Surpriza 10 ditë para zgjedhjeve, ç’diskutoi Basha në takimin me Trump në Shtëpinë e Bardhë

Shqipëria

Surpriza 10 ditë para zgjedhjeve, ç’diskutoi Basha në takimin me Trump në Shtëpinë e Bardhë

Më: 15 qershor 2017 Në ora: 10:47
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Takimi vjen vetëm 10 ditë përpara se shqiptarët t’u drejtohen kutive të votimit për të përcaktuar qeverinë e ardhshme dhe është cilësuar si i jashtëzakonshëm nga vetë Lulzim Basha.

Përmes një postimi në “Facebook”, Basha dha edhe detaje nga takimi me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump. “Takim i jashtëzakonshëm me Presidentin Donald Trump! Vizioni dhe kauza e tij janë frymëzim dhe inkurajim kolosal për lëvizjen tonë për një Republikë të qytetarëve, me ekonomi të fortë dhe të nesërme të sigurt për të gjithë shqiptarët. Mirënjohje të pakufishme Presidentit Trump dhe SHBA për mbështetjen për Shqipërinë dhe shqiptarët”, shkruan kreu i PD-së Basha.

TAKIMI

Kreu i opozitës ndërpreu fushatën për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara dhe për të qenë pjesë e Javës për Zhvillimin e Fuqisë Punëtore. Gjatë këtyre aktiviteteve janë diskutuar iniciativat e Presidentit Trump mbi uljen e taksave, stazhet profesionale dhe financimet e studimeve.

“Sapo mbylla një vizitë dyditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë Javës së Shtëpisë së Bardhë për Zhvillimin e Fuqisë Punëtore ku po diskutohen iniciativat e administratës Trump mbi uljen e taksave, trajnimin profesional, stazhet e punës dhe financimin e studimeve”, sqaron kreu i PD-së në reagimin e tij për mediat.

Kreu i PD-së Basha nuk e ka mohuar se modelin e Presidentit Trump kërkon të ndjekë edhe në Shqipëri, përmes projektit të tij politik të Republikës së Re. Në programin e tij për “Ekonomi të Fortë”, Basha ka përfshirë shumë prej çështjeve që janë diskutuar në Javën për Zhvillimin e Fuqisë Punëtore në SHBA.

Basha ka premtuar se do të japë 10 mijë stazhe 1-vjeçare për studentët e sapodiplomuar. Takimin me Presidentin Trump Basha e paralajmëroi pak ditë më parë në një bisedë të zhvilluar me fermerët në Korçë.

“Kur ta takoj presidentin amerikan, do t’i flas edhe për fermerët e Burimasit, Zemblakut, Korçës, Devollit. Do t’i them që ata mezi presin që unë të zbatoj reformën e tij”, premtoi Basha në atë takim. Burime pranë Partisë Demokratike bëjnë me dije se vetë kreu i opozitës do të japë detaje lidhur me këtë takim gjatë fushatës zgjedhore që do të zhvillojë në të gjithë vendin.

Kreu i PD-së, teksa kujtoi takimin me ish-Presidentin amerikan, Xhorxh Bush, premtoi pak ditë më parë të forcojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat