Statuti i ri i PS-së, ja kur jep dorëheqjen kryetari i partisë

Shqipëria

Statuti i ri i PS-së, ja kur jep dorëheqjen kryetari i partisë

Më: 9 janar 2018 Në ora: 07:46
Edi Rama

Statuti i ri i Partisë Socialiste u ka dhënë fund debateve se kur kryetari i saj jep dorëheqjen.

Statuti i miratuar dy vjet më parë, por i shpërndarë ditën e shtunë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, pas plotësimit dhe me rregulloret e brendshme të funksionimit të partisë, nuk lë më asnjë hapësirë interpretimi për humbjen e zgjedhjeve nga Partia Socialiste dhe fatit të kryetarit të saj, shkruan “Panorama”.

Në pikën 3 të nenit 40 të Statutit, jepen kushtet kur ndërpritet mandati katërvjeçar i kryetarit të partisë.

“Mandati i kryetarit të partisë është 4 vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur: a. Jep dorëheqjen; b. Partia humbet vendin e parë në zgjedhjet e përgjithshme; c. Humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të, me kërkesën e 1/3 së anëtarëve të partisë”, thuhet në pikën 3 të nenit 40 të Statutit.

Ndryshe nga formulimet e mëparshme dhe për t’u dhënë fund dhe interpretimeve të ndryshme, statuti i ri përcakton se mandati i kryetarit ndërpritet automatikisht edhe nëse ai nuk jep dorëheqjen, kur partia ka humbur vendin e parë në zgjedhje. “Në rastin e germës “b”, kryetari i partisë është i detyruar të japë dorëheqjen, në rast se kjo nuk ndodh, ndërprerja e mandatit ndodh automatikisht dhe Asambleja Kombëtare fillon procedurat e zgjedhjes së Kryetarit të ri të partisë jo më vonë se një muaj nga ndërprerja e mandatit të kryetarit.

Në rast të pikave “b” e “c”, ish-kryetari i partisë nuk ka të drejtë të rikandidojë për një mandat të ri. Kur vendi i kryetarit të partisë mbetet vakant, brenda 30 ditëve thirret Kongresi i Jashtëzakonshëm i partisë”, thuhet në Statutin e ri të partisë socialiste.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat