Përballjet e forta PD-PS në Tiranë, Kombinati zona e “zjarrit”

Shqipëria

Përballjet e forta PD-PS në Tiranë, Kombinati zona e “zjarrit”

Më: 1 qershor 2017 Në ora: 13:48
PS-PD

Gara e Tiranës mes dy partive kryesore, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, përball individualitete të të dyja partive.

Kandidatët nga ana organizative kanë marrë në patronazh nga një njësi administrative, në të cilën zhvillojnë fushatën e tyre. Në njësinë numër një, që përfshin zonën e “Ali Demit” e deri në Shkozë, përballen dy zonja, Elona Gjebrea e PS-së dhe Grida Duma, sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun.

Gjebrea është një profil i toneve të ulëta, ndërsa Duma shquhet për protagonizmin e saj publik. Në njësinë nr.2 të Tiranës kemi një përballje kandidatësh që shquhen për urtësinë dhe racionalitetin e tyre, profesor Besnik Baraj i PS-së dhe aleati i PD-së, Dashamir Shehi, kreu i LZHK-së.

Vendosja e kandidatëve në Tiranë duket shumë e ekuilibruar, duke mos parashikuar surpriza. Në njësinë nr.3 ish-ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhaçka, do të sfidojë demokratin Gert Bogdani, një emër me përvojë në të djathtën dhe me mbështetje në lagjet tiranase.

Një përballje interesante është ajo e njësisë nr. 4, ku sekretarja e Kryesisë socialiste për Çështjet Zgjedhore, Blerina Gjylameti do të përballet me Gent Strazimirin për t’i marrë atij fitoren në këtë zonë.

Në njësinë nr. 5 kemi përballë dy “veteranë” të kësaj njësie, ish-kryeministrin Pandeli Majko, i cili kandidon aty që prej 2009 dhe mjekut Halim Kosova, i cili është banor i saj. Pritet që surprizat e vetme në këtë përballje të jenë ftesat publike për të punuar bashkë pas zgjedhjeve.

Zona e Kombinatit, ose njësia nr. 6, duket se do jetë zona më e nxehtë e Tiranës për vetë protagonizmin e kreut të PS-së, Saimir Tahiri, ndërsa do të ketë përballë biznesmenin e Partisë Agrare Ambientaliste, Fuad Haxhiymeri, shkruan “Panorama”.

Njësia nr. 7 në Tiranë, zona e “21 Dhjetorit” e “Myslym Shyrit”, vë përballë Fatmir Xhafajn dhe demokraten Albana Vokshi, e cila kërkon vazhdimisht për protagonizëm. Në po këtë njësi punon dhe kandidatja tjetër socialiste, Klotilda Ferhati, kryetarja e Këshilltareve Socialiste në bashki.

Njësia nr.8 do të ketë garë mes tironsave, si Ervin Bushati dhe Jorida Tabaku që janë në mëhallën e tyre, ndërsa do të kërkojnë t’i shkëpusin sa më shumë vota njëri-tjetrit.

Në njësinë nr. 10, nga “Myslym Shyri” e deri te “Mine Peza” kemi një garë profesoreshash, në qendër të Tiranës, socialistes Vasilika Hysi dhe psikologes demokrate Oriola Pampuri. Interesante priten të jenë përballjet në rrethinat e kryeqytetit, në zonat rurale të Tiranës. Në Paskuqan kemi një përplasje dibranësh, Ulsi Manja do të sfidojë Ahmet Premçit për të marrë votat e dibranëve që janë vendosur përreth Tiranës.

Por edhe përballja në Dajt bëhet interesante, ku Xhemal Qefalia, familje që ka drejtuar komunën e Dajtit për disa mandate, do të ketë përballë Fatbardh Plakun, i cili ka qenë kryetar i komunës Farkë për disa mandate.

Por një peshë mban dhe kryetari i PS-së së Tiranës, i cili kërkon vota për PS-në në Petrelë, Bërzhitë, Ndroq për të sfiduar Besnik Fuçinë, kryekomunarin e njohur të PD-së në disa mandate në komunën Kashar.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat