Manjani: Mbështes të majtën e bashkuar, por jo koncesionet

Shqipëria

Manjani: Mbështes të majtën e bashkuar, por jo koncesionet

Më: 8 shkurt 2017 Në ora: 11:23
Ylli Menjani

Ish- ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani shprehet se nuk është faji i të majtëve që drejtohen keq, duke nënvizuar se nuk mund të ndëshkohet e majta pse qeveria e tyre qeveris me koncesion, duke thënë kjo se është teori e praktikë e djathtë. Manjani sqaron në faqen e tij në “Facebook” se qëndrimet e tij kundër qeverisë nuk mund të përbëjnë shkak për ndarjen e së majtës, ndërsa thekson se do të vijojë të mbështesë të majtën e bashkuar. “Cilido që te qëndrimet e mia të drejtpërdrejta sheh arsyen, shkakun apo alibinë e ndarjes së koalicionit të majtë, e ka gabim. Kam qenë, jam e do të jem mbështetës i të majtës së bashkuar.

Nuk është faji i të majtëve që drejtohen keq!”, shkruan Manjani. Më tej në reagimin e tij, Manjani thotë se sot në qeveri kanë ndryshuar vetëm emrat, ndërsa akuzon qeverinë për kanabizimin e vendit dhe braktisjen e të varfërve. “Nuk është fare faji i të majtëve që qeveria nuk i hap telefonin hallexhiut! Nuk kanë asnjë kusur të majtët, kur qeveria shkel ligjet dhe dhunon Kushtetutën! Nuk e ka në edukatën e tij i majti antiligjin! Nuk kanë faj të majtët që qeverisen me të njëjtat metoda si të djathtët! Dallojnë vetëm emrat. Nuk është faji i të majtëve pse vendi kanabizohet. Nuk e bëjnë të majtët vendin hashash! E bën thjesht qeveria e keqe që i shërben trafikut të paligjshëm”, shkruan Manjani në “Facebook”. Sipas tij, nuk është faji i të majtës pse demokracia po rrudhet, liria e shprehjes apo edhe e drejta e pronës shkelet. Sipas tij, e majta shqiptare është zemra e demokracisë, ndërsa “gjen” fajtorin për rrudhjen e demokracisë dhe shkeljen e lirisë së shprehjes dhe të drejtës së pronës.

“Nuk është faji i të majtës se pse demokracia po rrudhet, liria e shprehjes apo edhe e drejta e pronës shkelet”, shkruan Manjani duke nënkuptuar kështu kreun e Partisë Socialiste. Ish- ministri deklaron se nuk kanë faj të majtët pse Edi Rama, themelues i Partisë Demokratike, në krye të PS, dhe Ilir Meta themelues i Partisë Socialiste, por jo më në PS, kanë pikëpamje të ndryshme për drejtimin e shtetit. “Të majtët gjithnjë kanë konkurruar dhe debatuar me njëri-tjetrin! Jam që e majta të bashkohet edhe më shumë, sepse vetëm kështu do largohet e keqja prej nesh, prej qeverisë dhe prej shtetit tonë të përbashkët”, thotë Manjani. Ai e mbyll qëndrimin e tij duke nënvizuar se vazhdon t’i uroj koalicionit “shërim të shpejtë”. Ylli Manjani ka qenë pjesë e Partisë Socialiste deri në vitin 2009, por pas përplasjeve të forta me kreun Edi Rama ai iu bashkua Lëvizjes Socialiste për Integrim në vitin 2011.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat