Shkollat në Shqipëri mund të mbyllen edhe javën e ardhshme

Shqipëria

Shkollat në Shqipëri mund të mbyllen edhe javën e ardhshme

Më: 5 janar 2017 Në ora: 12:48
Pamje gjatë mbledhjes së Zyrës Operacionale në lidhje me situatën e motit dhe gripit në Shqipëri

Gjatë mbledhjes së Zyrës Operacionale në lidhje me situatën e motit dhe gripit në vend ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj tha se epidemia e gripit ka shpërthyer 4 deri në 6 javë më parë sesa ka ndodhur në dekadën e fundit.

 “Kjo u vu re dhe në Europë. Nisi më parë sesa pritej, por sot ka një rënie të fluksit të pacientëve në QSUT pasi duket se ka nisur të funksionojë shërbimi parësor. Ka nisur vaksinimi, por më shumë riskojnë personat me sëmundje kronike, të sëmurët me diabet, me veshka, me zemër sepse në kësi rastesh gripi ua rëndon gjendjen shëndetësore”.

Beqaj tha se po shihet mundësia që shkollat të qëndrojnë të mbyllura edhe gjatë javës së ardhshme.

“Spitalet gjatë këtyre ditëve do të anulojnë operacionet e planifikuara, pra do të bëhen vetëm rastet urgjente. Janë çuar medikamentet në 16 qendra shëndetësore të zonave malore që bllokohen nga bora. Kemi nxjerr në TV kronika informative për gripin”. Po kështu ai tha se “ditët në vijim do të marrim në konsideratë faktin nëse do të mund të mbahen shkollat të mbyllura edhe gjatë javës së ardhshme. Gjithashtu do të sugjeronim edhe anulimin e aktiviteteve kulturore. Për këto të dyja do të dalim shpejt me një vendim”, tha Beqaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat