Policia: Kompania shkeli disa rregulla të sigurisë

Shqipëria

Policia: Kompania shkeli disa rregulla të sigurisë

Më: 10 shkurt 2017 Në ora: 15:42
Altin Qato, Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike

Një tjetër punonjës i shoqërisë private të sigurisë fizike u arrestua për grabitjen e 2.2 milionë eurove. Fatmir Gapi mbante detyrën e administratorit dhe drejtuesit teknik të shoqërisë “Jaguar”.

5 punonjës të tjerë qe shoqëronin paratë u arrestuan pak ore pas ngjarjes. Kompanisë i është hequr edhe licenca, pasi sipas policisë, ka shkelur disa rregulla.

Altin Qato, Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike:  Mjetet për transportimin e vlerave monetare ishin të modifikuara dhe nuk plotësonin kriteret, pavarësisht se në lejen e qarkullimit të lëshuara nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit të Transportit Rrugor janë shënuar “automjet i prodhimit të veçantë”.  Kamerat e instaluara në mjetin e blinduar nuk ishin të aktivizuara në momentin e ndodhjes së ngjarjes.  Njëri nga drejtuesit e mjetit të blinduar nuk kishte autorizim për të qarkulluar me këtë mjet.

Punonjësit e shërbimit ishin të pajisur me armë zjarri, por nuk kanë reaguar në përputhje me ligjin “Për përdorimin e armëve”. Mjetet e gjurmimit nuk ishin vendosur sipas procedurave standarde për shoqërimin e vlerave monetare. Dy automjetet e shoqërimit të vlerave monetare nuk kishin logon dhe stemën e Shoqërisë Private të Sigurisë Fizike. Punonjësit e shërbimit të eskortës nuk kanë njoftuar strukturat e Policisë së Shtetit, dhe nuk kanë bashkëpunuar me to në momentin e ndodhjes së ngjarjes sipas procedurave standarde. Qendra e kontrollit të SHPSF “JAGUAR” nuk funksionoi për menaxhimin e këtij shërbimi.

Dy veturat e përdorura për transport në rastin e grabitjes, janë përshtatur pjesërisht si të blinduara në pjesën e xhamave, dhe pjesërisht në pjesët e brendshme.

Burime të hetimit i thanë TV Klan se ato janë përshtatur nga vetë Banka, e cila i ka përdorur për së paku tri vite me radhë. Më pas ajo ia ka shitur kompanisë private të sigurisë që kishte kontraktuar po vetë për transportin e parave.

Të premten hetuesit e policisë janë rikthyer në vendin e ngjarjes. Ata gjetën 13 gëzhoja të armëve model 56 dhe 64.  Edhe në vendin ku grabitësit dogjën makinat hetuesit bënë një këqyrje të dyte. Por deri tani nuk kanë mundur të gjejnë gjurmë të grabitësve. 

Nuk ka ende një konfirmim zyrtar për shumën e grabitur, por burime të Tb Klan bënë të ditur se në 8 thasët ku transportoheshin paratë gjendeshin 2.2 milionë euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat