Ish- presidenti Moisiu: Qytetarët e kanë humbur besimin tek politika

Shqipëria

Ish- presidenti Moisiu: Qytetarët e kanë humbur besimin tek politika

Më: 25 nëntor 2017 Në ora: 16:46
Ish-presidenti Alfred Moisiu

Ish-drejtues të lartë të shtetit, ambasadorë të paqes, politikanë nga Shqipëria dhe Kosova janë bërë bashkë në Tiranë për iniciativën ndërkombëtare të parlamentarëve për paqe.

Ish-presidenti Alfred Moisiu, anëtar i Këshillit Global për Paqen, bëri mesazhe të forta për parlamentarët, duke kërkuar që ata të jenë avokat të paqes dhe të drejtësisë për njerëzit që përfaqësojnë.

Alfred Moisiu: “Qytetarët e kanë humbur besimin dhe fatkeqësisht po vazhdojnë ta humbasin edhe më tej, te të zgjedhurit e tyre. Deputeti duhet të mbaj komunikim të vazhdueshëm me qytetarët që përfaqëson, të njoh problemet kryesore dhe të dialogoj me ta edhe kur nuk mund t’i zgjidh ato probleme që ngrihen, por të mos mbetet vetëm te premtimet që bëhen në kohë zgjedhjesh për të cilat vërtetë janë bërë mjeshtër të gjithë”

Për ish-kreun të Shtetit, iniciativa për të krijuar një rrjet parlamentarësh për paqen dhe në Ballkan, është domosdoshmëri për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull në rajon.

Alfred Moisiu: “Shovinizmi dhe nacionalizmi ende janë gjallë për fat të keq. Niveli i pamjaftueshëm kulturor dhe ekonomik është një shtrat i mirë për këto dy ideologji”

Përfaqësuesi i Shqipërisë në Federatën e Paqes Universale, Gaqo Apostoli, thekson se nisma e përzgjedhjes së parlamentarëve të paqes është e rëndësishme për problemet deri në nivel global.

Gaqo Apostoli: “Inagurimi i sotëm i iniciativës ndërkombëtare të parlamentarëve për paqen në Shqipëri do të rrisë më tej mundësinë e krijimit të një forumi për parlamentarët e të gjitha kombeve dhe partive politike; bashkëpunimin e tyre me një shpirt dialogu, për të rritur kontributin ndaj paqes dhe zhvillimin njerëzor, për të kërkuar zgjidhje për problemet në nivel kombëtar, rajonal dhe global” 

Në konferencë kanë marrë pjesë personalitete nga skena botërore e politikës, si presidenti i Federatës Universale të Paqes për Europën, Euroazinë dhe Lindjen e Mesme, Kastumi Otsuka dhe ish-kryeparlamentarja e Luxemburgut, Erna Henikot, të cilët theksuan se tani është koha e bashkëpunimit me të gjitha vendet për paqen në botë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat