Pse e kërkoi Berisha takimin me Selamin? Kandidati: Do rikthej kritikët e Bashës

Shqipëria

Pse e kërkoi Berisha takimin me Selamin? Kandidati: Do rikthej kritikët e Bashës

Më: 6 korrik 2017 Në ora: 12:49
Eduard Selami

Kandidati i vetëm përballë Lulzim Bashës për kreun e Partisë Demokratike, Eduard Selami, rrëfen takimin me ish-kryeministrin Berisha dhe shqetësimet që ka ndarë me të për të ardhmen e PD-së. 

Në një intervistë për “Panorama”, Selami shpjegon se pavarësisht se nuk ndan qëndrime të njëjta me Berishën, vlerëson pozicionin e tij neutral që ka vendosur të mbajë në këto zgjedhje.

Selami ka komentuar edhe deklaratat e deputetit Astrit Patozi dhe kërkesën e këtij të fundit që të mos marrë pjesë në garë, duke theksuar se ndajnë pikëpamje të ndryshme për garën dhe seriozitetin e saj.

Ish-kreu i PD-së deklaron se ka një plan për ta hapur Partinë Demokratike, duke kujtuar se çdokush që nuk ishte pjesë e listës së kandidatëve për deputetë nuk duhet ta ndiejë veten të përjashtuar, sepse do të jenë bashkëpunëtorë të tij.

Ju kur vendosët të ishit pjesë e kësaj gare? E kishit paramenduar sepse ka zëra që keni rreth dy vite që në rrethet tuaja deklaroni se do të kandidoni?

Po. Unë që nga koha që jam rikthyer kam pasur për qëllim të jap një kontribut. Kontributi më i madh që mund të jap është ta kthejmë Partinë Demokratike në një forcë bashkëkohore. Kam dashur të kandidoj që në vitin 2013, atëherë e kam menduar, e kam vendosur, por e kam ndryshuar atë vendim pas një takimi që kam pasur me z. Basha. Nga ajo bisedë unë u entuziazmova pasi mendova se si një njeri i ri me këtë koncept kaq bashkëkohor është gati të bëjë këto gjëra, mendova të mbështesja një kandidaturë. Por kur e pashë që ajo që po bënte z. Basha nuk po ecte në këtë drejtim, u konsultova dhe e këshillova atë personalisht dhe më pas dola me një deklaratë të fortë edhe në publik.

Ju duket e mjaftueshme koha që keni për të garuar për postin e kryetarit të PD?

Koha është e shkurtër. Për këtë arsye kam kërkuar edhe shtyrjen e kohës. Sidomos për mua është një kohë shumë e shkurtër për të zhvilluar fushatë, pasi Basha është i avantazhuar si kryetar në detyrë që është. Megjithatë, unë do të bëj të pamundurën në këtë garë, për më tepër që është një garë brenda familjes. Unë besoj tek ajo shprehja që “Një tokë e pluguar keq, është më mirë sesa një tokë e papluguar fare”.

Ju keni kërkuar dorëheqjen e Bashës, ndërkohë që ai nuk e ka bërë, përse po e vazhdon garën?

Z. Basha duhet të kishte dhënë dorëheqjen. Madje unë mendoj që për shkak të përmasave që ka kjo humbje, duhet ta privonte veten e tij edhe nga një kandisim, por nuk e bëri këtë gjë. Unë mendoj se po gabon, por është zgjedhja e tij. Në këtë pikë, ne duhet t’ua japim demokratëve mundësinë për të zgjedhur. Edhe garat e pabarabarta mund të fitohen. Forca e fushatës sime është modeli që unë do të ofroj.

Z. Patozi ka folur për një takim me ju dhe për një kërkesë të tij për t’u tërhequr nga gara?

Po, jam takuar me z. Patozi. Është e vërtetë që më ka kërkuar të tërhiqem, por unë i qëndroj asaj që kam thënë se me z. Patozi ndaj shqetësimet e tij, por jo rrugën që ka zgjedhur. Ia kam thënë edhe personalisht dhe e përsëris edhe në publik se ai do t’i bënte një nder garës nëse do të ishte pjesë e saj. Unë nuk mendoj se rruga që ka zgjedhur i shërben ribashkimit dhe ringritjes sonë, por nuk e gjykoj më thellë. Unë thjesht ndaj shqetësimin, por jo rrugën që ai ka ndjekur. Mendoj se z. Basha gaboi që nuk e vendosi në listë z. Patozi. Ai ka vlera dhe do t’i jepte vlerë garës. Sa për atë që ai mendon se unë po përdorem dhe kjo është një garë false, mendoj se është e padrejtë. Nuk ka asnjë falsitet kur unë ofroj një alternativë më të mirë dhe për një lidership të ri, që jo vetëm PD-së, por edhe Shqipërisë i ka munguar. E quaj jetike që Shqipëria të bëjë hapin më të madh përpara për t’u kthyer në një histori suksesi.

Berisha mund të ketë ndonjë ndikim në këtë moment që është gara?

Berisha, për mendimin tim, ka luajtur rolin pozitiv që ka kërkuar të ringrihemi së bashku. Këtë gjë kam kërkuar edhe unë, ndaj edhe mendoj se Berisha po luan një rol pozitiv. Ai më ka thënë se do të jetë neutral. Pavarësisht preferencës së tij, unë nuk kam për ta përdorur këtë si justifikim, pavarësisht sesi shkon gara. Unë mendoj se avantazhin e kam unë, pasi dua t’u jap demokratëve një vizion europian dhe një model bashkëkohor. Debati që po ndodh është i shëndetshëm. Unë nuk jam kundër debatit, por duhet ruajtur edhe masa e tij. Megjithatë, unë mendoj se janë të kuptueshme. Unë nuk e marr personale kritikën e Patozit, është një koleg i nderuar, për të cilin kam respekt dhe përsëri i qëndroj bindjes sime për të se do t’i bënte respekt garës.

Edhe ju keni pasur një takim me z. Berisha. Ishte kërkesë e tij dhe çfarë u diskutua në atë takim?

Po, takimi u kërkua nga z. Berisha. Në fakt, unë kam komunikim të vazhdueshëm me të, por në rastin për të cilin po flasim takimi u kërkua prej tij. U diskutua për shqetësime të përbashkëta, duke mos hyrë në detaje për garën. Kemi diskutuar se si do të dalim më të fortë nga kjo humbje. Kur unë të jem kryetar, z. Berisha do të jetë një pjesë e rëndësishme e konsultimit tim me të. Por vendimet do të merren në mënyrë kolegjiale nga strukturat e PD, nga Këshilli Kombëtar.

Ai e mbështet mënyrën se si ka ecur procesi?

Nuk hymë në detaje. Unë i shpreha shqetësimet e mia, të cilat i kam bërë edhe publike. Shqetësimet e mia janë të njëjta edhe me ato të një grupi tjetër që lidhen me kohën e shkurtër që kemi në dispozicion dhe faktit që kryetari duhet të jepte dorëheqjen.

Berisha i mirëkuptoi shqetësimet tuaja, të cilat përfaqësojnë edhe opinionin e shumë njerëzve të tjerë në PD?

Nuk mund të them që i mirëkuptoi këto shqetësime. Berisha beson se sa më e shkurtër të jetë koha për zhvillimin e zgjedhjeve të brendshme, aq më shumë largohet mundësia e përçarjes. Ndërkohë që unë e shoh ndryshe. Por kjo nuk mund të diskutohet tani, pasi atë e ka vendosur kryesia. Atë që thotë z. Patozi, që unë të tërheq kandidaturën, unë nuk e quaj rrugën e drejtë këtë. Por unë nuk e paragjykoj atë.

I frikësoheni një përçarjeje të brendshme që mund ta lërë partinë për shumë vite në opozitë?

Jo, unë nuk jam i frikësuar. Nuk shoh çarje, shoh mendime të ndryshme, por jo çarje. Baza me të cilën unë jam në kontakt nuk është e përçarë. Unë në platformën time do të vendos fraksionin si pjesë të partisë. Kjo është një pikë bashkëkohore që duhet të jetë në statutin e PD. Kur them që pranoj fraksione, nuk do të thotë që mendimi i tyre është dominant dhe mund të bëjnë bojkote brenda partisë.

Si i shikoni largimet nga Partia Demokratike?

Unë nuk quaj asnjë të larguar. Vetëm dikush që mund të vetëlargohet, se prezenca në listë nuk të largon nga partia. Çdokush kontribuon edhe duke mos qenë deputet. Ata që nuk janë pjesë e listave do të jenë aty, sepse janë vlera për PD. Unë, kur të jem kryetar i PD, do të dëgjoj prej tyre, do të mësoj prej tyre dhe do t’u kërkoj ndjesë e do të kërkoj të vijnë të gjithë ata që fatkeqësisht kanë rënë viktimë e autoritarizmit që kanë sunduar partinë. Do ta hapim partinë dhe do ta kthejmë në një shtëpi për të djathtën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat