Nisma e dytë, 18 veprimet me kafshët që ju çojnë në burg

Shqipëria

Nisma e dytë, 18 veprimet me kafshët që ju çojnë në burg

Më: 18 nëntor 2017 Në ora: 08:56
Foto ilustrim

Krahas projektligjit të propozuar nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar një tjetër nismë për mbrojtjen e kafshëve. 

Nisma është propozuar nga 20 mijë zgjedhës, por një nga nismëtarët kryesor është kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Ndryshe nga nisma e Tahiri, e cila fokusohet edhe tek veprat penale të kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, projektligji i dytë, ka si objekt vetëm kriminalizimin çdo forme dhune ndaj kafshëve. Projektligji i depozituar në Kuvend parashikon 18 veprime kundër kafshëve, të cilat do të dënohen me burg.

Do të dënohen me burgim personat që vrasin kafshët, i plagosin, i braktisin, u shkaktojnë vuajtje, i detyrojnë të bëjnë punë jashtë karakteristikave të tyre etj. Do të përfundojnë në burg edhe ata që organizojnë ndeshje kafshës dhe shpërndajnë video ose foto të imazheve të ndeshjes me kafshëve.

Konkretisht, nisma parashikon që cilido person që, i motivuar nga ligësia apo pa arsye vret një kafshe, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në dy vite. Ndërkaq, kushdo që në mënyrë të paligjshme vret, robëron apo përdor për arsye përfitimi individët e faunës së egër, në rrezik zhdukjeje, dënohen me burgim nga dy deri në tre vjet dhe me gjobë në masën 1.000.000 lekë.

Torturimi apo helmimi i kafshës dënohet me burgim nga dy deri në tre vjet. Ndërsa plagosja e një kafshe, apo nënshtrimi i kafshës ndaj veprimeve që sjellin vuajtjen e saj, dënohet me burgim nga katër muaj deri në një vit. Ligji ndalon eliminimin e kafshëve me armë zjarri, përveç ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë ose kur bëhet e pamundur ndalimi i një kafshe e cila përben rrezik real dhe të menjëhershëm për jetën e njeriut.

Sipas projektligjit, braktisja e kafshëve të shoqërimit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 10.000 deri në 30.000 lekë. Ndërkaq, sipas projektligjit, cilido që promovon, organizon apo drejton ndeshje mes kafshëve që shkaktojnë vuajtjen apo torturimin e kafshëve, dënohet me burgim nga një deri në dy vite dhe me gjobë nga 100.000 deri në 300.000 lekë.
Neni l

"Vrasja e kafshëve"

1. Cilido që, i motivuar nga ligësia apo pa arsye vret një kafshe, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në dy vite.

2. Ndalohet eliminimi i kafshëve me armë zjarri, përveç ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë dhe rasteve kur me çdo mjet tjetër veterinar apo mjete që mund të disponojë vetë pronari i kafshës, bëhet e pamundur ndalimi i një kafshe e cila përben rrezik real dhe të menjëhershëm për jetën e njeriut. Eliminimi i kafshës në kundërshtim me rastet e parashikuara në këtë paragraf dënohet me burgim nga një deri në dy vjet.

Neni2

"Keqtrajtimi i kafshëve"

1. Braktisja e kafshëve të shoqërimit ose atyre të mbajtura në robëri përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 10.000 deri në 30.000 lekë.

2. Cilido që, pa arsye të ligjshme, plagos një kafshe, apo e nënshtron atë ndaj veprimeve që sjellin vuajtjen e saj, dënohet me burgim nga katër muaj deri ne një vit.

3. Kur si pasojë e veprimeve të kryera në pikën 2 të këtij neni shkaktohet humbja e  jetës së kafshës, individi dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tetëmbëdhjetë muaj dhe me gjobe nga 100.000 deri në 200.000 lekë.

4. Cilido që, i motivuar nga ligësia apo pa arsye, detyron një kafshë që të kryejë shërbime, pune apo të ndërmarrë sjellje që shkojnë përtej karakteristikave etologjike përkatëse, dënohet me burgim nga një deri në tre muaj ose me gjobë nga 50.000 lekë deri në 100.000 lekë.

5. Kryerja e veprimeve që bien ndesh me mirëqenien e kafshëve apo mbajtja e tyre në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare dënohet me gjobë nga 100.000 deri në 200.000 lekë dhe me burgim deri në gjashtë muaj.

6. Tortura, helmimi apo çdo akt tjetër kur ka sjellë gjymtimin, ose çdo dëmtim të përhershëm të shëndetit të kafshës apo humbjen e jetës dënohet me burgim nga dy deri në tre vjet.

Neni3

"Ndeshjet ndërmjet kafshëve"

1. Cilido që promovon, organizon apo drejton ndeshje mes kafshëve që shkaktojnë vuajtjen apo torturimin e kafshëve, dënohet me burgim nga një deri në dy vite dhe me gjobë nga 100.000 deri në 300.000 lekë.

2. Pronarët që japin kafshët e tyre me qëllim ndeshje, apo personat të cilët vetë ose nëpërmjet të tretëve, rrisin apo dhe stërkisin kafshë me qëllim përdorimin apo shitjen e tyre për ndeshje, dënohen me burgim nga një deri në dy vite dhe me gjobë nga 500.000 deri në 1.000.000 lekë.

3. a) Organizatorët e basteve mbi ndeshjet mes kafshëve dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në një vit dhe me gjobë nga 500.000 lekë deri 1.000.000 lekë.

b) Çdo individ tjetër, i cili është prezent ose jo në vendin e shfaqjes së ndeshjeve mes kafshëve, vë baste mbi këto ndeshje, dënohet me gjobë nga 100.000 deri në 200.000 lekë.

4. Prodhimi, shpërndarja, shitja e botimi i imazheve të ndeshjeve të ndërmjet kafshëve, me çdo mjet ose forme, me qëllim promovimin apo nxitjen e këtyre veprimtarive, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë nga 200.000 leke deri në 500.000 lekë ose me burgim nga tre muaj deri në gjashtë muaj.

5. Nëse nga veprimet e përcaktuara në piken 1 dhe 2, të këtij neni shkaktohet humbja e jetës së kafshës, dënimit përkatës i shtohet edhe një e dyta e dënimit më të lartë të parashikuar në atë nen.

Neni4

"Kryerja e eksperimenteve me kafshë"

Kryerja e eksperimenteve të jashtëligjshme me kafshët dënohet me tre vite burgim dhe me gjobë deri në 1.000.000 lekë.

Neni5

"Përdorimi i lëkurës së kafshëve të shoqërimit dhe individëve të faunës së egër, në rrezik zhdukjeje"

1. Përdorimi i lëkurës së kafshëve të shoqërimit, për prodhimin dhe konfeksionimin e artikujve të lëkurës, peliçeve, veshmbathjeve apo prodhime të tjera prej lëkure që e kanë origjinën tërësisht apo pjesërisht nga lëkura apo peliçja e kafshëve të mësipërme dënohet me burgim nga një deri në dy vjet dhe me gjobe deri në 500.000 lekë.

2. Përdorimi i lëkurës, pendëve apo pjesëve të tjera të trupit të individëve të llojeve të faunës së egër, në rrezik zhdukjeje dënohet me burgim nga një deri në tre vjet dhe me gjobë deri në 1.000.000 lekë.

Neni6

"Vrasja, robërimi i individëve të faunës se egër, në rrezik zhdukjeje"

Cilido që në mënyrë të paligjshme vret, robëron apo përdor për arsye përfitimi (shitje, ekspozim në kafaze etj.) individët e faunës së egër, në rrezik zhdukjeje, dënohen me burgim nga dy deri në tre vjet dhe me gjobë në masën 1.000.000 lekë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat