Tiranë: Strategji e re kundër narkotikëve

Shqipëria

Tiranë: Strategji e re kundër narkotikëve

Më: 3 mars 2017 Në ora: 18:01
ilustrim

Qeveria në Tiranë publikoi sot një strategji të re në goditjen e trafikimit dhe kultivimit të bimëve narkotike, duke vendosur në qendër të parandalimin e kësaj veprimtarie kriminale të përhapur gjerësisht në territorin shqiptar.

Forcat e rendit këtej e tutje pritet të përqëndrohen më fort në parandalimin dhe goditjen qysh në fazat më të hershme të mbjelljes së bimëve narkotike dhe kapjen e autorëve dhe zonave të mbjella, për ta patur më të lehtë me shitjen dhe trafikimin e tyre me vonë.

Megjithatë, policitë e vendeve fqinje vazhdojnë të kapin sasi droge përherë e më të mëdha. Përfaqësues të antikrimit nga këto vende, pohuan se droga që nuk kapet dhe arrin të depërtojë në shtetet fqinjë është disa herë më e madhe se ajo që kapet.

Strategjia e re parashikon një bashkëpunim më të ngushtë mes institucioneve vendore, policore dhe inteligjencës për të kapur kultivuesit qysh në fazën fillestare të veprimtarisë së tyre kriminale.

Kjo do të shoqërohet edhe me zbutjen e varfërisë në zonat e kultivimit të bimëve narkotike përmes projekteve të zhvillimit dhe kreditimeve për ngritjen e bizneseve të tjera agro-përpunuese.

Ekspertët e kësaj fushe pohojnë se situata e drogës është përkeqësuar vitet e fundit dhe se masat e marra nuk dhanë rezultatet e pritura.

Sipas tyre, fakti që po niset një strategji të re, tregon që kjo dukuri kërkon një qasje tjetër.

Bimët narkotike u mbollën në të gjithë territorin dhe në masë shumë herë më të madhe se më parë.

Kjo dukuri është vënë në qendër të fjalimeve edhe të opozitës. Partia Demokratike vlerëson se prapa një kultivimi aq të zgjeruar të bimëve qëndrojnë vetë drejtuesit e lartë të qeverisë dhe të policisë, të cilët me fitimet e jashtëzakonshme nga kjo botë kriminale tani janë gati të blejnë e kompromentojnë edhe zgjedhjet e ardhshme./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat