Britanikët zbulojnë planin e qeverisë për goditjen e krimit: Në duart e Xhafës, lista me 50 emra VIP që do arrestohen

Shqipëria

Britanikët zbulojnë planin e qeverisë për goditjen e krimit: Në duart e Xhafës, lista me 50 emra VIP që do arrestohen

Më: 8 janar 2018 Në ora: 06:45
Xhafaj

Britanikët kanë zbardhur planin e qeverisë për goditjen e krimit të organizuar. Në një artikull kushtuar Shqipërisë, gazeta “The Times”, ka dhënë detaje mbi atë se çfarë pritet të ndodh në muajt e ardhshëm në vendin tonë, në kuadër të luftës që ka nisur qeveria kundrejt korrupsionit dhe arrestimit të bosëve të krimit. Në artikull thuhet se në tryezën e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ndodhet një listë me 50 bosë krimi që pritet të arrestohen.

Ndërkohë, prestigjiozja britanike thotë se nga këta 50 emra, 20 prej tyre operojnë jashtë Shqipërisë. Më pas gazeta britanike duke u ndalur tek këta persona citon edhe deklaratën e ministrit Xhafaj, ku ky i fundit ka pohuar që do të goditen të gjithë këta persona. “Ne jemi duke kontrolluar taksat, pronat dhe bizneset. Ne do t’i kapim ata, duke ndjekur paratë”, citohet Ministri Xhafaj në artikullin e “The Times”.

Por veç zbardhjes së këtij plani që ka ndërmarrë qeveria shqiptare kundrejt bosëve të krimit, prestigjiozja britanike, ka vlerësuar edhe bashkëpunimin e policisë shqiptare me atë britanike. Madje gazeta ka sjellë në mendje edhe operacionin e vitit të kaluar që ndërmori qeveria shqiptare së bashku me atë britanike ku u goditën një grup shqiptarësh që trafikonin armë të paligjshme.

Britanikët vlerësojnë punën e qeverisë

Në artikullin kushtuar Shqipërisë, gazeta britanike “The Times” është ndalur edhe tek letra që kryeministri Rama u çoi në nëntor krerëve të BE, ku u kërkoi bashkëpunim për kapjen e kriminelëve shqiptarë në Europë.

Madje duke u ndalur tek letra e kryeministrit, The Times ka nxjerrë në pah edhe problemet e drejtësisë pasi, sipas prestigjozes britanike, pavarësisht punës që po bën qeveria kriminelët po ia hedhin paq sepse po ndihmohen nga drejtësia.

“Ky është një debat i madh që kam pasur me Boris Johnson, kriminelët shqiptarë nuk janë barra dhe problemi i Shqipërisë nëse rriten dhe nëse janë aktivë në vendet e tjera. Sigurisht që ka një mënyrë për të trajtuar këtë problem së bashku, sepse ata kanë lidhje dhe familje këtu (…) Ne po bëjmë arrestime, por të nesërmen ata lirohen, tha zoti Rama, duke shtuar se janë duke u forcuar kontrollet e pasurisë për gjyqtarët e dyshuar si të paguar nga mafia”, shkruan The Times në artikull.

Shqipëria luftë kanabisit

Puna e qeverisë për të parandaluar çështjen e kanabisit si dhe për ta zhdukur këtë fenomen nga vendi ynë duket se ka marrë dhe vlerësimet e para nga britanikët. Prestigjiozja britanike “The Times” shkruan se pas marrjes së detyrës në vitin 2013, qeveria Rama u shpalli luftë të hapur trafikantëve.

Madje The Times duke u ndalur tek çështja e kanabisit sjell nëpër mend ndërhyrjen e policisë në Lazarat. Më pas në artikull i kushtohet vëmendje edhe rezultateve të arritura nga qeveria ndaj këtij fenomeni më 2017-ën, ku thuhet se qeveria ka bërë një punë të mirë.

“Pas marrjes së detyrës në vitin 2013, zoti Rama dërgoi atje (në Lazarat) policinë, e cila kapi 71 ton drogë në fshat dhe më shumë se 400 armë automatike, një mitraloz anti-avion, granatë-hedhës, mortaja dhe armë anti-tank. Në përgjigje, trafikantët punësuan një ushtri fermerësh për të përhapur kultivimin në të gjithë vendin, duke i dhënë ryshfet policisë lokale.

Me rritjen e fluturimeve mbikëqyrëse të policisë italiane, zoti Rama goditi përsëri, duke shkatërruar më shumë se dy milionë bimë në vitin 2016. Qeveria tha se vetëm 58 plantacione janë vërejtur vitin e kaluar (2017), nga më shumë se 2,000 një vit përpara. Është inkurajuese që fermerët të rritin bimët mjekësore në vend”, shkruan The Times.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat