Nga ‘kaubojsi’, te Doshi e Frroku/ Pse prokuroria nuk hetoi deputetët që dhanë miliona për partitë

Shqipëria

Nga ‘kaubojsi’, te Doshi e Frroku/ Pse prokuroria nuk hetoi deputetët që dhanë miliona për partitë

Më: 20 qershor 2017 Në ora: 11:20
Eduart Ndocaj dhe Tom Doshi

Deklaratat publike të disa deputetëve se kanë dhënë qindra miliona lekë për aktivitete politike – para që nuk janë pasqyruar në raportet periodike të partive politike në KQZ – nuk janë hetuar kurrë nga agjencitë ligjzbatuese, të cilat sipas ekspertëve i shmangen qëllimisht këtyre rasteve.

Deputetë të zhgënjyer dhe nënvlerësuar nga partitë politike që kanë aderuar, janë kthyer gjatë mandatit 4 vjeçar të qeverisë se kryeministrit Edi Rama në bilbilfryrës të rregullt, duke bërë akuza për financime të paligjshme të partive politike.

Por ndryshe nga sa kanë deklaruar në publik, se kanë shpenzuar shuma të mëdha financiare për llogari të qëllimeve të partisë politike ku ata aderonin, në asnjë rast nuk ka rezultuar se këta deputetë të jenë listuar si donatorë të partive politike respektive në raportet e dorëzuara në KQZ.

Kjo situatë bëhet edhe më e rëndë pasi këto shpenzime të pretenduara publikisht nga deputetët, nuk janë deklaruar as në deklaratat periodike të pasurisë të dorëzuar pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI).

Prokuroria dhe ILDKPKI, dy institucione që e kanë të detyrë organike verifikimin dhe hetimin e pasurisë të zyrtarëve, kanë zgjedhur t’i kalojnë në heshtje rastet kur deputetët si Vladimir Kosta, Tom Doshi, Eduart Ndocaj, kanë deklaruar se kanë shpenzuar shuma të mëdha financiare gjatë fushatave dhe mitingjeve të Partisë Socialiste.

Sipas ekspertëve mbi financimin e partive politike, subjektet politike shqiptare janë bërë të varura gjatë viteve të fundit nga burimet e pista të parave për të mbështetur aktivitetin e tyre, ndërkohë që ato nënvizojnë se prokuroria i është shmangur hetimit të këtyre rasteve për shak të ngarkesës politike që ato mbartin.

Neni 89/2 dhe 3/b i Kodit Zgjedhor i kufizon partitë politike që të përfitojnë fonde nga persona fizikë në më shumë se 1 milion lekë të vjetra dhe nga persona që ushtrojnë veprimtari në fushën e medias. Gjithashtu ligji ‘Për partitë politike,’ i kërkon këtyre të fundit t’i raportojnë në KQZ burimin e financimit të tyre nëpërmjet raporteve financiare vjetore.

Por siç ndodh rëndomë në Shqipëri, partitë politike nuk i respektojnë ligjet që ato i votojnë në parlament.

Për shembull në Tetor 2015-të, Eduart Ndocaj deklaroi sapo morri mandatin e deputetit të PS-së se ka shpenzuar 500 mijë euro për fushatën e Partisë Socialiste në Lezhë në vitin 2013-të, dhe askush qoftë nga prokuroria dhe ILDKPKI nuk është shtyrë të nisë një hetim lidhur me këtë deklaratë.

Në një deklaratë të vitit 2016-të, deputeti i qarkut të Gjirokastrës Vladimir Kosta, gjatë një momenti pakënaqëaie me lidershipin socialist deklaroi se kishte shpenzuar shuma të konsiderueshme në qarkun e Beratit gjatë fushatës së vitit 2009.

“Kam investuar mund, djersë dhe para për partinë Socialiste, Berat, Poliçan në 2009, Për një kërkesë tënden (Edi Ramës) i pagova 110 mijë euro televizionit të atij jevgut të Beratit.Ma kërkove me ngulm në një kafene të Beratit, po s’e kujtove pyet Tikun,” deklaroi Kosta, duke ju refereuar Adriatik Zotkajt, kryebashkiakut të Poliçanit.

Megjithëse donancioni i pretenduar nga ana e deputetit të PS-së ka qënë i konsiderueshëm, Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi për BIRN se nuk ka filluar asnjë hetim pasuror pas kësaj deklarate, qoftë edhe për të verifikuar origjinën e këtyre parave. Në heshtje këtë rast e kanë kaluar dhe inspektorët e ILDKPKI-së.

Ndërkohë një tjetër figurë mjaft e polemizuar nga opozita dhe vetë maxhoranca, deputeti Tom Doshi, deklaroi në emisionin “Top-Story” në 5 Mars 2015 se kishte paguar dhjetra miliona lekë për protestat e Partisë Socialiste.

“Dihet që zgjedhjet kanë kosto, kam përballuar 3 palë zgjedhje duke qenë kryetar partie Edi Rama, çdo protestë. Thonin që Tom Doshi ka blerë njerëzit për të ardhur në Tiranë, “ tha Doshi.

“Faktikisht jo, s’po them vetëm për 21 janarin, se ne kemi bërë protesta çdo dy ditë, por të sjellësh 2,500 vetë prej Shkodrës, vetëm transporti shkonte 25 milionë në ditë. Pra, nuk e di se si mund ta quash se 25 milionë nuk janë pak…”.

Nga viti 2015 Tom Doshi po përballet me një hetim për “kallëzim të remë”, ndërkohë që pak ditë më parë Prokuroria e Përgjithshme i komunikoi atij akuzën e “fshehjes së të ardhurave financiare” dhe çështja kundër tij tashmë ka përfunduar për gjykim në Gjykatën e Lartë.

Gjithashtu ish-deputeti i Partisë Kristian-Demokrate Mark Frroku është hetuar nga prokuroria për fshehje të të ardhurave financiare, pastrim parash dhe ndërtim të paligjshëm duke u dënuar me 7.6 vite burgim.

BIRN iu drejtua me një kërkesë zyrtare Prokurorisë së Përgjithshme, duke kërkuar nëse aktet e ekspertimit kontabël për pasurinë e deputetit Tom Doshi dhe ish-deputetit Mark Frroku, por prokuroria refuzoi të verë në dispozicion dokumentacionin duke u shprehur se ato janë konfidenciale.

Doshi dhe Frroku i kanë mohuar akuzat e prokurorisë si të motivuara politikisht, ndërkohë mbetet e paqartë nese hetimi i organit të akuzës mbi pasurinë e tyre është thelluar edhe në drejtimin e financimit të partive politike.

Sipas Afrim Krasniqit,  drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike, partitë politike shqiptare nuk diskriminojnë kur vjen puna për donacione politike, qofshin këto edhe të paligjshme.

“Pothuajse në çdo fushatë, sidomos vitet e fundit, një pjesë e donatorëve janë pikërisht individë me rekorde kriminale ose me biznese informale,” tha Krasniqi.

“Nëse marrim listën e shumicës së biznesmenëve të ekzekutuar ose të arrestuar në llogari të vendeve të tjera gjatë dekadës së fundit, shumica e tyre mund të provohen nga dëshmitarë elektoralë se kanë qenë financues elektoralë të partive kryesore,”nënvizoi Krasniqi.

Më tej ai shtoi se“vetë prokuroria ka preferuar të qëndrojë jashtë hetimit, kryesisht për shkak të ngarkesës politike të debatit, por edhe sepse shkelësit më të mëdhenj të ligjit janë partitë e mëdha politike, tek të cilat krerët e prokurorisë e bazojnë shansin e avancimit në karrierën e tyre promovuese.”

Ndërkohë ish-kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Çlirim Gjata tha për BIRN se një problem për hetimin administrativ të donatorëve të partive poltike ka qenë dhe mungesat që ka pasur dhe ka ligji.

“Në kohën kur shërbeja si drejtues i institucionit në fjalë sistemi ligjor që më lejonte kontrollin e financave ishte më i mjerë se sa tani. Unë po ju them se as tani me këtë sistem nuk mund të realizohet një kontroll i thellë dhe i dobishëm e jo më atëherë që ishte fare formal,” tha Gjata.

“Sistemin e kontrollit e kanë ndërtuar partitë parlamentare për të kontrolluar vehten e tyre. Këtu kemi konflikt të hapur interesi. E si mund të realizohet në këto kushte ky kontroll,” pyeti ai.

I pyetur nga BIRN lidhur me deklaratën e nënkryetares së LSI-së Monika Kryemadhi se ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri gjatë fushatës së tij elektorale kishte gjetur 150 mijë euro në tualetin e një drejtorie shkolle në Tiranë, Gjata tha se jo gjithmonë i merrte seriozisht këto deklarata.

“Nuk e di se ku qënkan këto banjo shkolle ku mund të gjesh 150 mijë euro,” tha ai, duke nënvizuar se problemi qendron te sistemi i kontrollit.

“Ky sistem që kanë ngritur palët politike i shërben atyre për të fshehur financat të ligjshme e të paligjshme e jo për ti bërë transparente. Ndaj duhet ndryshuar sistemi i transparencës. Të tjerat janë detaje,” përfundoi Gjata.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat