Babai rrëfen masakrën në Pogradec: Im bir mbante sqeparin, nusen e gjeta mes gjakut

Shqipëria

Babai rrëfen masakrën në Pogradec: Im bir mbante sqeparin, nusen e gjeta mes gjakut

Më: 25 shtator 2017 Në ora: 10:03
Nexhdet Mekolli

“Të varroset në Lushnjë te njerëzit e saj, jo këtu”. Këto janë të vetmet fjalë që autori i vrasjes së bashkëshortes së tij i ka thënë dje të atit, Nexhdet Mekolli.

Ky i fundit kishte dalë në fshat, kur është lajmëruar nga mbesa e tij për tragjedinë që i kishte ndodhur në shtëpi. Ai është nisur menjëherë drejt banesës dhe në oborr, afër çezmës, ka gjetur nusen e të birit pa jetë, mes pellgut me gjak.

Djali i tij, Bashkimi, ende nuk i kishte lëshuar nga dora sqeparin dhe një thikë, me të cilat masakroi të shoqen 49 vjeçe. Babë e bir nuk kanë pasur mundësi të shkëmbejnë më shumë fjalë për çka kishte ndodhur pasi në këtë moment ka mbërritur edhe policia. Blutë ishin sinjalizuar nga mbesa e familjes Mekolli, e cila ka qenë duke kaluar rastësisht në vend kur është bërë dëshmitare e ngjarjes së rëndë. Sipas Nexhdet Mekollit, i biri ka pasur probleme psikologjike në vazhdimësi.

Së fundmi, ai ishte diagnostikuar për problemet që kishte me shëndetin mendor. Madje, sipas tij, i biri që vuante nga depresioni donte që të shtrohej në spital, por nuk e pranuan pasi ai nuk kishte kartën e shëndetit. Më tej Mekolli tregon se djali i tij dhe e shoqja kanë pasur gjithnjë konflikte.

Në një intervistë për “Panorama”, ai bën fajtor të birin për këtë situatë, i cili, sipas tij, e trajtonte keq të shoqen dhe i bërtiste asaj për hiçgjë.

Z. Mekolli, si ndodhi ngjarja?

Kisha dalë në fshat që në mëngjes, ndërsa djalin dhe nusen i lashë të dy në shtëpi. Erdhi mbesa ime dhe më tha “hajde shpejt se Bashkimi ka vrarë Demirkën”. Kur erdha këtu, pashë djalin me një thikë e me një sqepar në dorë dhe nusja ishte e shtrirë atje te çezma. Ishte mbi një pellg me gjak.

Pse ndodhi vrasja, kishin probleme me njëri-tjetrin?

Gjithë jetën djali im e ka grindur nusen. Ai ishte me depresion dhe vazhdimisht sillte shqetësime, grindej për hiçgjë. Nusja ishte e mirë dhe e rregullt, por im bir ishte i sëmurë dhe s’kishim çfarë t’i bënim. Vite të tëra me atë gjendje dhe unë thuajse nuk flisja fare me të, sepse çdo herë e kthente në sherr. Ishte shumë agresiv, i dhunshëm dhe vetëm grindej, për vite të tëra kjo gjendje ka qenë.

Jetonit në të njëjtën banesë me djalin dhe nusen?

Bashkëshortja më ka vdekur para 14 vitesh dhe unë jetoja i vetëm. Një vit kisha që u hapa derën e shtëpisë se mbetën rrugëve. Fillimisht, ata jetonin në një shtëpi të vjetër në periferi të fshatit, por Bashkimi e shiti se ajo ishte e vjetër dhe nuk kishte mundësi ta rregullonte. Nuk pyeti fare se ku do shkonte me një grua dhe me një djalë, e bëri fakt. Megjithatë, unë ua hapa derën se nuk do t’i lija në rrugë. U thashë ja ku e keni njërën dhomë dhe bëni ç’të doni. Pjesën më të madhe të ditës e kaloja në fshat. Si pensionist që jam, takoja shokët dhe kalonim kohën. Më ka rastisur t’i dëgjoj edhe kur grindeshin për hiçgjë, por nuk ndërhyja, shihja punën time.

Me çfarë të ardhurash jetonin ata?

Me ndihmën ekonomike jetonin, merrnin diku te 30 mijë lekë të vjetra. Aq lek nuk u dilte për asgjë, por u jepja edhe unë nga pensioni im, se më vinte keq për nipin… Çfarë të bëja, s’mund t’i braktisja fare.

Nga se vuante djali juaj?

Para dy muajsh shkoi te mjeku dhe i thanë që e kishte depresion. Me rekomandimin e mjekut të fshatit shkoi në Tiranë dhe bëri vizitë ku i dhanë edhe diagnozën. Donte të shtrohej në spital, por nuk kishte sigurime e kartë shëndeti dhe nuk mund të shtrohej. I dhanë recetën e ilaçeve dhe u kthye në shtëpi. Mori dhe ilaçe për sëmundjen dhe i pinte ato. Më përpara edhe konsumonte ndonjëherë alkool, por që kur nisi të mjekohej, nuk e përdorte fare, se kështu ia rekomanduan mjekët.

E takuat djalin pas krimit? Çfarë ju tha?

Erdha menjëherë në shtëpi dhe e pashë këtu në oborr. Në njërën dorë mbante sqeparin dhe në tjetrën një thikë. Nusja kishte vdekur. Në atë kohë erdhi edhe policia, se e kishte lajmëruar nusja e nipit. Ajo kishte kaluar rastësisht dhe donte t’i përshëndeste kur e kishte parë çfarë kishte bërë Bashkimi. Ai vetë i kishte thënë policisë se e vrava. Pasi kishte lajmëruar policinë, ajo erdhi më thirri dhe mua. Isha me vëllain tim në atë kohë, kur ajo më thotë “shpejt se Bashkimi ka vrarë nusen”. Sapo hyra në oborr, ç’të shihja, nusja e shtrirë mbi gjakun e saj… “Ç’bëre kështu, mor bir?”, i thashë. Por në atë kohë do ta merrte policia. “Të varroset në Lushnjë më tha, te njerëzit e saj, jo këtu”. Vetëm kaq më tha dhe e mori polica. Nuk më tha as qysh, as tek. Vetëm ata të dy e dinë si ndodhi, pse u grindën, pse u zunë. Nuk kishte njeri tjetër në shtëpi.

Po nipi juaj e ka mësuar se çfarë ka ndodhur në familjen e tij?

Po, u lajmëruan të gjithë njerëzit e nuses. Tani ai është me tezen dhe ajo e mori vesh, por nuk di të them si do ta përjetojë, a do vijë dot të varrosë të ëmën apo jo. Ç’të them, jam i tronditur shumë nga kjo që më ndodhi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat