Shpërthen ish-Presidenti: Qeveria tallet me diasporën, opozita s’ka pse të bëhet “skenografe”

Shqipëria

Shpërthen ish-Presidenti: Qeveria tallet me diasporën, opozita s’ka pse të bëhet “skenografe”

Më: 17 tetor 2017 Në ora: 12:03
Bujar Nishan

Për ish-Presidentin Bujar Nishani, qeveria po tallet me diasporën shqiptare dhe po e fyen atë duke bërë show politik.

Përmes një shkrimi të gjatë në rrjetin social, Nishani jep një sërë arsyesh se përse e shikon si thjesht një paradë fjalësh platformën e qeverisë socialiste për diasporën. Sipas tij, janë dhjetëra raste që vërtetojnë mungesën e seriozitetit të kësaj qeverie përkundrejt diasporës.

“Forumi Ekonomik Mbarëkombëtar i mbajtur në NY në shtator 2016 mblodhi me qindra bisnesmenë të suksesshëm shqiptar nga diaspora. Askush prej tyre nuk ka gjetur derën hapur për incentiva investuese në Shqipëri. Shoqata e mjekëve shqiptaro-amerikan, një bashkim i mjekëve të shkëlqyer në USA ju vu në dispozicion zyrtarisht qeverisë shqiptare për të shërbyer me turne mujore në spitalet e Shqipërisë si në menaxhim të tyre ashtu dhe ushtrim profesioni, pa asnjë pagesë. U injoruan totalisht!”- shkruan Nishani.

Nga ana tjetër, regjistrimi i emigrantëve shqiptarë si votues aktivë në vendin amë është diçka pozitive shkruan Nishani, por fillimisht qeveria duhet të luftojë shitblerjen e votës në Shqipëri, një ironi e hapur kjo për socialistët dhe Ramën.

“Votimi nga emigrantët është një çështje e rëndësishme dhe duhet zgjidhur sa më parë. Por që të bëhet i realizueshëm, duhet të shohim së pari largimin e grupeve kriminale nga blerja e votave dhe përfundimin e infrastrukturës së votimit elektronik. Por dimensioni i diasporës është shumë më i madh”-shkruan ish Presidenti.

Por kritikat Nishani nuk ja kursen dhe opozitës e konkretisht Partisë Demokratike. Sipas tij demokratët nuk duhet dhe nuk mund të bëhen pjesë e skenografisë së qeverisë.

“Mund të mungoj dëshira dhe angazhimi për ti shërbyer diasporës, mund të mos jesh i aftë dhe i zoti ti kthesh potencialet e saj në asete edhe për vendin e origjinës, por është krejt e papranueshme të fyhet ajo duke e përdorur si subjekt i shout politik. Në këtë shoëbiz mund të marrë pjesë çdokush që dëshiron, por unë nuk shoh asnjë arsye që opozita shqiptare të bëhet skenografia e tij. Përtej gjithë kësaj përpjekje pa produkt, Diaspora mbetet resurs i jashtëzakonshëm. Ajo pret……”- përfundon Nishani.

POSTIMI I PLOTË

NGA BUJAR NISHANI

Të paktën të mos e fyejmë Diasporën!

Shqipëria përpos të tjerave identifikohet edhe për një veçori demografike në raportin global. Ajo ndoshta është shembulli i vetëm i një shteti ku brenda territorit të vet administrativ jetojnë (afërsisht) vetëm 40% e popullsisë që i takojnë kombësisë përkatëse (shqiptare).

Vec popullsisë shqiptare që jeton në trojet e veta etnike në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Luginë të Preshevës, shqiptarët kanë një diasporë të madhe të përhapur në vende të ndryshme evropiane, USA, Kanada, Australi por dhe vende të tjera. Një diasporë e krijuar nga gjenerata të ndryshme emigrantësh përfshirë ata politik dhe ekonomik. Janë disa miliona këta që kanë ndërtuar jetën atje në breza por duke ruajtur identitetin e tyre kombëtar dhe duke krijuar njëkohësisht një thesar të kapitalit njerëzor dhe atij ekonomik e financiar.

Kapacitetet e saj por dhe energjitë janë të shumta dhe për fat të keq të injoruara dhe pa shfrytëzuara. Retorika vijon dhe nuk po ia lë vendin përgjegjshmërisë dhe angazhimeve konkrete. Shqipëria prej kohësh e ka pasur të nevojshme një institucion në nivel Ministrie për diasporën. Mund të mungoj vullneti për ta krijuar dhe kjo është keq, por të pretendosh se po merresh me diasporën duke emëruar një Ministër pa portofol është të tallesh me atë dhe kjo është shumë keq!

Samiti i ashtuquajtur i diasporës në nëntor 2016 u shndërrua në një shou partizan pa kurrfarë produkti. Kush mund të thotë sot pas një viti në prag të samitit të dytë se çfarë ka prodhuar apo ndodhur në një vit prej atij samiti. Pa dyshim është e nevojshme që të ketë edhe Kuvend të Diasporës ku minimalja të prodhohet Senati i saj dhe platforma e angazhimeve konkrete. Pas atij samiti, buxheti i ri i vitit që u miratua vetëm një muaj më pas nuk parashikoi asnjë qindarkë për çështjet e diasporës. Në SHBA diaspora shqiptare ka njohur një rritje të jashtëzakonshme numerike por dhe cilësore si potencial.

Kam pasur rastin të shoh nga afër dinamikën e Vatrës, një organizatë patriotike prej gjeneratash të shumta e cila ende ruan këtë ndërthurje brezash. APEN, modeli i përbashkimit të identitetit kombëtar me hapësirën e mundësive që të jep ëndrra amerikane. Albanian Excellence, një bashkim i jashtëzakonshëm vlerash të grave dhe vajzave të talentuara shqiptare. Pa numëruar këtu një mori organizatash aktive në Neu York, Michigan (si shtet), Cikago, Florida (si shtet), Boston, etj. Askush prej pjesëtarëve të tyre nuk është ftuar të jetësoj eksperiencën dhe dijet në administratën publike shqiptare.

Forumi Ekonomik Mbarëkombëtar i mbajtur në NY në shtator 2016 mblodhi me qindra biznesmenë të suksesshëm shqiptar nga diaspora. Askush prej tyre nuk ka gjetur derën hapur për incentiva investuese në Shqipëri. Shoqata e mjekëve shqiptaro-amerikan, një bashkim i mjekëve të shkëlqyer në USA ju vu në dispozicion zyrtarisht qeverisë shqiptare për të shërbyer me turne mujore në spitalet e Shqipërisë si në menaxhim të tyre ashtu dhe ushtrim profesioni, pa asnjë pagesë. U injoruan totalisht! Artikulimi i vlerave të diasporës dhe i investimit të shtetit shqiptar vetëm tek mundësimi i votimit për emigrantët është shumë larg sensit të përgjegjësisë dhe dëshirës për angazhim.

Votimi nga emigrantët është një çështje e rëndësishme dhe duhet zgjidhur sa më parë. Por që të bëhet i realizueshëm, duhet të shohim së pari largimin e grupeve kriminale nga blerja e votave dhe përfundimin e infrastrukturës së votimit elektronik. Por dimensioni i diasporës është shumë më i madh. Janë me miliona që nuk e kanë nënshtetësinë shqiptare e ata nuk janë aset votuesish. A më thotë dot kush nga qeveria shqiptare se ku është çelur një qendër kulturore shqiptare? Në New York nga autoritet vendore me mbështetjen e Asamblistit Mark Gjonaj u mundësua dhënia e një objekti për Qëndrën Kulturore Shqiptare. Por duhej një investim fillestar më pas për të. Asnjë qindarkë deri më sot nuk është vendosur nga qeveria. Janë me mijëra mësues vullnetar që u mësojnë gjuhën shqipe fëmijëve të diasporës në Amerikë, Itali, Greqi, Zvicër e deri në Kanada e Australinë e largët.

Më thotë dot kush nga qeveria shqiptare, a ka një fond shtetëror për financimin e tyre dhe bazës shkollore? Jo, sigurisht asgjë. Mund të mungoj dëshira dhe angazhimi për ti shërbyer diasporës, mund të mos jesh i aftë dhe i zoti ti kthesh potencialet e saj në asete edhe për vendin e origjinës, por është krejt e papranueshme të fyhet ajo duke e përdorur si subjekt i shout politik. Në këtë shoëbiz mund të marrë pjesë çdokush që dëshiron, por unë nuk shoh asnjë arsye që opozita shqiptare të bëhet skenografia e tij. Përtej gjithë kësaj përpjekje pa produkt, Diaspora mbetet resurs i jashtëzakonshëm. Ajo pret……

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat