Ç'ndodhi në seancën e jashtëzakonshme! Meta-Berishës: Po kur mos të jem unë si do ja bësh?!

Shqipëria

Ç'ndodhi në seancën e jashtëzakonshme! Meta-Berishës: Po kur mos të jem unë si do ja bësh?!

Më: 17 qershor 2017 Në ora: 11:21
Sali Berisha dhe Ilir Meta

Një seancë e jashtëzakonshme u mbajt në Kuvendin e Shqipërisë për zëvendësimin e deputetes demokrate Jorida Tabaku, me Gerd Bogdanin.

Ajo ishte anëtare në komisionin e përbashkët që do të votojë për anëtarët e Komisionit të Verifikimit dhe komisionerëve publikë, strukturë që do të kryejë vettingun, procesin më të rëndësishëm të reformës në drejtësi. Për shkak të lindjes së binjakeve, Tabaku e cila ka marrë lejen e lindjes, nuk mund të jetë më pjesë e këtij komisioni dhe me 92 vota pro të deputetëve të Kuvendit, detyra iu kalua kolegut të saj në PD, Bogdanit.

Në nisje të seancës së jashtëzakonshme, e fundit e këtij parlamenti të vjetër, ish-kryeministri Sali Berisha kërkoi të mbante një fjalë. Një kërkesë surprizë kjo në kushtet kur seanca ishte vetëm procedurale. Por surprizë ishte edhe fjalimi që ai mbajti në nder të ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl. Me kërkesë të tij i gjithë Kuvendi mbajti një minutë heshtje për ish-kancelarin që u nda nga jeta gjatë ditës së djeshme.

Por duke mos ditur se çfarë fjale do të mbante, kreu i Kuvendit Ilir Meta i kujtoi Berishës (para se të dilte në podium) se kjo seancë nuk parashikon fjalime, megjithatë nuk e ka penguar.

“Sa të jem unë këtu mos ki merak, por kur mos të jem unë si do ja bësh”, tha Meta me nota humori.

Seanca u mbyll me betimin e Avokates së re të Popullit, Erinda Balllanca, e cila e mori këtë detyrë pas marrëveshjes politike të arritur më 18 maj mes kryeministrit Edi Rama dhe liderit demokrat Lulzim Basha. Marrëveshje që futi në zgjedhje opozitën pas tre muajve protesëe, duke garuar kështu më 25 qershor në zgjedhjet parlamentare që mban Shqipëria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat