Meta takon në Tiranë personalitete të shquara arbëreshe

Shqipëria

Meta takon në Tiranë personalitete të shquara arbëreshe

Më: 13 nëntor 2017 Në ora: 16:09
Ilir Meta takon në Tiranë personalitete të shquara arbëreshe

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot personalitetet e shquara arbëreshe, Imzot Giorgio Demetri – Gallaro, Arqipeshkv i “Piana degli Albanesi”, Profesor Mateo Mandala – Universiteti Palermos dhe Profesor dhe Francesko Altimari – Universiteti i Cozencas.

Meta vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të profesorëve të nderuar arbëreshë në fushën e studimit të gjuhës shqipe dhe të shkencave të Albanologjisë dhe rolin frymëzues shpirtëror në “Piagna degli Albanesi” të Arqipeshkvit Imzot Gallaro.

 “Elita intelektuale e arbëreshëve të Italisë, me përkushtimin dhe dashurinë ndaj mëmëdheut të tyre, kanë rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e gjuhës, traditave, dokeve e riteve të të parëve, si dhe përcjelljen e tyre te brezat e rinj,” - nënvizoi Presidenti Meta gjatë takimit.

Presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka jo vetëm për arbëreshët dhe shqiptarët, por edhe për Italinë si dhe për kulturën botërore, trashëgimia e komunitetit arbëresh, historia, traditat e tyre si një vlerë jomateriale e kulturës botërore në kuadër të UNESKO-s.

 Presidenti Meta vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetin arbëresh, intelektualët dhe shoqatat e tyre në Itali për të organizuar aktivitete të përbashkëta në kuadër të vitit të Skënderbeut, të kësaj figure përbashkuese dhe emblematike për kombin tonë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat