I dënuar me vendim gjykate, a do të jetë ish-kryebashkiaku socialist deputeti më i ri i Kuvendit?

Shqipëria

I dënuar me vendim gjykate, a do të jetë ish-kryebashkiaku socialist deputeti më i ri i Kuvendit?

Më: 5 janar 2018 Në ora: 18:09
Dritan Bici

Nëse PDIU do të respektojë renditjen e listave të kandidatëve në zgjedhjet e Qershorit 2017, vendin e deputetit Aqif Rakipi në Kuvendin e Shqipërisë pritet ta zërë Dritan Bici.

Në fakt Dritan Bici ishte renditur i katërti në listat e kandidatëve të PDIU-së, por pas dorëheqjes së deputetit Bujar Muca në sallën e kuvendit u ul kandidatja e renditur e treta Elena Xhina. Tashmë pas heqjes së mandatit për deputetin Aqif Rakipi, radha është e Dritan Bicit.
Në fakt emri i Bicit nuk është i ri dhe as i panjohur. Ai ka aderuar në PS deri para dy vitesh dhe konsiderohej një mbështetje e fortë e socialistëve, ndërsa ka mbajtur edhe detyra të rëndësishme si kryetar bashkie dhe n/prefekt. Tashmë është me PDIU dhe i listuar në qarkun e Elbasanit, si përfaqësues i Gramshit. Gjithashtu Bici do të mbahet mend si i vetmi kryetar bashkie që i hyri fushës së sportit me makinë për të rrahur arbitrin.

Pak histori

Dritan Bici në mars të vitit 2013 kur ishte kryebashkiak i Gramshit, hyri me makinë në stadium për të rrahur arbitrin e ndeshjes, pasi ishte i pakënaqur me vendimet për ndeshjen.

Ngjarja skandaloze tërhoqi vëmendjen edhe të mediave të huaja. “Elf Voetbal”, revista më e madhe për futbollin në Holandë, ishte një nga mediat e huaja që e ka pasqyruar ngjarjen. Asokohe kryebashkiaku u dënua për të mos hyrë në stadium deri në fund të sezonit futbollistik. Për atë ngjarje ai kërkoi falje publikisht, duke shpjeguar edhe arsyet përse e shtynë të futej në stadium me makinë për të dhunuar arbitrin.

Lidhja e tij me partinë e Shpëtim Idrizit është e re, pasi që prej vitit 1992, Bici ka qenë pjesë e strukturave të PS-së dhe kryebashkiak i kësaj force politike për vite me radhë. Përplasjet me PS-në nisën në vitin 2015. Kur e kuptoi se Rama nuk do ta rikandidonte më në zgjedhjet lokale. Pikërisht në këtë periudhë ndaj Bicit u bë edhe një kallëzim për fshehje të pasurisë. Megjithatë ai rikandidoi për Bashkinë Gramsh me komunistët dhe ‘Frontin e Majtë’, duke humbur përballë Luljeta Dollanit të PS-së.
Dritan Bici figuron gjithashtu edhe i dënuar me vendim gjykate. Sipas asaj që ai shkruan në formularin e vetëdeklarimit, rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë në shtator 2013 për incidentin që ndodhi në stadium. Ish-kryebashkiaku është dënuar me 60 orë punë të detyruara për interes publik. Dënimi në këtë formë ka zgjatur rreth 5 muaj. Nuk dihet nëse ky dënim mund t’i rrezikojë atij sërish mandatin që pritet të marrë.

Në formularin e vetëdeklarimit, Dritan Bici shkruan ndër të tjera se ka qenë edhe emigrant i paligjshëm në Greqi në vitet 1993-1995.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat