Ilir Meta betohet si President i Shqipërisë

Shqipëria

Ilir Meta betohet si President i Shqipërisë

Më: 24 korrik 2017 Në ora: 18:19
Betimi i Ilir Metës president

Ilir Meta ka marrë zyrtarisht postin e Presidentit të Republikës. 

Pas leximit të formulës së betimit nga nënkryetarja Valentina Leskaj, Meta beri betimin e tij. 

Pas betimit, Ilir Meta mbajti fjalimin e parë si President, duke thënë se Shqipëria dhe Demokracia do jenë gjithë të parat

Meta: Me ndjenjën e mirënjohjes për ju dhe për të gjithë shqiptarët të cilët presin më shumë nga ne dua tju siguroj se për Presidentin e ri Shqipëria dhe Demokracia do jenë gjithënjë të parat. 

Meta: ja kush janë armiqtë tanë të përbashkët

Meta: Papunësia, varfëria dhe migracioni shqetësues i të rinjve janë akoma armiqtë tanë të përbashkët të vërtetë. Këto janë sfidat e përbashkëta që duhen fituar ne emër të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim dhe sidomos ne emër të rinisë dhe të ardhmes së vendit.

“Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” mbetet akoma një projekt i pambaruar.

Meta:   25 vjet më parë u zgjidha deputet në këtë Kuvend dhe sot më duhet të ndahem me jetën time parlamentare për të përmbushur një përgjegjësi të re dhe lartë, por i bindur në rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me Kuvendin në të ardhmen. Në 25 vjet kam qenë pjesë aktive e opozitës dhe mazhorancës. Kam përfaqësuar 2 forca politike në detyrat nga më të rëndësishmet. Kam qenë në vijën e parë të ballafaqimit politik por edhe të përpjekjeve për konsensus, por edhe realizimin e marrëveshjeve të rëndësishme për stabiltetin dhe të ardhmen europiane të vendit.  Ashtu si 27 vjet më parë isha pjesë e lëvizjes studentore, thirrja e së cilës “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” mbetet akoma një projekt i pambaruar.

 

Do t’i shërbej frymës së konsensusit

Meta:  Kushtetushmëria, asnjëanësia politike si dhe respektimi i shtetit të së drejtës do të jenë referencat kryesore të akteve të mia presidenciale. Gjithmonë do ti shërbej frymës së konsensusit, dialogut, bashkëpunimit dhe  gjithëpërfshirjes në interes të forcimit të institucioneve dhe bashkëpunimit institucional, sidomos të avancimit të reformave më jetike që e bëjnë Shqipërinë një vend më demokratik, më të qëndrueshëm, më të sigurtë dhe plotësisht Europian.

Do respektoj në gërmë dhe frymë kushtetutën

Meta: Në këto momente solemne duke përcjellë falenderimet për Kuvendin e Shqipërisë që më zgjidhi në këtë detyrë fisnike më lejoni që tju dëshmoj solemnisht vullnetin tim të hekurt për të respektuar në gërme dhe në frymë kushtetutën e Shqiëprisë për të përmbushur të gjitha përgjegjësitë e mia kushtetuese në interesin e vendit dhe kombit pa kursyer në asnjë çast përkushtimin që kërkon lartësua e detyrës , integritetin, drejtësinë dhe paanshmërinë.

Pas betimit në Parlament, në orën 19:00, Presidenti i sapobetuar do të drejtohet për në Presidencë, ku edhe atje janë duke u bërë përgatitjet e fundit për të pritur të gjithë të ftuarit që do të jenë në ceremoni.

Fillimisht Meta do të pritet në zyrë nga Presidenti në detyrë, Bujar Nishani. Më pas të dy do të dalin në sheshin përpara Presidencës, ku Metës, përpara fjalimit të tij do t’i dorëzohet Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Gjatë kësaj ceremonie, Meta do të jetë i shoqëruar nga vajza e tij Bora, e jo nga bashkëshortja Monika Kryemadhi, e cila e ka bërë të ditur këtë vendim që në momentin kur Meta u votua si President në Parlament.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat