Deputetët në "llupën" e Ramës, nisin ethet e parakohshme të 18 qershorit!

Shqipëria

Deputetët në "llupën" e Ramës, nisin ethet e parakohshme të 18 qershorit!

Më: 25 janar 2017 Në ora: 09:49
Kryeministri Edi Rama ka nisur verifikimin e deputetëve në terren, foto arkiv

Partia Socialiste, me hyrjen e vitit të ri zgjedhor, e fundit legjislaturë për këtë mandat qeverisjeje, ka nisur vrullshëm përgatitjet për procesin zgjedhor të 18 Qershorit. Por me afrimin e zgjedhjeve të reja parlamentare nisin edhe ethet në PS për listat e kandidatëve për deputetë.

Kryeministri Edi Rama ka nisur verifikimin e deputetëve në terren, sa të angazhuar janë ata në mobilizimin e bazës dhe mbledhjen në sa më shumë votave për fitoren e së majtës në 18 Qershor.

Deputetët do të kalojnë në lupë nga kryeministri Edi Rama sa u takon gjithë procesit të angazhimeve në bazë, i cili më pas do të përpilojë edhe listën me kandidatët e rinj për deputetë, që do të përbëjnë legjislaturën e re pas përfundimit të zgjedhjeve të 18 Qershorit.

Në këto kushte, Rama i ka urdhëruar deputetët që çdo fundjavë të dorëzojnë një raport me të gjitha aktivitetet që janë zhvilluar. Në bazë të angazhimeve të deputetëve sipas raporteve javore që ata do të dorëzojnë, Rama do të përpilojë edhe listën e kandidatëve për deputetë.

Në lista do të futen ata deputetë që do të mbledhin sa më shumë vota dhe do të bindin qytetarët që të votojnë në 18 Qershor për reformat e qeverisë aktuale, që nuk janë ndërmarrë në këto 25 vite.

Përgatitjet për zgjedhjet e 18 Qershorit do të jenë vendimtare për deputetët socialistë. Sipas kryeministrit, deputetët duhet të udhëtojnë çdo ditë në bazë dhe nuk duhet të injorojnë takimet me qytetarët, të cilët janë pjesa më e rëndësishme e gjithë përgatitjeve për fushatën elektorale.

Nndërkohë, në kuadër të përgatitjeve, në çdo bashki do të hapen zyrat e partisë, ku në të do jenë njerëz që në çdo kohë do të jenë aty për të pritur qytetarët dhe për të adresuar shqetësimet e tyre. Kjo çështje është marrë në dorë nga të deleguarit në qarqe, të cilët janë të shpërndarë nëpër zona.

Njëkohësisht po vijon dhe shpërndarja e kartave të reja të anëtarësisë për të gjithë anëtarët, një proces që duhet të përfundonte në dhjetor. Në këtë aspekt po kryhet evidentimi i anëtarëve realë dhe pastrimi i listave nga anëtarët fiktivë, të cilët mund të mos jetojnë më, mund të mos jenë më aktivë në PS ose mund të kenë ndryshuar vendbanim.

Shpërndarja e kartave të reja të anëtarësisë bëhet në mënyrë ceremoniale në çdo njësi administrative duke testuar dhe një herë 5 muaj para zgjedhjeve besnikërinë e anëtarësisë dhe gatishmërinë e tyre për të vijuar angazhimin politik pranë PS­së. Ky është një proces që do vijojë deri në nisjen e procesit zgjedhor.

Ndërkaq, zyrat qendrore të PS­-së kanë printuar listat zgjedhore të rifreskuara e të grupuara sipas Zonave të Administrimit Zgjedhor. Në këtë kuadër ka nisur dhe evidentimi i votuesve majtas apo djathtas.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat