Tahiri përshëndetet me kolegët e Policisë së Tiranës, "Shqiponjat" e presin me sirena ndezur

Shqipëria

Tahiri përshëndetet me kolegët e Policisë së Tiranës, "Shqiponjat" e presin me sirena ndezur

Më: 13 mars 2017 Në ora: 12:45
Saimir Tahiri përshëndetet me kolegët e Policisë së Tiranës

Pas zyrtarizmit të largimit nga posti i Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ka qenë sot në ambientet e Policisë së Tiranës për t’u përshëndetur me stafin me të cilin ka punuar për 4 vite.

Ka qenë një moment prekës, ku Forcat e Policisë ‘Shqiponja’ në çastin kur ka mbërritur Tahiri kanë ndezur sirenat në shenjë respekti dhe konsiderate ndaj tij.

Në imazhet duket se të gjithë punonjësit e Policisë së Tiranës, kanë dalë në oborrin jashtë për të pritur atë, në takimin e fundit si Ministër i Brendshëm, ku nuk kanë munguar edhe lotët.

Po ashtu, disa prej punonjësve të policisë kanë pasur një pankartë të madhe në duar, ku shkruante : Faleminderit Saimir Tahiri.

Tahiri është ndjerë shumë i emocionuar nga pritja që i është bërë, kur për herë të parë, edhe pse njihet si orator shumë i zoti, mezi ka gjetur fjalët për të përshëndetur vartësit e tij.

‘Më të fortë do bëheni’ kanë qenë këto fjalët e Tahirit për punonjësit e policisë.

“Ju falenderoj të gjithëve, ju e dini që policinë e Tiranës e kam pasur dobësi. Do kaloj ndonjëherë këtej… po më pranuat”, ka shtuar Tahiri.

Ndërsa, ‘Gazeta Express’ ka mësuar se Tahirit i është bërë dhuratë një skafandër e ‘Shqiponjave’ si dhe një CV, nga momentet më të bukur të Policisë së Tiranës gjatë festimeve të funditvitit në një prej lokaleve në Tiranë.

Ministri i Brendshëm shoqërohej në këtë vizitë  nga drejtori i Përgjithshëm, Haki Çako dhe dy zv/ministrat Elona Gjebrea dhe Stefan Çipa.

Tahiri ka vendosur që ditën e sotme të shkojë në të gjithë komisariatet e policisë së Tiranës, për t’u përshëndetur për herë të fundit si ministër i Brendshëm me punonjësit që për katër vjet i ka pasur nën varësi.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat