Makinat e përdorura, si do të penalizohen në rast të ndotjes së ajrit

Shqipëria

Makinat e përdorura, si do të penalizohen në rast të ndotjes së ajrit

Më: 4 janar 2017 Në ora: 10:41
Ilustrim

Qeveria duket e vendosur në zbatimin e planit të masave për uljen e nivelit të ndotjes nga shkarkimi i gazrave të makinave të përdorura.

Pas miratimit në muajin korrik të normave fikse të shkarkimit të gazrave, me vlerë sipas Direktivës së Bashkimit Europian, Ministria e Mjedisit kërkon zbatimin e kritereve të reja shtrënguese që penalizojnë makinat e vjetra të prodhuara para vitit 2000 dhe përcakton kushte të reja për mjetet e përdorura që do të importohen.

Masat janë akoma më shtrënguese, në rast se një makinë e vjetër importohet. Për importin, Ministria e Mjedisit përcakton që në vend të hyjnë vetëm makina të përdorura të prodhuara pas 2010-s.

Për makinat aktuale, parashikohet që ato të standardit “euro 1” dhe “euro 2” duhet të përshtatin sistemin e shkarkimit me makinat e standardit “euro 3”. Drafti do t’i kalojë për miratim qeverisë, pas konsultimit me Ministrinë e Transportit dhe të Ekonomisë.

IMPORTI

Në projektvendimin e hartuar nga Ministria e Mjedisit përcaktohet që pas 1 janarit të vitit të ardhshëm, importi i makinave të përdoruara të lejohet vetëm nëse mjeti e plotëson standardin “euro 5” të shkarkimeve në ajër, raporton “Panorama”.

Sipas tabelave shoqëruese të projektvendimit, makinat “euro 5” i përkasin vitit të prodhimit nga 1 janari i 2010-s deri më 31 dhjetor 2015. Si për makinat e përdorura, edhe ato të reja, importimi do të lejohet nëse ato i përkasin standardit “euro 5” të shkarkimit të gazrave.

Në draft përcaktohet që do të jetë administrata doganore që do të kontrollojë importin e makinave, dhe në rast se ato nuk plotësojnë standardin “euro 5”, do të ndalohen të importohen. Nga doganat do të kontrollohet dokumentacioni i mjetit, duke përfshirë specifikat teknike të tipit të mjetit. Në rastin kur kontrolli doganor nuk mund të përcaktojë nëse mjeti është në përputhje me standardet “euro 5”, vlerësimi do të kryhet nga qendrat e kolaudimit.

KOLAUDIMI

Për shkak të nivelit të lartë të ndotjes, makinat e vjetra me standarde shkarkimi të gazrave “euro 1”, që i përkasin vitit të prodhimit nga 1992 deri në 1995, dhe makinat “euro 2” që i përkasin vitit të prodhimit nga 1996 deri më 31 dhjetor 1999, duhet të plotësojnë standardin “euro 3”.

Për të gjitha makinat që janë prodhuar para vitit 2000, u është lënë afat të marrin masat për instalimin e katalizatorëve deri më 1 korrik të vitit të ardhshëm. Në rast të kundërt, projektvendimi përcakton që makina nuk do të kalojë testin e shkarkimit të gazrave gjatë kolaudimit dhe do të ndalohet të qarkullojë. Përveç kësaj, për makinat e vjetra që janë në qarkullim, nga 1 korriku ka nisur zbatimi i normave të reja të shkarkimit të gazrave, me vlera sipas direktivës së Bashkimit Europian.

Para zbatimit të normave të reja, Ministria e Transporteve, sipas udhëzimit të hartuar, aplikoi dy faza të ndara me nga 6 muaj, ku krahas normave, u zbatuan edhe shtesat. Për makinat e vjetra, shtesat ishin më të larta, kurse makinat e reja kishin shtesa më të ulëta. Aplikimi i normave të reja është 20 për qind më i ulët se ato që u aplikuan në fazën e dytë të udhëzimit.

Duke iu referuar të dhënave të udhëzimit, konstatohet se për makinat e vjetra, normat e shkarkimit të gazrave janë më të larta, kurse për makinat e reja, vlerat e lejuara janë më të ulëta. Ndërkohë, sipas të dhënave të Ministrisë së Transporteve, në fazën e dytë të zbatimit të udhëzimit, 10 mijë automjete nuk e kaluan kolaudimin, 60 për qind të makinave që ngelën ishin me benzinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat