Nishani uron Presidentin e ri të SHBA-ve

Shqipëria

Nishani uron Presidentin e ri të SHBA-ve

Më: 20 janar 2017 Në ora: 18:19
?Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka uruar presidentin e 45-të të SHBA-ve, Donald Trump, për marrjen e detyrës.

Presidenti Nishani i ka dërguar një letër kreut të ri të shtetit amerikan, ku i shpreh urimet për marrjen e detyrës.

Në vijim kreu i shtetit shqiptar duke i shprehur falënderimet më të larta në emër të Shqipërisë dhe shqiptarëve SHBA-ve, shprehet se në të ardhmen dëshiron që të ketë një takim personal me presidentin Trump.

Letra e presidentit Bujar Nishani:

 “Shkëlqesia Juaj,

Inaugurimi dhe marrja e detyrës së Presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më jep edhe njëherë kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t’Ju shpreh urimet më të mira e të sinqerta dhe t’Ju uroj shumë suksese në përmbushjen e angazhimeve presidenciale.

Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për gjithçka Shtetet e Bashkuara kanë bërë në mbështetje të shqiptarëve për më shumë se një shekull, si dhe bindjen se partneriteti strategjik mes dy vendeve do të thellohet edhe më shumë gjatë presidencës suaj.

Shtetet e Bashkuara përfaqësojnë për Shqipërinë dhe shqiptarët mikun dhe partnerin kryesor strategjik dhe ju siguroj se shqiptarët do të vijojnë të jenë krah jush në realizimin e agjendës suaj kundër ISIS dhe terrorizmit ndërkombëtar, por edhe për forcimin dhe thellimin e mëtejshëm të agjendës euroatlantike.

Me dëshirën për t’ju takuar në një rast sa më të parë, ju lutem pranoni, Shkëlqesia Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat