Berisha takoi Pacollin, diskutojnë për çështjen e shtetësisë

Shqipëria

Berisha takoi Pacollin, diskutojnë për çështjen e shtetësisë

Nga: A.M. Më: 15 shtator 2017 Në ora: 10:15
Behgjet Pacolli dhe Sali Berisha

Ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka pritur në takim zëvendës-kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacollin.

Berisha ka shkruar në Facebook se për takimin me Pacollin dhe i ka thënë se marrëveshjet e Brukselit janë të një rëndësie jetike për shqiptarët dhe se është e nevojshme që marrëdhëniet mes dy vendeve tona të jenë përparësi madhore për dy qeveritë dhe potenciali kombëtar të shpaloset dhe zhvillohet më tej.

Postimi i plotë:

Takim me Zëvëndës Kryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, zotin Behgjet Pacolli!

Te dashur miq, prita në një takim Zëvëndës Kryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, zotin Behgjet Pacolli.

E urova zotin Pacolli për detyrën e re shumë të rëndësishme që ka marrë dhe theksova se besoj dhe se kam bindjen e plotë që ai do ti japë një shtytje të mëtejshme njohjeve të reja ndërkombëtare të Kosovës, shumë të rëndësishme për pozicionin ndërkombëtar të saj. I urova suksese zotit Haradinaj, qeverisë së re, e cila është krijuar në një moment shumë të rëndësishëm për Kosovën. Theksova se rajoni kërkon një përkujdesje të madhe nga lidershipi në mënyrë që të mos bëjë hapa mbrapa dhe të zhbëjnë progresin e arritur.

Në këtë kontekst, theksova se marrëveshjet e Brukselit janë të një rëndësie jetike për shqiptarët dhe se është e nevojshme që marrëdhëniet mes dy vendeve tona të jenë përparësi madhore për dy qeveritë dhe potenciali kombëtar të shpaloset dhe zhvillohet më tej. Ato kane nevojë për punë intensive, në mënyrë që të mos mbeten thjesht një kartolinë por të jetësohen në projekte konkrete.

Në këtë kuadër theksova se përparësi me të madhe duhet të marri hekurudha Milot - Prizren, e cila është jetike për Kosovën por dhe për rajonin në tërësi. Ndërtimi hekurudhës do të plotësonte korridorin më fizibël të rajonit dhe natyrisht kjo edhe për Shqipërinë dhe për Kosovën do kishte një interes të jashtëzakonshëm. Së bashku me autostradën, hekurudha e bën Kosovën vend me porte të vetat. Theksova se duhet të punohet në mënyrë që hiqen barrierat midis dy vendeve dhe kufiri të jetë thjesht administrativ. Gjërat kombëtare e kanë fizibilitetin më të lartë se çdo gjë tjetër, doganat duhet të jenë vetëm në kufijtë e jashtëm të dy vendeve dhe jo midis dy vendeve.

Nga ana tjetër marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës kanë shumë çështje për t’u zgjidhur, një ndër to është çështja e shtetësisë. Të gjitha vendet e Ballkanit prej shumë vitesh kanë zgjidhur këtë problem përveç Shqipërisë, e cila duket se ka mbetur peng i fobive të të tjerëve ndaj shqiptarëve.

Zoti Pacolli me falenderoi për pritjen dhe shprehu mirënjohjen për punën dhe kontributin e dhënë gjatë gjithë këtyre viteve në shtetndërtimin e Kosovës. Ai me siguroi se do të punojë fort në drejtim të shtimit të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe intensifikimit të marrëdhënieve midis dy vendeve tona në interesin më të mirë të dy popujve. sb

Image
Pamje nga takimi
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat