Italia heton 4 politikanë

Shqipëria

Italia heton 4 politikanë

Më: 27 tetor 2017 Në ora: 09:50
Foto arkiv

Kur prokuroria e Katanias ka hedhur në letër jo pak, por plot 187 emra, ndaj të cilëve është kërkuar arrestim për shkak të të qenurit të gjithë pjesë e hetimeve të një prej maksi-proceseve të Katanias, nga Shqipëria mësohet se kanë dalë disa prej ish-zyrtarëve të lartë të Policisë, emrat e të cilëve gjenden në dosjen voluminoze të prokurorisë së Katanias. Referuar të dhënave konfidenciale, bëhet me dije se njëri nga emrat që gjendet në dosjen e hetuesve italianë si i përfshirë në trafikun e drogës është larguar jashtë vendi dhe madje edhe jashtë Europe fare. Po ashtu, mësohet se edhe për një punonjës policie, i cili ka qenë në një pozicion drejtues në kohën kur lulëzonte trafiku i Habilajve ka lënë Shqipërinë sapo u kap në Itali, Moisi Habilaj.

E ndërsa Prokuroria jonë, e vënë nën presion të madh nga ana e eksponentëve që janë në mbrojtje të zyrtarëve të lartë të qeverisë që janë të implikuar nga prokuroria e Katanias, vijojnë të hetojnë, burimet nga Italia bëjnë me dije se në morinë e hetimeve që janë kryer për trafikun e drogës nga vendi ynë në drejtim të tyre janë katër emra zyrtarësh të lartë; dy aktualë dhe dy të lënë jashtë kabinetit qeveritar nga kryeministri Rama. Burimet që vijnë nga vendi ku po zhvillohen hetime intensive bëjnë me dije se janë me mijëra faqe përkthime përgjimesh në të cilat kanë dalë emrat e katër funksionarëve të lartë, e madje edhe se ku do të shkonin paratë e drogës për fushatën elektorale të 2017-s! Po këto burime bëjnë të ditur se veç katër zyrtarëve të lartë shtetërorë shqiptarë, në sitën e hetimit dhe që shpejt pritet të bien në prangat e italianëve janë edhe 3 oficerë të lartë të policisë së tyre!

“Katania”kërkon edhe 6 muaj kohë!

Hetimet që kanë nisur që në vitin 2012, kohë kur është pikasur një ngarkesë e madhe droge që shkonte nga Vlora, mësohet se është konkretizuar pikërisht me dëshmitë e shumta të disa personave, mes tyre edhe dëshmitarë të këtij procesi. Janë të shumta dëshmitë në favor italianëve të anti-mafias, ndërsa përveç disa oficerëve tonë të policisë të cilët janë përndjekur dhe tashmë kanë marrë përsipër të flasin dhe publikisht, mësohet se është një djalë në Siçili që ka marrë statusin e bashkëpunëtorit, ndonëse mësohet se i “dorëzuari” është thjesht një punonjës, shpesh në rolin e shpërndarësit nga një dorë në një dorë tjetër. Por burimet nga vendi ku po zhvillohen hetime tregojnë se Prokuroria e Katanias ka kërkuar edhe 6 muaj kohë shtesë për të verifikuar të gjithë personat që dalin në përgjime.

Përveç zyrtarëve të lartë shqiptarë, ish-drejtuesve të policisë në disa qarqe, trafikantëve të fuqishëm që kanë mundur të hyjnë në zonën e mafias më të fuqishme të Italisë dhe të bëjnë sundojnë tregun sicilian. Mësohet se hetimet janë përqendruar tek të gjitha hallkat se si funksiononte grupi i fuqishëm në të cilin ishin të përfshirë deri edhe zyrtarë të lartë të tyre policorë, ndërkohë që ndaj tyre mësohet se janë lëshuar urdhër-arrestet dhe shpejt do të vihen në pranga, duke besuar dhe shpresuar se nga ky operacion Katania të fitojë një tjetër “Tomasi Busheta”, meqë në vendin tonë është mjaft e vështirë të vihen pranga në njerëzve me pushtet, qofshin këta edhe persona që kanë lëvizur nga detyrat drejtuese, pasi gjithnjë kanë rezultuar më të fuqishëm se sa prokuroria dhe gjykatat!

Ishte nën hetim, arratiset ish-drejtori i policisë J.Ç.

Në vendin tonë janë me dhjetëra persona që janë nën hetim dhe që për të gjithë bëhet me dije se ka urdhër arreste të ardhur nga Italia. Në këtë dosje të italianëve bëhet me dije se gjenden emrat e një sërë personash që kanë qenë edhe në krye të disa drejtorive të policisë dhe të disa komisariateve. Burimet bëjnë me dije se janë larguar disa prej këtyre personash që të gjithë kanë qenë me detyra të larta në polici, ndërkohë që janë lëvizur muajve të fundit nga pozicionet drejtuese. Një prej këtyre personave, që ka qenë për pak muaj në postin e nëndrejtorit të një drejtorie mjaft të rëndësishme në vendin tonë dhe më pas u rrit në detyrë dhe shkoi drejtor policie. Ky person, që prokuroria bën me dije se është J. Ç, ka kërkuar pak ditë më parë të lëvizë në një vend të Bashkimit Europian. Iu ka refuzuar kalimi dhe është kthyer mbrapsht. Më pas ai ka kaluar dhe mësohet se ka shkuar në një vend jashtë Europës. Të dhënat flasin që ai ka kërkuar prej kohësh të lëvizte bashkë me familjen  e tij ndërsa tashmë ka mundur të largohet.

Burimet konfidenciale bajun me dije se është larguar edhe një tjetër person, mjaft aktiv, një nga siguritë më të mëdha të lëvizjes së drogës nga brigjet e Semanit e deri në Sarandë. Edhe ky oficer policie, i cili del në një mori përgjimesh dhe videosh deri duke ngarkuar gomonet dhe skafet me drogë, ka ikur ditët e para të daljes së emrit të ish-Ministrit Tahiri e po ashtu edhe kur u mësua se bashkë me Habilajn  ishin arrestuar edhe persona të tjerë me të cilët kishte njohje. Prokuroria refuzon të bëjë publik emrin por bën me dije se tashmë do të jenë hetimet dhe vendimet e gjykatave që do të vendosin nëse do të bëhet fjalë për urdhër-arrest në zbatim edhe të kërkesës së Prokurorisë për të gjithë urdhër-arrestet e lëshuara për shtetasit shqiptar. Mësohet se përkrah punonjësve dhe ish-drejtuesve të policisë janë edhe një mori personash shumë të rëndësishëm në Itali, në zonën e Katanias të cilët kanë bashkëpunuar në rangje të larta me drejtuesit e grupit mafioz që mban emrin e Moisi Habilajt si drejtues.

Gjyqtarja e Katanias: Ja rastet kur makina e Tahirit erdhi në Itali 

Në dosjen e Gjykatës së Katanias e firmosur nga gjykatësja Loredana Pezzini, makina “Audi A8” me targë AA 003 GB në përdorim të Moisi Habilaj, lindur më Shqipëri më 18/01/1978, përmendet të ketë hyrë disa herë në territorin italian. Në faqen 193 të kësaj dosje, hetuesit italianë shpjegojnë se Habilaj e Çelaj (Sabaudin) kanë hyrë në Siçili disa herë me këtë makinë e cila siç shkruan dokumenti italian “është në pronësi të Saimir Bashkim Tahirit, Ministër i brendshëm i Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu hetuesit italianë shpjegojnë se më datë 24/02/2014, Moisi Habilaj së bashku me Sabaudin Çelaj kanë hyrë në Siçili në bordin e automjetit Audi A8 AA 003 GB e kanë qëndruar deri më datë 04/03/2014.

Gjatë kësaj periudhe kohore të qëndrimit të tyre në Siçili, grupi i trafikantëve shqiptarë ka realizuar me sukses transportimin nga Shqipëria të një sasie marijuane për llogari të italianit Sebastiano Sardo, person besnik i klanit mafioz “Capello”, i arrestuar nga policia italiane në janar të 2017. Prej verës së 2017, mafiozi Sebastiano Sardo është bashkëpunëtor me drejtësinë italiane. Në dosjen hetimore të Gjykatës së Katanias disa herë verifikohen bashkëpunime të grupit të Habilajve me mafiozin Sebastiano Sardo. Hetuesit italianë kanë dokumentuar më datë  26 shkurt 2014, takimin  mes Moisi Habilaj e Sebastiano Sardo në lokalin “Bar Storico” të Katanias, ndërsa vështronin nga larg transportimin e drogës në bordin e një furgonit të tipit Ford nga një vend furnizimi karburanti “Eni” drejt një dyqani shitje dyshekësh në rrugën “Concordia”.

Më datë 05/03 2014 policia antidrogë e Katanias sekuestron në këtë magazinë 30.5 kg drogë e konfiskuar në 26 thasë dhe arrestojnë shtetasin italian Gugliemo Mario, i datëlindjes 1967. Sipas përgjimeve italiane, më 4 mars 2017, Moisi Habilaj e Sabaudin Çelaj nisen drejt Shqipërisë me anijen “Bari” të shoqërisë së trageteve “Ventuoris Ferries” . Nisja bëhet në ora 23.00  nga porti i Barit e mbërritje në ora 08,00 në portin e Durrësit. Moisi Habilja e Sabaudin Çelaj udhëtojnë me makinën Audi A8 AA003 GB (në pronësi të Saimir Bashkim Tahirit) e listuar në mjetet e imbarkuara në traget, me biletën me numër 123551973. Para nisjes drejt Shqipërisë, Moisi Habilaj takon një shqiptar, shofer kamioni i quajtur “Melo”, i cili do të transportonte për llogari të tij një sasi parash drejt Shqipërisë!

Tahirit i kontrollohet banesa, nuk gjendet gjë

Për afër dy orësh oficerë të policisë gjyqësore dhe shkencore kanë marrë pjesë në një kontroll banese të ish-ministrit Saimir Tahiri, i cili mësohet se nuk ka qenë aty në momentin kur kanë mbërritur  oficerët. Kështu pak pasi morën vendimin nga Gjykata e Krimeve të Rënda për të kontrolluar banesën ku jeton ish-ministri Saimir Tahiri, oficerët e Policisë Gjyqësore dhe një ekspert kriminalist kaluan pragun e shtëpisë së tij pranë Kodrës së Diellit në orën 14:10 minuta. Oficerët ishin deleguar nga Prokurorët e dosjes “Habilaj”, të cilët po e hetojnë deputetin për implikimin në trafikun e drogës dhe të korrupsionit.

Me argumentin se në banesën e tij mund të gjejnë gjurmë provash që e implikojnë me të dyshuarit e arrestuar për drogë në Itali, gjyqtarja Liljana Baku ka pranuar kontrollin e banesës si mënyra e vetme për gjetje prove. Megjithëse nuk kishte asgjë të befasishme tek ky kontroll, oficerët kanë pritur pak çaste në brendësi të apartamentit derisa aty mbërriti edhe i zoti i shtëpisë. Kontrolli zgjati dy orë dhe siç thuhet në rrugë jozyrtare nuk është konstatuar asgjë e dyshimtë.

Por Saimir Tahiri nuk ishte i vetëm në shtëpi. Të gjitha veprimet e oficerëve të Policisë Gjyqësore u kryen në prani të avokatit të tij. Hapi tjetër i procesit hetimor pritet të jetë marrja në pyetje e vetë Saimir Tahirit nga Prokurorët e Krimeve të Rënda. Këtë vetë Tahiri e kërkoi të martën, përmes avokatëve të tij, ndërkohë që hetimet për të vijojnë në Italia dhe në Shqipëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat