet e së cilës siç dihet janë të pakthyeshme, në mënyrë të tërthortë krijon atunë e një vonese për një konsultim tjetër me Komisionin e Venecias për të arritur një objektiv që tingëllon në mënyrë ambikuide, domethënë aprovimi i Vettingut të bëhet ose të mos bëhet, të sendërtohet si subjekt juridik, ose jo, mbas zgjedhjeve të reja të përgjithshme politike në vitin 2017. A është kjo një taktikë apo një stratagjemë? A bëhet kjo për hir të një konsultimi shterues apo për një alibi vonese? Këto janë çështje të debatueshme, por është fakt që reforma e drejtësisë në këtë mënyrë shtyhet për një periudhë kohe, por unë mendoj se Reforma e Drejtësisë është dhe duhet të jetë e pashmangshme. Nuk mund të bëjmë përpara, nuk mund të ketë një katharsis politik, një spastrim nga krimi i organizuar i Shqipërisë nëse nuk arrihet të vihet në jetë dhe të funksionojë mekanizmi i pashmangshëm dhe i patjetërsueshëm i reformës në drejtësi. Dikur filozofi i vjetër Herakliti ka thënë: “panta rhei” – “çdo gjë rrjedh”. Penguesit e Reformës së Drejtësisë e kanë të pamundur në mënyrë sizifiane ta ndalin këtë gjë. Nuk mund ta ndalin dot. Askush nuk ka fuqi ta ndalë. Ka një parim juridik: “alienua dolus notere alteri non debet” – “askush nuk përgjigjet për veprat e këqija të tjetrit”. Kështu që qoftë përkrahësit reformatorë, qoftë dhe ata anti reformatorë nuk do ta bishtënojnë dot atë që mund të jetë domosdoshmëri historike.

– Ndërkohë partitë kanë filluar takimet intensive me popullin në kuadrin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. A mendoni se do të ketë ndryshime të aleancave para zgjedhore dhe si e shikoni hartën e ardhshme politike?

 – Për mendimin tim fushata e zgjedhjeve të përgjithshme politike në Shqipëri ka kohë që ka filluar. Kjo duket te të gjitha partitë. Pa përjashtim. Është e kuptueshme që mbarimi i mandatit 4 vjeçar të një qeverisjeje, në baza të Kushtetutës, të ketë një konfirmim të votimit popullor për një mandat tjetër 4 vjeçar. Duke dëgjuar komentet politike, në media, në shtypin e shkruar, në atë televiziv, duke ndjekur bisedat e të ashtuquajturve brahmanë analistë të vetëquajtur si profesionistë të politikës, më është krijuar ideja e një kaosi informativ, konceptesh për arsye të thashethemnajës politike që kërkon ta shndërrojë politikën serioze në një mitologji politike.

Gjatë këtyre 4 vjetëve çfarë nuk dëgjuam. Dëgjuam për zgjedhje të parakohshme, madje dhe të përcaktuara saktësisht nga ana kronologjike kur mund të ndodhte një gjë e tillë. Janë bërë debate të mëdha, dhe në fakt është krijuar një situatë polarizuese midis shumicës qeverisëse dhe opozitës. Gjithmonë jam shprehur se qeveria dhe opozita pavarësisht kriticizmit të ndërsjelltë duhet të bazohen në një komplemetarizëm të përbashkët. Po ja që në Shqipëri nuk ndodh kështu. Dhe ndoshta nuk do të ndodhë për një kohë të gjatë.

Unë jam kundër satanizimit të politikës. Por nuk jam dakord as që opozita të satanizojë qeverisjen, sado të meta të reflektojë ajo. Për mua është e papranueshme që opozitën ta quajmë pa asnjë kuptim si “SHQUPI”. Por ç’do të thotë SHQUPI? Do të thotë Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore. E ç’lidhje ka kjo me opozitën? Godinat janë sende, nuk kanë përkatësi politike. Unë jam kundër gjuhës vulgare të debatit. Në ligjërimin politik nga të dy anët ka shumë vulgaritet të panevojshëm dhe të dëmshëm. Jam kundër shprehjeve të tilla pezhorative për “përsheshet” apo dhe sulmet dhe fyerjet ndërmjet deputetëve. I takon Partisë Socialiste që pavarësisht mohimeve ekleziastike të opozitës të përdorë një gjuhë më të kulturuar. Më kujtohet një shprehje Karl Gustav Jungut që thotë se “sharjet dhe fjalët banale tregojnë një nivel të ulët të intelektit të njeriut”. Mos harrojmë që jemi në fundin e dekadës së dytë të shek. XXI. E tmerrshme! A nuk mund ta qytetërojmë gjuhën politike? Kaq e vështirë qenka? Kaq fatale që të mos ndodhë një gjë e tillë? Në strukturën e pluralizmit shqiptar në vitin 2017 janë shtuar dhe tri grupime, ose parti të reja politike: Partia e Dukës, Bojaxhiut dhe Blushit. A do të ketë një parti të katërt të re? Nuk e di. A do të ketë një organizim të një poli të tretë të koalicioneve parazgjedhore edhe si kundërshtim ndaj dy partive të mëdha, PS dhe PD? Ç’rol do të luajë LSI në këtë ekuacion algjebrik të politikës? Po PDIU-ja? Po Partia e të Drejtave të Njeriut? Po një mori partish të vogla të majta? Të them të drejtën nuk e njoh mirë si duhet në detaje këtë terren. Kam mendimin që Partia Socialiste nga të gjitha partitë e tjera në zgjedhjet e vitit 2017 për shkak të një elektorati shumë të madh që ka, ka më tepër siguri dhe mundësi reale për të fituar një shumicë deputetësh. A do të funksionojë koalicioni parazgjedhor me LSI? Është shpejt për ta përcaktuar. Por për zgjedhjet e reja parlamentare kam të drejtë të tërheq vërejtjen se për fat të keq nuk u ndryshua ai deformim kushtetues i ligjit të zgjedhjeve i vitit 2008 që juridiksioni dhe bënë një instrument pushteti të ashtuquajturat “lista ekskluzive dhe magjike të kryetarëve”. Deformimi kushtetues i vitit 2008 e ka mbajtur peng Shqipërinë deri më sot. Nuk duhet ta mbajë më. Nëse politikanët nuk e kuptojnë këtë gjë, do të vijë një ditë që dhe vetë politika nuk do t’i përfillë më politikanët.

 – Parlamenti aktual është quajtur më i dobëti i këtyre 25 viteve të fundit për shkak të hyrjes atje të personave të inkriminuar, por edhe pa identitet politik apo profesional. Mendoni se parlamenti i ardhshëm do të jetë më i mirë?

– Më i mirë apo më i keq nuk mund ta përcaktoj saktësisht. Që parlamenti 2013-2017 qe një parlament problematik deri në një banalitet të padurueshëm, këtë çdo shqiptar i ndershëm e di shumë mirë. Mundet që në parlamentin e ri të ketë njerëz pa precedent kriminal. Pra mund të kemi një spastrim. Por ajo që më shqetëson dhe nuk kam besim se parlamenti i ri do jetë më cilësor, më adekuat, pra dhe më i përgjegjshëm, më autoritativ dhe më konceptual është fakti se deputetët do bëhen nga listat e kryetarëve, gati si një e drejtë monarkike dhe sipas parimeve për zgjedhjen e deputetëve të aprovuara edhe nga PS, përveç mungesës së penaliteteve, parashikohet që kandidatët të disponojnë mjetet e duhura materiale për të përballuar fushatën elektorale. Kjo shqip do të thotë që njeriu duhet të jetë i pasur për t’u bërë deputet i PS, që mëton të jetë një parti e majtë. Nuk besoj as në mënyrë të verbër as nuk jam një skeptik i pandreqshëm për të thënë se deputetët e ardhshëm do jenë më përfaqësuesit, më të mirët dhe se do të bëhet një ndryshim kopernikan në cilësinë e përfaqësuesve politikë në Kuvend. Këtë mendim e kam për të gjitha partitë, pa përjashtim. Nuk mundet të emancipohet në këtë mënyrë politika shqiptare vetëm duke ndryshuar kuajt e karrocës, apo duke ndryshuar emrat.

 – Me rastin e vizitës së Kryeministrit Rama në Serbi dhe të deklaratave të tij që i kërkoi Vuçiçit njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, apo dhe për Trepçen, pati një debat mediatik të stuhishëm dhe të madh përtej Drinit dhe këtej Drinit. Po ju ç’mendoni për këtë debat?

– Qëndrimi i Ramës në Serbi për mua ka qenë i drejtë dhe e përshëndes. Gjithashtu edhe qëndrimi zyrtar i Shqipërisë ndaj deklaratave të Greqisë është i drejtë. Ajo që të habit është një shterpësi debati sesa një debat i vërtetë midis përfaqësuesve politikë të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë, në fakt jo tamam në rrafsh institucional si dhe të publicistikës për të krijuar kështu një semantikë gati të “një lufte të pashpallur dhe absurde” midis Shqipërisë dhe Kosovës.  Nuk ka gjë më të mbrapshtë, më idiote dhe më pa kuptim se kjo gjë.

Pra prej shumë kohësh që qarqet më okulte dhe më reaksionare të stimuluara dhe nga agjenturat e huaja shoviniste krijojnë “teori” të habitshme që nuk i ngjajnë asnjë lloj shkence në këtë botë. Këtu është e ashtuquajtura “teori” e dykombësisë (dioskurizmit) Shqipëri-Kosovë. Janë dy shtete të pavarura, janë dy flamuj shtetërorë, por shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e Shqipërisë janë një komb. I ashtuquajturi artikulim i sforcuar i kombit te Kosoves është një budallallëk.

Po kështu edhe nga pikëpamja gjuhësore, ose e gjuhës standarde gjuhësore shqipe “shpikja” e gjuhës “kosovarishte” është gjithashtu një marrëzi erazmike e pashembullt. “Auscultare disqe, si nescis loqui” – “nëse nuk di të flasësh, atëherë mëso të heshtësh”. Studiuesit politologë dhe historianët seriozë e dinë fort mirë se ka një komb shqiptar, me një homogjenitet të brendshëm, me një kujtesë madhore kombëtare, me një gjuhë të vetme dhe me atributet e një qytetërimi shqiptar të farkëtuar gjatë shekujve. Nuk mundet që gjysma e kombit në Kosovë, apo gjysma tjetër në Shqipëri të rrotullohen secila për hesap të vet në mënyrë absolute ashtu si ato sferat në sistemin astrologjik të Ptolemeut të lashtë.

Nga ana tjetër është përcaktuar qartë se kombi shqiptar përbën një faktor të rëndësishëm ballkanik policentrist. Pjesët e kombit shqiptar janë në 5 shtete (kjo s’ka të bëjë aspak me rivendikimin e ndryshimit të kufijve). Pra në Shqipëri, në Kosovë, në shqiptarët e Malit të Zi, në shqiptarët në Maqedoni, në Çamëri, po dhe në shqiptarët e luginës së Preshevës në Serbi. Të gjithë faktorit shqiptar sistemi demokratik i ka dhënë mundësinë e përfaqësimit politik, pra të përfaqësimit parlamentar, pavarësisht strukturave të ndryshme shtetërore. Ky policentrizëm i kombit shqiptar është pasojë e historisë dhe jo e së drejtës. Megjithatë në kushtet kur kërkohet integrimi evropian, kur kufijtë mes shteteve të ndryshme bëhen konvencioanalë, ekziston plotësisht mundësia e një integrimi të gjithë pjesëve të kombit shqiptar. Kjo është e pashmangshme.

Ajo që më habit është se për problemet politike që lidhen me shqiptarët, shpesh përfaqësuesit politikë shqiptarë të zgjedhur në mënyrë diplomatike, heshtin kur kanë të bëjnë me probleme që lidhen me kombin në përgjithësi. Më bën përshtypje si vallë për çështjen e Demarkacionit midis Kosovës dhe Malit të Zi, përveç deputetëve të Vetëvendosjes heshtin përfaqësuesit politik të votuar të shqiptarëve qoftë dhe vetë në Mal të Zi apo në shtete të tjera, ose qoftë dhe deputetët në Kuvendin e Shqipërisë.

Sidoqoftë politika e jashtme në këto 4 vjet e shqiptarëve ka qenë e suksesshme.

Lajmi që Kryeministrin Rama e ka thirrur Kancelaria Merkel, ose përgjithësisht rritja e rolit të Shqipërisë në rajon është diçka që duhet marrë parasysh dhe nuk duhet mohuar dhe anatemuar, përkundrazi, kjo do të thotë, në fund të fundit se kur të kujtojmë historitë e sotme mbas 50 apo 100 vjetësh do të kemi mundësi të përjetojmë dhe subjektet e humorizmit dhe të groteskut të historisë. Por tani për tani jemi “të dënuar” të përjetojmë këtë luftë politike të rënduar dhe aspak të këndshme.  Do të uroja që në zgjedhjet e ardhshme përzgjedhja e ministrave të qeverisë të bëhet me personalitete të spikatura dhe jo me njerëz të klonuar.

Do të uroja që pranë Kryeministrit të kishte gjithashtu këshilltarë të ditur, të mençur dhe të matur. Arti i qeverisjes është një art i rëndë dhe kërkon kulturë të shumëfishtë, ndershmëri të madhe dhe një luftë të pamëshirshme ndaj korrupsionit.  Dhe më kryesorja, qeverisja nuk bëhet vetëm për të pasurit, por thelbi i politikës ka të bëjë me statusin e humanizmit ndaj të varfërve dhe të problemit më të madh që përbën një të drejtë natyrore të njeriut, atë të punësimit.  Nuk them që këto çështje do të zgjidhen menjëherë, por nuk janë as fatalisht të pazgjidhshme. I takon shqiptarëve të gjykojnë qeveritarët e vet dhe janë ata që përcaktojnë nëse qeveritarët janë ata që duhet të jenë ose janë ata që s’kanë qenë asnjëherë. Kjo dikotomi duhet të shmanget.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat