Rama 'i përvishet' punës, nis takimet kokë më kokë me partitë e vogla

Shqipëria

Rama 'i përvishet' punës, nis takimet kokë më kokë me partitë e vogla

Më: 23 mars 2017 Në ora: 09:36
Takim me partite e vogla

?Edi Rama ka kryer një punë intensive për konstituimin e koalicionit për zgjedhjet e 18 qershorit.

Edhe pse afati i fundit për të dorëzuar në KQZ koalicionin është 19 prilli, kryeministri i vendit ka takuar të gjithë aleatët e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” në vitin 2013 dhe 2015 për të përgatitur ngritjen e koalicionit të ri. Në vitin 2013 për zgjedhjet parlamentare ky koalicion pati 37 parti, ndërsa në vitin 2015 në zgjedhjet lokale, koalicioni i majtë regjistroi 39 parti. Burime të “Shqiptarja.com” pranë kryeministrisë thanë se këto takime janë kryer kryesisht në zyrën e Ramës në kryeministri dhe përgjithësisht kanë qenë takime personale të kreu të PS-së më drejtuesit e partive të vogla. 

Të kontaktuar nga Shqiptarja.com, kryetarë të disa prej partive të vogla që janë pjesë e koalicionit që po përfundon mandatin qeverisës, konfirmuan se janë takuar me Edi Ramën dhe kanë bërë një analizë se sa janë përmbushur marrëveshjet paraelektorale për ndarjen e pushtetit. Takimet janë zhvilluar me intensitet dy muajt e fundit dhe do të vijojnë sërish deri në firmosjen e marrëveshjes së re parazgjedhore. Aleatët bëjnë me dije se në disa raste i kanë paraqitur kryeministri pakënaqësi se nuk janë shpërblyer për numrin e votave me të cilat kanë kontribuar për koalicionin, por kjo kohë është shfrytëzuar që drejtuesit e koalicionit qeverisës të reflektojnë në raport me aleatët. 

Disa prej aleatëve kanë gjeneruar pushtet nga kjo qeveri, si kryetari i Aleancës Arbnore Kombëtare, Gjet Ndoj i cili ka qenë drejtor i Arkivit të Shtetit, apo Ervin Mete, kryetar i partisë “G 99” është zëvendësministër i kësaj qeverie në sektorin e financave. Gjergj Koja, kryetar i Partisë Socialiste të Moderuar ka qenë kryeinspektor i ISSH-së, ndërsa Petro Koçi është ende zëvendësministër i Mbrojtjes. Dy prej aleatëve më të pakënaqur kanë qenë Paskal Milo dhe Skënder Gjinushi të cilët as publikisht nuk i kanë kursyer deklaratat se Rama nuk i është përmbajtur marrëveshjes. 

Sipas burimeve Milo ka pasur një qasje më pozitive për t’ju bashkuar përsëri koalicionit, ndërsa Skënder Gjinushi ende nuk ka sqaruar pozicionin e tij. Teksa me partitë e vogla e ka pasur më të thjeshtë për t’i mbledhur rreth vetes, mësohet se në takimet me Shpëtim Idrizin, Rama ka ende pika të lëna pezull por nuk ka asnjë sinjal largimi nga PDIU, ndërsa diskret dhe vendimtar ngelet marrëveshja e mundshme me Ilir Metën, i cili ende nuk ka thënë “po”. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat