Heqja e mandateve të Rakipit dhe Rehovicës, pas takimeve të ambasadorit Lu me 3 parti politike

Shqipëria

Heqja e mandateve të Rakipit dhe Rehovicës, pas takimeve të ambasadorit Lu me 3 parti politike

Më: 7 janar 2018 Në ora: 07:43
Donald Lu

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka vlerësuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për heqjen e mandatit të dy deputetëve, Aqif Rakipit të PDIU-­së dhe Gledjon Rehovicës së LSI­-së. Dje, në një reagim të shkurtër për mediat, Ambasada Amerikane e ka quajtur si pozitiv vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe si një provë për zbatimin e procesit të dekriminalizimit

Për rastin e dy deputetëve, për të cilët Prokuroria e Përgjithshme kërkoi më 26 dhjetor të vitit 2017 heqjen e mandateve, vetë ambasadori i SHBA­ve në Tiranë, Donald Lu, ka zhvilluar një takim informal me tre përfaqësuesit e partive politike në Shqipëri, shkruan panorama. Në takimet e veçanta, Lu mësohet të këtë kërkuar nga drejtuesit e partive kryesore, që të zbatojnë ligjin e dekriminalizimit, duke pranuar kërkesën e Prokurorisë, vendim, që u materializua me votimin në një zë të përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në KQZ.

Në qëndrimin zyrtar të Ambasadës Amerikane theksohet se procesi i dekriminalizimit, i nisur që në vitin 2015, ka filluar të zbatohet dhe do të vazhdojë në Shqipëri. “Ambasada e SHBA mirëpret vendimin e sotëm (djeshëm) nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për t’iu hequr mandatet Aqif Rakipit dhe Gledjon Rehovicës. Ky vendim është provë pozitive se procesi i rëndësishëm i dekriminalizimit, filluar në dhjetor 2015, vazhdon në Shqipëri”, thekson njoftimi zyrtar i Ambasadës së SHBA. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat