Muzikantët e rrugës në Tiranë, mes pasionit dhe mbijetesës

Shqipëria

Muzikantët e rrugës në Tiranë, mes pasionit dhe mbijetesës

Më: 20 mars 2017 Në ora: 18:17
Muzikanet ne rruge te Tiranes

Skenat gjigante nuk janë vendet ku ata marrin duartrokitjet e publikut, por rrugët e kryeqytetit të Shqipërisë, duke dhuruar çdo ditë tingujt e instrumenteve të tyre.

Muzikantët e rrugës, ashtu siç mund të quhen këta artistë janë të shumtë në rrugët e Tiranës, por edhe qyteteve të tjera të Shqipërisë.

Ndriçim Kito, i lindur në Tiranë dhe banues në Durrës është njëri prej tyre, i cili nuk ndahet dot nga instrumenti muzikor i fizarmonikës. Ai duke folur për Anadolu Agency (AA), tregon se shikimin e ka humbur që në moshë të re, në mënyrë aksidentale. "Në atë kohë isha student në Institutin Bujqësor të Kamzës. Pasi më ranë dy ashkla në sy pësova një hemorragji. Operacioni për njërin sy doli pa sukses dhe më pas humba nervin edhe të syrit tjetër. Provimet i kam dhënë si i verbër, por më pas nuk kisha çfarë të bëja pasi shkolla që kisha mbaruar ishte e profilit bujqësor. Për këtë arsye nisa të studioj në Liceun Artistik. Nga viti 1978 deri më 1981 kur jam diplomuar si muzikant nuk shikoja", shprehet Kito.

Ai tregon se gjatë kohës së komunizmit ka punuar në institucione të ndryshme kulturore me rrogë bazë, ndërsa shprehet se në ditët e sotme atij i duket vetja si në një studio pa mure, duke "dhuruar" tingujt e fizarmonikës së tij në rrugët e Tiranës. 

"Që nga viti 1990 nuk i jam ndarë muzikës në ecje, ndërsa duke filluar nga viti 2007 unë vij në Tiranë, pra plot prej 10 vitesh vij këtu dhe bëj muzikë. Kjo për shkak se ndryshoi mosha pasi dalë nga dalë jam duke i kapur të 60-at. Dal pasi ende kam një djalë për të rritur. Ai shkon në klasën e 9-të sepse jam martuar pak me vonesë, kjo për shkak se kisha dëshirë të shkoja jashtë vendit për tu kuruar dhe nuk kisha ndërmend të krijoja familje. Nuk kisha as stabilitet në punë, etj", tregon ai ndër të tjera. 

Pas ndërrimit të sistemit ai është zgjedhur kryetar i Shoqatës së të Verbërve në Durrës, por nga ana tjetër edhe punonte me fizarmonike për të siguruar të ardhura për familjen. Edhe pse ai ka pension "artin e rrugës" e ushtron për pak kushte më të mira ekonomike. 

Duke folur për ‘fitimet’ nga muzika në rrugë, Ndriçimi thotë: "Dua të flas hapur. Nuk mund të vij vetëm dhe për këtë arsye marr një shoqërues. Për të ardhur nga shtëpia më duhen para, për shkak se qëndroj këtu gjatë gjithë ditës dhe duhet të konsumojmë diçka. Nëse arrij të dërgoj në shtëpi 500 lek për vete dhe 500 lek për shoqëruesin. Më mirë kaq apo hiç fare? Më mirë bëj muzikë kot se sa të rrish kot."

"Shembull i lavdishëm për ato që e duan punën"

Ndriçimi ka komentuar edhe mbi reagimet që merr nga qytetarët e ndryshëm, duke u shpreh se "Marr shumë reagime pozitive. Kam fjalë të këndshme. Asnjëherë nuk kam dëgjuar fjalë fyese. Ka edhe nga ata që janë të rregullt dhe dalin për të bërë muzikë. Ndërsa njerëzit mua më thonë që jam shembull i lavdishëm për ato që e duan punën. Të punoj roje në një karburant më kapin hajdutët dhe më dëmtojnë. Njeriu duhet të punojë sikur do jetojë 100 vjet dhe të jetojë sikur do të vdesë nesër. Duhet të ketë guximin dhe iniciativën për të punuar. Në saje të devotshmërisë në punë i ke të gjitha të mirat, si respektin ashtu edhe financën."

Duke dhënë një mesazh për muzikantët e tjerë të rrugës, ai thotë: "Le të shprehin talentin e tyre, pasi edhe i sheh Zoti, por edhe vetë artistët e shohin që pëlqehen. Nuk është fyerje dhe ofendim asnjë punë që bëhet."

"Muzika e rrugës, alternativë për të komunikuar me publikun"

Aida Hani e lindur në Korçë dhe banuese në Tiranë, është një tjetër "artiste e rrugës", e cila me tingujt e violinës së saj ajo tërheq vëmendjen e kalimtarëve në zonën e njohur si "Pedonalja". 

Duke folur për AA ajo tregon se me muzikën është njohur që në fëmijëri, ku që në atë moshë ka shfaqur pasionin e saj për violinën. Ajo shprehet se "Kam studiuar plot dhjetë vite në shkollën shtetërore ku unë kisha instrumentin e violinës. Tashmë kanë kaluar 30 vjet që studiojmë dhe vazhdojmë duke punuar."

"Krahas kësaj pune unë njëkohësisht krijoj muzikë dhe ndoshta së shpejti do të kem albumin tim", thotë Hani duke shtuar se në këtë mënyrë fiton të ardhura për jetesën e saj. Duke folur për veçorinë e muzikës në rrugë ajo shton: "Është një mënyrë plus dhe alternativë për të komunikuar me publikun dhe kur ajo shndërrohet edhe në të mira materiale, kjo gjë na pëlqen dhe na frymëzon."

Duke folur për reagimet e kalimtarëve ndërkohë që ajo bën muzikë, Hani thotë: "Në fillim kanë qenë më të çuditshëm. Natyrisht, kanë kaluar disa vite tashmë që ne luajmë vazhdimisht nëpër rrugët e qytetit të Tiranës, në qytete të tjera të Shqipërisë, por edhe në qytetet e Kosovës."

Ajo thotë se qëndron në vende të ndryshme të Tiranës, duke krijuar muzikën e saj, ndërsa në zonën e "Pedonales" në kryeqytet më shpesh. Hani shton se në Tiranë është bukur të bësh muzikë në rrugë pasi sipas saj ka diell pothuajse 300 ditë në vit. 

Muzikantja e rrugës komenton edhe mbi reagimet e familjes së saj për pasionin e saj. "Babait i pëlqen, madje njëherë ka ardhur dhe ka kontribuar, ndërsa mamasë ndonjëherë i pëlqen dhe ndonjëherë i duket e çuditshme. Ndërsa motra e vëllezërit në përgjithësi e pëlqejnë artin tim".

"Dëgjoni muzikë të shëndetshme"

Hani në vijim të fjalës së saj thotë se ka shumë muzikantë të ngjashëm me ata që këndojnë në rrugët e Tiranës duke përmendur disa emra ajo shprehet: "Në Tiranë bëjnë muzikë Elinor Butka, Sajmiri që luan saksofon prej 10 vitesh në pjesë të ndryshme të qytetit, Fadil Sulejmani dhe Adi Sulejmani në klarinetë, etj."

Duke dhënë një mesazh për dëgjuesit Hani thekson: "Përzgjidheni muzikën që dëgjoni. Jo çdo muzikë është e shëndetshme. Ashtu sikurse përzgjidhni ushqimin që hani në 3 vaktet e ditës, duhet të përzgjidhni edhe muzikën. Ka muzikë plot në botë. E mirë dhe organike. E shëndetshme për dëgjuesit. Megjithëse vetë preferoj edhe muzikë të rëndë të llojit metal, rekomandoj që të jemi përzgjedhës se çfarë dëgjojmë dhe i japim shëndetit dhe organizmit tonë."

Ndërsa Enver Ademi nga Korça prej 40 vitesh bën muzikë si në rrugët e Tiranës ashtu edhe në vende të tjera me sakson, si në Greqi, Itali dhe Maqedoni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat